in

Bari: zbulohet trafik i paligjshëm mbeturinash drejt Shqipërisë

Ishte e gatshme të nisej për në Shqipëri ngarkesa e bllokuar në portin e Barit në kuadrin e një operacioni për parandalimin e eksportimit ilegal të mbeturinave. Zyra Doganore e Barit dhe Njësia Operative Ekologjike e Karabinierëve sekuestruan 92 lavatriçe dhe 68 frigoriferë të dalë jashtë përdorimit si dhe një sasi të konsiderueshme pjesësh të vjetra këmbimi për pajisje elektroshtëpiake.

Për legjislacionin italian këto lloj mbeturinash konsiderohen “speciale” prandaj duhen dorëzuar në pika të posaçme ose duhen tërhequr nga ndërmarrje që merren posaçërisht me grumbullimin e tyre. Mbeturina speciale konsiderohen të gjitha ato që kanë lidhje me aktivitetet prodhuese, pavarësisht nga rrezikshmëria dhe lloji i tyre.

Ngarkesa e kapur në Bari dyshohet se ishte e destinuar për tregun shqiptar. Transportuesi është arrestuar; akuza për të është trafik ndërkombëtar mbeturinash speciale dhe shkelje e normave për ruajtjen e mjedisit.

Nuk është hera e parë që bllokohen ngarkesa të tilla që niseshin drejt Shqipërisë. Në mars të këtij viti Guardia di Finanza po në portin e Barit kapi 30 ton mbeturina speciale që po niseshin për në Durrës me një tir me targa shqiptare. Dokumentacioni shoqërues kishte futur në dyshim autoritetet italiane të portit. Tir-i ishte i ngarkuar me frena, airbeg, amortizatorë, motorë dhe pjesë të tjera këmbimi makinash të vjetra. Në atë rast akuza për shkelje të normave mjedisore, u rëndua për faktin se pjesë të tilla këmbimi mund të vinin në rrezik jetën e personave në rast se ato shiteshin.

Ir.Ca.

 

Linda Vukaj: “Pezull mes dy botëve”

Dërgesat në para të emigrantëve, 10% i PBB-së