Shqipëria nuk do të ketë më ambasadë në Malajzi, Portugali, Bosnje-Hercegovinë dhe Indi
Tiranë, 31 korrik 2014 – Dje, në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit Bushati, merret vendim për mbylljen e katër ambasadave. Është fjala për përfaqësitë diplomatike në kryeqytetin e Malajzisë, Kuala Lumpur, në Lisbonë të Portugalisë, në Sarajevë të Bosnje-Hercegovinës dhe atë në kryeqytetin e Indisë, Nju Delhi.
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe këtyre vendeve do të mbulohen sidoqoftë nga Përfaqësitë shqiptare në vendet fqinje. Për shembull, do të jetë ambasada shqiptare në Lubjanë të Sllovenisë që do të mbulojë Bosnje-Hercegovinën apo ajo në Madrid të Spanjës që do të mbulojë edhe marrëdhëniet me Portugalinë.
Vendimet e mbylljes së katër ambasadave do të hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Lajmi se disa ambasada shqiptare në botë do të mbylleshin për mungesë fondesh të ministrisë së Jashtme dhe për faktin se janë në vende me të cilat Shqipëria nuk ka marrëdhënie veçanërisht intensive ishte përhapur që dhjetorin e shkuar. Ministria përgënjeshtroi asokohe lajmin me një komunikatë me të cilën pohonte: “Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka marrë asnjë vendim, që do të çonte në mbylljen e ambasadave të Republikës së Shqipërisë. Lutemi mediave që të jenë më korrekte me lajme të tilla, që nuk i shërbejnë informimit të saktë të publikut” thuhet në deklaratën e MPJ-së”.
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)