in

“Stuhi mbi Bankën e Shqipërisë”. Arrestimi i Guvernatorit në mediat italiane

Lajmi i arrestimit të Guvernatorit dhe kryeinspektores së Bankës së Shqipërisë kaluan shpejt Adriatikun.

Romë, 6 shtator 2014 – Lajmi është dhënë shkurtimisht nga agjencia kryesore italiane e lajmeve Ansa dhe është përcjellë edhe nga disa media.

“Stuhi mbi Bankën e Shqipërisë. – shkruan Ansa – Pas zbulimit në fund të korrikut të vjedhjes së 5,2 milionë eurove nga një nëpunës i Thesarit, mbrëmë i janë vënë hekurat Guvernatorit Ardian Fullani dhe kryeinspektores Elivar Golemi, dy njerëzit kyç të institucionit më të lartë financiar të vendit. Fullani e Golemi akuzohen për “shpërdorim detyre”, edhe sepse, sipas Prokurorisë së Republikës, nuk kanë garantuar sigurinë e fondëve të institucionit qendror”.

Me titullin “Kaos në Bankën qendrore. Guvernatori përfundon në qeli për vjedhje”, Unione Sarda përcjell jo vetëm lajmin e dhënë nga Ansa por shton edhe disa detaje mbi vjedhjen e bankës që “ka provokuar një reagim të fortë të opinionit publik, që varej edhe nga refuzimi për të dhënë dorëheqje i guvernatorit, i cili gëzon lidhje të ngushta me politikën dhe  mediat”. Fullani, vazhdon Unione Sarda, akuzohet të ketë bërë të paktën pesë shkelje të ligjit bankar, ndërsa Golemi, përgjegjëse për mbikëqyrjen e të gjitha operacioneve financiare, akuzohet për katër shkelje.
“Deri tani – përfundon lajmi – 12 persona të tjerë janë arrestuar mes nëpunësve të institucionit dhe 4 të tjerë janë në arrest shtëpie. Vazhdon hetimi i Prokurorisë për gjetjen e fondeve të vjedhura”.

 

Ministria e Arsimit mbyll 12 shkolla të mesme private

Këshilli Mbikëqyrës i BSh-së shkarkon Guvernatorin Ardian Fullani