Jam emigrant në Torino i datëlindjes 05.08.1964. Jam në gjendje të rënduar shëndetësore, mbasi kam kaluar një ishemi celebrale, e cila më ka lënë pasoja. Jam shtruar dhe kuruar në spital këtu në Itali, por invaliditet nuk kam përfituar, mbasi nuk isha i siguruar. Kam punuar rreth 15 vite në Shqipëri me sigurime shoqërore. Dëshiroj të më sqaroni, a përfitoj ndonjë pension invaliditeti në Shqipëri.
Bazuar në nenin 35, të Ligjit nr.7703 datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, theksohet sa më poshtë:
1. Personi që bëhet i paaftë, merr pension invaliditeti, kur ka plotësuar periudhën minimale të sigurimit dhe për çdo arësye, veç aksidentit në punë ose sëmundjes profesionale. Ai e merr këtë pension kur bëhet i paaftë:
a) për çdo veprimtari ekonomike;
b) kur ka gjymtime të forta dhe dëmtime fizike (duke përfshirë verbimin). Invaliditeti caktohet nga komisioni mjekësor i caktimit të aftësisë për punë (KMCAP). Në vendimin e tij shënohen shkaqet e invaliditetit, koha e fillimit të tij si dhe shkalla e humbjes së aftësisë në punë. Kundër vendimit të KMCAP-it të rrethit personi mund të ankohet në KMCAP-in epror pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore, vendimi i të cilit përsa i përket caktimit të aftësisë për punë është i formës së prerë.
Rregullat për organizimin dhe funksionimin e KMCAP-ve caktohen me rregullore të ISSH dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes së Mjedisit.
2. Periudha minimale e sigurimit për pension invaliditeti është sa gjysma e diferencës së moshës së personit të siguruar në kohën që bëhet i paaftë dhe moshës 20 vjeç.
Personi që është në kushtet e invaliditetit të plotë, por që nuk plotëson periudhën minimale të sigurimit, ka të drejtë për pension invaliditeti të reduktuar, në masën që rezulton nga raporti i periudhës së tij të sigurimit me periudhën e duhur për pension të plotë invaliditeti.
3. Personi që përfiton pension për invaliditet, kur plotëson moshën, ka të drejtë të kërkojë pension pleqërie, nëse ky do të jetë më i favorshëm për të.
Ashtu sikurse theksohet më lart, përderisa ju keni një vjetërsi kontributive në Shqipëri dhe do të përfitoni të gjitha të drejtat që rrjedhin prej saj. Në këtë rast është e domosdoshme të ekzaminoheni në institucionet mjekësore shqiptare, të merrni fletën e drejtimit për në KMCAP-Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë dhe të paraqiteni pranë këtij komisioni për t’u ekzaminuar dhe përcaktuar shkallën e paaftësisë për punë. Ekzaminimi duhet bërë në rrethin ku keni rregjistrimin në gjendjen civile.
Është mirë që të paraqitni dhe ekzaminimet që keni bërë në Itali, që do shërbejnë si argument dhe orientim për mjekët shqiptarë.
Me moshën që keni , në rast se përfitoni invaliditetin, do të përfitoni pensionin e plotë të invaliditetit me 15 vite sigurimi (mosha 50 – 20 = 30 : 2 = 15 ). Pra në rast se keni 15 vite punë me sigurime shoqërore, do të përfitoni 100% pensionin e invaliditetit.
Masa e pensionit do të jetë sa 80% e pagës mesatare neto të vitit të fundit, apo sidoqoftë jo më e madhe sesa dyfishi i pensionit bazë. Paga mesatare neto e vitit të fundit indeksohet çdo vit, sipas rregullave të indeksimit të bazës së vlerësuar.
Në rast se keni një paaftësi të tillë, që ju nevojitet përkujdesje, duhet të mbani parasysh që sipas nenit 38 të Ligjit 7703 datë 11.05.1993, parashikohet që “kur përfituesi i një pensioni invaliditeti bëhet fizikisht ose psikikisht i paaftë dhe ka nevojë për një përkujdesje të vazhdueshme të një personi tjetër, atij i jepet një pagesë shtesë prej 15% të bazës së vlerësueshme”. Nevoja për kujdesje të vazhdueshme e një personi tjetër përcaktohet nga komisioni mjekësor i caktimit të aftësisë për punë (KMCAP).
Ndërsa sipas nenit 39 theksohet se një person i siguruar i paaftë, që merr pension invaliditeti sipas nenit 35 dhe që ka në ngarkim fëmijët deri në moshën 18 vjeç ose kur këta studiojnë apo janë të paaftë për punë deri në 25 vjeç, merr një të ardhur shtesë familjare për çdo fëmijë në masën 5% të pensionit bazë, por jo më shumë se 30%.
Ju sugjeroj që të paraqiteni për ekzaminime brenda këtij viti, mbasi duke filluar nga 1.1.2015, do të bëhet një ndryshim i rëndësishëm: “Periudha minimale e sigurimit për pension invaliditeti është sa 3/4 e diferencës së moshës së personit të siguruar në kohën që bëhet i paaftë dhe moshës 20 vjeç dhe në 5 vitet e fundit para lindjes së të drejtës të këtë së paku 12 muaj sigurim shoqëror”.
Në këtë kuptim, mbas datës 01.01.2015, do nevojitej që brenda 5 viteve të fundit të keni një vjetërsi kontributive në Shqipëri prej 1 viti. Pra në rast se nuk keni një vjetërsi kontributive të tillë, do të jeni i përjashtuar nga përfitimi i pensionit të invaliditetit.
Për përfitimin e pensionit të invliditetit të plotë do t’ju duhej një vjetërsi kontributive prej 22,5 vitesh: 50-20 = 30*3/4 = 22,5 vite. Pra ju do të përfitonit një pension invliditeti të reduktuar në masën 66.6%.