in

Maksimumi tre muaj në qendrat e dëbimit. Senati thotë “po”

Miratohet ligji evropian që shkurton kohën maksimale të qëndrimit në CIE. Sot imigrantët e parregullt qëndrojnë pas hekurave edhe për 18 muaj. Teksti kthehet në Dhomën e Deputetëve

Romë, 18 shtator 2014 – Po mbërrin më në fund një trajtim më human e qytetar për të ata që mbyllen në Qendrat e Identifikimit dhe të Dëbimit, CIE.

Më 17 shtator, Senati ka miratuar ligjin evropian 2013bis, që tani duhet të kalojë në Dhomën e Deputetëve. Mes të tjerave, shkurton ndjeshëm kohën maksimale të qëndrimit në këto burgje për imigrantët e parregullt.

Sot kush kapet në Itali pa një leje qëndrimi mund të mbahet i mbyllur në CIE deri në tetëmbëdhjetë muaj. Teksti i miratuar në Senat thotë që “në çdo rast, periudha maksimale e mbajtjes së të huajit në qendrat e identifikimit dhe të dëbimit nuk mund të jetë mbi 90 ditë”. Nëse brenda kësaj kohe nuk arrihet të riatdhesohet, i huaji duhet lënë i lirë.

Ka qenë një dekret i vitit 2011 i ministrit të Brendshëm të asokohe Roberto Maroni që përcaktoi që të huajt e kapur pa leje qëndrimi të mbylleshin edhe për një vit e gjysmë pas hekurave. Një “dënim” që u jepej, jo vetëm pa vendim gjykate, por edhe kur ishte vendlindja e tyre që nuk bashkëpunonte me shtetin italian për riatdhesimin.

Efektet e këtij shtrëngimi rripash që mban vulën e Legës nuk u panë aspak në efikasitetin e dëbimeve: edhe sot e kësaj dite, më pak se gjysma e të mbajturve në CIE riatdhesohet vërtet. Por, nga ana tjetër, ndikoi në rritjen e tensionit dhe dëshpërimit, gjë që u dëshmua nga revoltat e aktet e vetëplagosjes, dhe në shtimin e thirrjeve të organizatave humanitare dhe të ekspertëve të imigracionit që dekreti të shfuqizohej.

Rasti mbërriti me projektin e ri të ligjit evropian, i shkruar në të vërtetë nga qeveria Letta. Në tekstin fillestar flitej për reduktim në gjashtë muaj të kohës maksimale të qëndrimit në CIE, më pas edhe nga ministri i Brendshëm Alfano u shpreh gatishmëria për një shkurtim të mëtejshëm. Kështu në komisionin e Çështjeve Kushtetuese, senatorët e PD-së Luigi Manconi dhe Sergio Lo Giudice kanë përfituar për të paraqitur një amendament me të cilin kanë reduktuar në tre muaj qëndrimin maksimal në CIE.

Me uljen e periudhës maksimale në 3 muaj, shpjegojnë Manconi dhe Lo Giudice, CIE kthehen në atë që duhet të jenë, “një stacion transiti në pritje të identifikimit dhe të riatdhesimit të mundshëm, duke shmangur burgosjen e pamotivuar të dikujt që nuk ka kryer krime por vetëm parregullsi administrative”.

Senati, me përjashtim të Legës, natyrisht, është bindur, tani e ka radhën Dhoma e Deputetëve.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Operacion kundër trafikut të drogës: 32 arrestime në 7 provinca

Le Iene në Lazarat. Përpara dhe gjatë operacionit të policisë