Dy punëtorët e vrarë nga punëdhënësi, lënë pas gratë e gjashtë fëmijë të vegjël (njëri akoma në bark të nënës). Komuniteti shqiptar në Fermo u bën thirrje të gjithëve të ndihmojnë këto familje: “Nuk mund t‘u kthejmë të dashurit, por të mos i lëmë vetëm në këtë çast kaq të hidhur”
Romë, 18 shtator 2014 – Vrasja e dy kosovarëve, Valdet Avdyli dhe Nexhmedin Mustafa, nga ish punëdhënësi i tyre të cilit i kërkonin paratë që duhej t’u paguante prej kohësh për punën e bërë, jo vetëm ka pikëlluar familjet e tyre por i ka lënë ato edhe pa burimet e vetme ekonomike që kishin. Mustafa ka lënë gruan me katër fëmijë të vegjël, me moshë nga dy deri në tetë vjeç, Avdyli ka lënë gruan shtatzënë me një djalë disamuajsh.
Vrasja ka prekur komunitetin shqiptar në Fermo i cili tani po përpiqet t’u qëndrojë sa më pranë familjarëve në këtë çast të vështirë. Përfaqësues të tij, veç reagimit të menjëhershëm për mënyrën si po jepej fillimisht lajmi, duke hedhur baltë mbi viktimat, tani u bëjnë thirrje të gjithë anëtarëve të shoqatës Skandërbeg Fermo, sipërmarrësve, miqve, por edhe gjithë shqiptarëve, të ndihmojnë konkretisht, sipas mundësive të secilit, familjet e viktimave.
Për këtë arsye është hapur një llogari rrjedhëse postare në emër të kunatës së Nexhmedin Mustafës, – C/C postale Kucanaj Valbone IT63D0760113500001022072167; BIC/SWIFT BPPIITRRXXX (për urdhërxhirime nga jashtë Italisë).
“Nuk mund t’u kthejmë të afërmit që humbën njëherë e përgjithmonë nga ky krim fatkeq. – shkruajnë në apel – Me ndihmën tonë të sinqertë e bujare, duam të mos i lëmë vetëm në këtë çast kaq të hidhur këto dy familje të shkatërruara por t’i ndihmojmë ato konkretisht”.
Lexo edhe: Kosovarët e vrarë nga punëdhënësi. Cgil: “Prej kohësh kërkonin rrogat e disa muajve”
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)