Ati i Shenjtë duke vlerësuar bashkëjetesën fetare në Shqipëri ka takuar personalisht përfaqësues të komuniteteve fetare të vendit tonë. Në këtë takim merrnin pjesë përfaqësues nga komuniteti mysliman, ortodoks, bektashian, katolik dhe protestant.
“Vijoni të jeni për vendin tuaj, e jo vetëm, shembull që dëshmon se janë të mundura marrëdhëniet e përzemërta dhe të bashkëpunimit të frytshëm ndërmjet njerëzve me përkatësi të ndryshme fetare”.
Ky ka qenë mesazhi që Papa Fraçesku ka dhënë në takimin e organizuar sot pasdite me krerët e besimeve dhe komuniteteve fetare në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë. Ati i Shenjtë duke vlerësuar bashkëjetesën fetare në Shqipëri, ka takuar personalisht përfaqësues të komuniteteve fetare të vendit tonë. Në këte takim merrnin pjesë përfaqësues nga komuniteti mysliman, ortodoks, bektashian, katolik dhe protestant. Gjatë fjalës së tij, Papa falenderoi secilin të pranishëm.
Duke iu referuar së kaluarës, Papa Françesku u shpreh se ”Shqipëria ka qenë dëshmitare e dhunës dhe e dramave që mund të shkaktojë përjashtimi përdhuni i Hyjit nga jeta vetjake dhe shoqërore. Kur në emër të një ideologjie, synohet përjashtimi i Hyjit nga shoqëria, arrijmë të adhurojmë të tjerë idhuj e shumë shpejt edhe vetë njeriu përhumbet, i nëpërkëmbet dinjiteti e i dhunohen të drejtat”.
Papa Françesku u ndal në fjalimin e tij edhe në ndryshimet pozitive me fillimin e demokracisë duke thënë se“vitet ’90 të shekullit të shkuar shënuan edhe krijimin e kushteve për liri të mirëfilltë fetare. Kjo i krijoi secilës bashkësi kushtet të rigjallërojë traditat, të cilat nuk ishin shuar asnjëherë, pavarësisht nga përndjekjet e egra, duke bere te mundur që të gjithë të japin ndihmesën e vet në dobi të rindërtimit moral të vendit, para atij ekonomik, duke u mbështetur tek bindjet fetare përkatës”.
Sipas tij, Shën Gjon Pali II gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri më 1993, “liria fetare nuk është vetëm dhuratë e çmuar e Zoti për ata që kanë hirin e fesë, por ajo është dhuratë për të gjithë, sepse është garancia që qëndron në themel të çdo shprehjeje tjetër të lirisë. “Asgjë më shumë se feja nuk na kujton se po të kemi një krijues të vetëm, jemi edhe vëllezër, të gjithë”. Ky është mesazhi drejtuar Shqipërisë në 1993. Papa Françesku shtoi se “liria e vërtetë fetare i shmanget tundimit të mostolerancës e të sektarizmit dhe mbështet qëndrimet e respektit dhe të dialogut konstruktiv” .
Papa Françesku tha se “askush nuk mund ta përdorë emrin e Hyjit për të ushtruar dhunë. Të vrasësh në emër të Hyjit është sakrilegj i madh. Të diskriminosh në emër të Hyjit është çnjerëzore”. Papa theksoi se “të gjithë, në fund jemi shtegtarë mbi këtë tokë e në këtë udhëtim, ndërsa dëshirojmë me gjithë shpirt të vërtetën dhe amshimin, nuk jetojmë si qenie të mëvetësishme dhe të vetëmjaftueshme, as si individë, as si grupe kombëtare, kulturore apo fetare, por varemi nga njëri-tjetri, i jemi besuar kujdesit të të tjerëve”.
“Le të shikojmë përreth nesh: sa nevoja kanë të varferit, sa nevojë kanë shoqëritë tona të gjejnë ende udhët për tek drejtësia sa më e përhapur shoqërore, drejt zhvillimit ekonomik gjithëpërfshirës! Sa shumë ka nevojë shpirti njerëzor të mos e humbë kuptimin e thellë të përvojave të jetës dhe të rigjejë shpresën! Në këto fusha veprimi, burra e gra të frymëzuar nga vlerat e traditave të veta fetare mund të japin një ndihmesë të rëndësishme, madje të pazëvëndësueshme”, u shpreh Papa Françesku.