I ardhur në Trento që 6 vjeç, i rritur në fshatin SOS, sot Orgesi 26-vjeçar është sipërmarrës. E ka nisur me e-commerce e tani i është futur teknologjisë më të avancuar të shtypit: bashkë me dy vëllezër nga Roma hap të parin laborator të printerëve 3D në Trento
Orges Thika ka mbushur 26 vjeç në shtator. Ka lindur në Durrës por jeton në Trento që kur ishte 6 vjeç, ku ka ardhur me të vëllanë për të ndenjur me të atin, emigrant i 1991-shit. Duke qenë se e ëma kish mbetur në Durrës, Orgesi ka jetuar në Fshatin SOS të Trentos, kujton mirë edhe datën “nga 8 qershori 1995” deri sa mbushi 18 vjeç siç tregon vetë në një intervistë të kohëve të fundit. “Përvoja në Fshatin SOS ka qenë shumë e rëndësishme për Orgesin që jam sot. Më rriti dhe edukoi, më bëri njeri të përgjegjshëm” vlerëson ai vitet e kaluara në komunitet.
Tani është i martuar me Sarën, një vajzë nga Trento me të cilën ka një djalë 3 vjeç e një vajzë disamuajshe. “Kam vendosur të ngre familje shpejt, im bir ka lindur kur nuk isha as 23 vjeç. Sipas meje, familja është gjëja më e rëndësishme që një person mund të ketë, e imja më lejon të jem i qetë e më shtyn të shkoj përpara”.
Sot është sipërmarrës. Mëse një vit më parë e ka nisur me një dyqan on line, siç njihen ndryshe e-commerce, me të cilin shet celularë të teknologjisë së fundit, kompjuterë etj. Nga tetori i shkuar ka mësuar për teknologjinë e printerëve 3D dhe ka vendosur t’i hyjë këtij biznesi. Nga 6 tetori 2014 do të jetë një nga titullarët e 3D Printing Store. Dy ortakët e tij janë vëllezërit Andrea e Gabriele Giglio nga Roma, edhe ata të pasionuar pas teknologjisë e me shpirt sipërmarrës si Orgesi.
3D Printing Store do të jetë i pari dyqan i këtij lloji në Trentino. Çfarë do të ofrojë? Gjithkush mund të shkojë e mund t’i japë tri përmasa një vizatimi. “Për të dhënë një shembull konkret, nëse një fëmijë vizaton një objekt, prindi mund të vijë tek ne e të riprodhojë objektin në tri përmasa. Për ta thjeshtuar sa më shumë, nëse printerët normalë thjesht shtypin në letër çfarëdo gjë, në printerët 3D çdo gjë dypërmasore merr formë e vëllim: falë përdorimit të allçisë dhe rrëshirës sintetike. Realizimi i objekteve mund të ketë nevojë për një kohë që shkon nga pak minuta deri në 50 orë”.
Ky është thjesht një shembull, printerët 3D përdoren edhe për realizim objektesh profesionale si krijim prototipesh për artizanët, për realizimin shumë të detajuar të modeleve trepërmasore të godinave, ndërtimin e pjesëve të këmbimit: nga proteza dhëmbësh deri te pjesë të tëra avionësh.
“Kjo është e ardhmja. – shpjegojnë për mediat lokale Orgesi e ortakët e tij – Këtu bëhet fjalë për teknika shumë të specializuara, që mund të aplikohen qoftë për përdorim personal qoftë për përdorim profesional: mjafton një ide e me printerët 3D e bëjmë atë konkrete, të prekshme”.
Për të arritur deri këtu, Orges Thika ka shoqëruar pasionin për teknologjinë e shpirtin sipërmarrës edhe me studime: është diplomuar si specialist kimist, më pas ka bërë dy vjet universitet për Shkenca të Edukimit. Ka braktisur këto studime për të ndjekur të tjera, tejet të veçanta, për pedagogji cirku. “Këto studime më kanë mundësuar të bëhem edhe instruktor i artit të cirkut dhe më kanë dhënë aftësi mësimdhënieje” tregon ai vetë.
Si do të shkojë biznesi i ri? “Vështirësi ka jo pak, duke filluar nga burokracia italiane, kriza ekonomike që ndihet kudo. Por megjithatë jam i sigurt që 3D Printing Store do të shkojë shumë mirë sepse kam besim në atë që bëj e mendoj se kjo teknologji e re shumë shpejt do të jetë e prekshme nga të gjithë”.
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)