“Udhëtim arbëresh, në 15 vitet e ligjit mbi tutelën e minorancave gjuhësore historike” është seminari i organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Romë në bashkëpunim me Qendrën e studimeve CESIAL të Universitetit Sapienza. Takimi më 14 nëntor në orën 17.30 në Klubin e Aeronautikës Ushtarake në Romë
Sot numërohen në Itali rreth 200 mijë arbëreshë që jetojnë kryesisht në shtatë krahina italiane. Ligji 482/1999 “Norma për tutelësn e minorancave gjuhësore historike” ka njohur veçantinë e gjuhës që ata flasin, arbërishtja, dhe të drejtën e mbrojtjes së saj dhe të kulturës arbëreshe: të letërsisë që lind shekuj më parë, këngëve dhe rrëfimeve të përcjella gojarisht brez pas brezi, të kostumeve dhe valleve, të artit të krijimit të stolive, të kuzhinës dhe të shumë e shumë të tjerave. Me pak fjalë, mbrojtjen e të gjithë përbërësve të identitetit arbëresh.
Më 14 nëntor 2014, ambasada e Shqipërisë në Romë në bashkëpunim me Qendrën e studimeve CESIAL të Universitetit Sapienza, organizojnë në Romë seminarin me titull ““Udhëtim arbëresh, në 15 vitet e ligjit 482/1999 – Komuniteti arbëresh në Itali: identitet gjuhësor-kulturor dhe legjislacioni”. Takimi do të vlejë si një rast i mirë për të diskutuar rreth efekteve të ligjit 482/1999 në mbrojtjen e gjuhës dhe të kulturës arbëreshe, për të propozuar hapa të mëtejshëm në këtë drejtim dhe për të treguar realitetin kulturor të ditëve tona të komunave arbëreshe përmes fotografive dhe shënimeve të udhëtimeve të ambasadorit Neritan Ceka.
Takimi është për të premten, 14 nëntor, në orën 17.30, në Klubin e Aeronautikës Ushtarake (Lungotevere Salvo D’Acquisto 21, Roma). Kush nuk mund të jetë i pranishëm, mund të ndjekë seminarin drejtpërdrejt në streaming në portalin Albanianews.it, që bashkë me Shqiptariiitalise.com mbështesin si media partner aktivitetin.
Në fund të takimit do të mund të shijohen pjata tipike të kuzhinës arbëreshe dhe një koktejl i ofruar nga shoqata Azione Legale