in

Fluturimi i Bernardit

Quhet Bernard Shehu një ndër balerinët e skenave galante që nuk ndriçohen nga prozhektorët e studiove televizive, por që nuk e nderojnë më pak baletin shqiptar. Ai është një i ri shqiptar, njëzeteshtatë vjeçar që ka mbërritur në Itali për të bërë balet, atë lloj baleti që nuk gjendej e që mezi gjendet në Shqipërinë e dikurshme dhe të sotshme. Pas një rrugëtimi të gjatë që prej vitit 2000, sot jeton në Romë dhe është pjesë e kompanisë Balletto di Roma së bashku me të tjerë balerinë shqiptarë që me të ndajnë të njëjtën kombësi e të njëjtën histori jete.

bernard_3.gifNë botën e baletit ka hyrë pa pritur, në mënyrë instiktive e pothuaj naive, disi pa dashur, pa asnjë lloj përllogaritjeje apo ëndrre të kulturës pop televizive, siç mund të mendohej rëndom sot. Por ka hyrë në një mënyrë shumë shqiptare, nëpërmjet një pjese të rëndësishme të kulturës shqiptare që shënon ritmet e festimeve shoqërore dhe riteve që caktojnë jetën e  shqiptarëve. Skenat e tij të para kanë qenë si për shumë kolegë të tij po aq të talentuar sheshet midis tavolinave të dendura me meze, nën tingujt e sazeve dhe lashtësisë muzikore kombëtare, pikërisht dasmave të shumta që kanë një funksion socio-antropologjik në kulturën shqiptare shumë më tepër se kudo tjetër. Dhe prej andej, djaloshi që dinte të valëzonte në mënyrë spontane por të goditur u ngjit në skenat më të famshme shqiptare, italiane e ndërkombëtare.

Kjo duke kaluar më parë natyrisht nëpër palestrat e rrepta të Akademisë së Tiranës, ku shija dhe disiplina sovjetike diti të mbrujttë talentin për atë që balerini shqiptar do të ishte në të ardhmen. Ka qenë vendimtare gjurma sovjetike që e ka shoqëruar edhe në Azerbajxhanin e largët – një vend i çuditshëm, të cilit shqiptarët vështirë t’i njohin më shumë se sa emrin e çuditshëm, që përzihet me reminishenca malesh, luftë të ftohtë e valle të përfytyruara kozakësh. Kjo sepse Baku, dhe Tirana janë binjakë sovjetikë të të njëjtës traditë, dhe të dyja janë po ashtu tmerrësisht të lidhura me traditën e vet kulturore që bën që emrat e kompanive të vallëzimit me origjinë prej tyre të radhiten në top-listat e performancave ndërkombëtare me përpikëri absolute. Nuk është kjo asgjë e re. Të njëjtat faza të formimit profesional i kanë kaluar edhe të tjerë kolegë të tij që kanë shëtitur shtypin italian duke mbajtur lart zërin e akademisë së Tiranës. Mirëpo Baku dhe Tirana, dy simotra sovjetike mbeten besnike të traditës klasike që jep një shtysë të mirë teknike por nuk lejon shpalosjen e krijueshmërisë që baleti bashkëkohor ka mbërritur prej kohësh në perëndim. Dhe si shumë të tjerë, etapa për të mbërritur që lindja nuk ofron edhe Bernardit iu desh në mënyrë shumë spontane të nisej drejt portit perëndimor më të afërt për të mbetur aty, me sodisfaksion.

Italia i ka hapur kështu dyert e artit bashkëkohor, më parë në veri e më pas prej disa sezonesh edhe në kompaninë prestigjoze në Romë, Balletto di Roma. Projekti më i afërt është Otello, ku Shehu do të ketë një rol prej solisti, ndërsa firma do të mbahet nga askush më pak se sa koreografi Fabrizio Monteverde.

Por ka edhe projekte të largëta, të lidhura me të tashmen dhe një të ardhme më të mirë, me Italinë e me Shqipërinë. Shehu është një balerin i brezit të ri që për nga formimi i përket sa Shqipërisë aq edhe ambientit ndërkombëtar të baletit bashkëkohor sot ku e gjen veten me kompaninë Balletto di Roma. Dhe është një personalitet artistik i ndarë kështu mes dy kulturash baleti të cilat i njeh më së miri nga afër dhe mes të cilave mund të shërbejë si urë lidhëse për progresin e dhe shkëmbimin e ndërsjellët të të dyjave. Mbi të gjitha ashtu si edhe kolegët e tij të të njëjtit formim e me të njëjtën të kaluar ai është një resurs potencial për Tiranën artistike, nga e cila e ndan vetëm një thirrje telefonike larg, e një projekt-ide e pahedhur në letër. Ndërsa deri tani balerinët shqiptarë janë konsideruar si trofe të krenarisë kombëtare përballë dinjitetit të nëpërkëmbur të shqiptarëve nëpër botë, pas përgëzimeve për kontribute të veçanta që qarkullojnë Tiranës mondane, mbetet për tu prekur faza konstruktive, ajo e ripërvetësimit të talenteve shqiptare nga vetë arti shqiptar. Deri tani nuk ka ndodhur, por ndërsa baleti shqiptar synon të integrohet e të zhvishet nga klasicizmi i palëkundur – siç thuhet tashmë prej vitesh – edhe kjo do të vijë, dhe Bernard Shehut dhe brezit të tij do t’i takojë me siguri roli i çprovincializimit të artit shqiptar dhe modernizimit të tij. Premisat nuk mungojnë, koha më pas do të tregojë.

bernard_2.gifShqiptari i Italisë: Kur keni filluar të merreni me balet?

Bernard Shehu: Në botën e baletit kam hyrë falë tim eti, ishte e gjitha meritë e tij, meqë në një farë mënyre ishte ai që më zbuloi. Në Shqipëri siç e dini njerëzit hyjnë në shkollën e baletit në moshën 10 vjeçare dhe në atë moshë kuptohet unë nuk kisha të tilla dëshira, nuk isha në gjendje të bëja vlerësime të kësaj natyre si gjithë moshatarët e mi normalisht në atë kohë. Babai im vendosi për të njëjtën zgjedhje edhe për motrën time, e cila edhe ajo bëri akademinë e baletit, vetëm se ne të dy nuk kemi kërcyer asnjëherë bashkë. Me përjashtim të një spektakël në Macerata, por jo në Shqipëri. Kështu lindi gjithçka. Në të vërtetë kuptohet si shumë balerinë të tjerë, palestra e zbulimit edhe për mua kanë qenë dasmat shqiptare. Ai vuri re se unë kërceja me shumë dëshirë dhe se kërceja mirë dhe prandaj mendoi se ishte rasti të provoja në këtë fushë. Ndoshta natyrisht kishte të bënte edhe me dëshirën për një jetë më të mirë, sepse kuptohet njerëzit që bëjnë një jetë prej artisti jetojnë shumë më mirë se sa shumë të tjerë. Dhe kështu nisa akademinë në Tiranë. Për dhjetë vjet kam studiuar në akademinë e Tiranës, dhe më pas kam shkuar në Azerbajxhan. Në përgjithësi njerëzve u duket çudi kur them që jam diplomuar në Azerbajxhan por arsyeja është shumë logjike. Ndodhi kështu sepse Azerbajxhani është një vend ish sovjetik dhe aty vazhdon tradita e shkollës ruse, që është e mirënjohur për cilësinë e baletit. Ndoshta nuk është më e mirë se ajo e Tiranës por është patjetër shumë e mirë. Profesori ynë ende merr nxënës të Akademisë së Tiranës për t’i çuar në atë shkollë në Azerbajxhan.

Si ishte kjo eksperiencë, një shqiptar në Azerbajxhan?

Ishin 12 vetë, ndër të cilët Gentian Doda, Anbeta, Ledian Agalliu etj.. Ikëm në ’97, ndërsa në Tiranë kishte luftë civile. Ne duhej të shkonim në shtator por u transferuam në maj, katër muaj para. E kaluam verën në plazh atje, duke pritur fillimin e shkollës. Ishte një eksperiencë shumë e bukur. Dhe mbi të gjitha ishte një eksperiencë shumë e vlefshme. Sepse na formuan për tu bërë solistë. Lëndët ishin të njëjta si në akademinë e Tiranës, ndryshonte vetëm nga fakti se kishim edhe vallëzime tipike të Azerbajxhanit që ne duhej t’i mësonim. Edhe kjo ishte një gjë interesante. Janë vallëzime të ndryshme nga tonat por është interesante se ka atë forcë dhe atë sharm që përcjellin vallëzimet tona. Janë sidoqoftë vallëzime të krijuara për meshkujt. Unë kujtoj kur kemi bërë me shkollën konkurset e valleve popullore, çmimet e para i merrnin gjithmonë ose gjeorgjianët, ose azerët, ose akademia jonë e Tiranës, apo Teatri jonë i Operas, ansambli i shtetit domethënë kuptohet.

Si filloi aventura italiane?

Pasi u ktheva nga Azerbajxhani në Shqipëri, me një trupë vallesh tradicionale, shkuam në provincën e Romës për një festival dhe me atë rast të tjerët u kthyen kurse unë shkova në Parma për të vazhduar studimet.

bernard_4.gifPo pse zgjodhët pikërisht Italinë?

Ishte edhe për shkak të miqësive të mia, sepse për shembull shoku im i ngushtë në atë kohë, Gentian Doda ndodhej në atë kohë në Parma dhe ai më prezantoi profesorët e tij me të cilët arrita të fokusoja atë që më interesonte të bëja në Itali. Dhe kështu në vitin 2000 erdha në Itali. Ishte e natyrshme sepse nuk njihja asnjë, dhe e vetmja pikë referimi ishin këta shokë dhe këto kontakte. Nuk kisha ndonjë objektiv konkret, të shkoja në Itali, në Francë, apo në Gjermani. Isha 18 vjeç dhe isha gati të merrja çfarëdolloj mundësie. Nuk jam në gjendje të them konkretisht as pse doja patjetër të ikja e të mos qëndroja në Tiranë. Ndoshta sepse isha larguar nga Tirana që në moshën 15 vjeçe, dhe kur u ktheva kisha humbur pikat e referimit të ambientit tim, shumë gjëra kishin ndryshuar, në shkollë, në Teatrin e Operas dhe të Baletit, edhe balerinët që vallëzonin në televizion, ishin tashmë grupe të formuara. Dhe ndoshta këto kanë qenë edhe arsye pse vendosa të largohesha nga Shqipëria. Italia ishte kështu mundësia e parë që mu dha dhe që e shfrytëzova.

Po tani, me sytë e këtyre viteve, mendon të qëndrosh në Itali, apo të veprosh si shumë kolegë të tutë, nëpërmjet  Italisë të transferohesh diku tjetër?

E ndiej veten mirë më Balletto di Roma, dhe mendoj të vazhdoj të qëndroj në Itali edhe për të ardhmen. Jo vetëm si balerin, por më pëlqen shumë edhe të jap mësim. Ndoshta hapja e ndonjë shkolle do të ishte një variant. Këto janë gjëra që do të vijnë më vonë. Sidoqoftë nuk e ndiej të nevojshme të largohem nga Italia.

Çfarë mendon se të ka dhënë Italia, që ndoshta në Tiranë nuk do të gjeje?

Edhe në Azerbajxhan shkolla që ne ndoqëm ishte e të njëjtës traditë sovjetike si shkolla e Tiranës, ndërsa Italia më ka dhënë baletin bashkëkohor, baletin modern. Tek ne kjo ka filluar të hyjë por ende nuk është e trajtuar mirë, mungojnë aftësitë për tu marrë me baletin bashkëkohor. Sot baleti klasik nuk mjafton. Patjetër nevojitet edhe puna me baletin klasik sepse është diçka që të jep shumë si bazë edhe për baletin bashkëkohor, mirëpo kjo nuk mjafton. Për të hyrë dhe për të bërë pjesë në një kompani baleti sot nuk mjafton vetëm baleti klasik, nevojitet patjetër edhe baleti bashkëkohor. Janë shumë të pakta kompanitë që kryejnë vetëm balet klasik dhe bëhet fjalë për institucione të mëdha si La Scala, apo si Opera e Romës, dhe të tjera që gjenden në kryeqytete të rëndësishme, por është e vështirë të mbahet një kompani vetëm me këto.

The që këto elemente nuk ekzistojnë ende në shkollën e Tiranës. Nga se vjen kjo? Kanë kaluar tashmë pothuaj 20 vjet nga hapja e Shqipërisë me botën?

Sipas meje, gjëja kryesore që mungon jemi pikërisht ne, ne balerinët që jemi nëpër botë. Do të duhej që ne të ktheheshim dhe të vinim në praktikë eksperiencën tonë. Atë që kemi mësuar ne në Spanjë, në Itali, në Gjermani, në Francë. Por nuk kthehemi sepse duhet të kemi edhe mbështetjen e teatrit të operas. Një prej ëndrrave të mia është të organizoja një mbrëmje gala me disa prej balerinëve që janë sot nëpër botë. Disa prej tyre janë kthyer herë pas here për të marrë pjesë në ndonjë spektakël por asjgë më shumë se kaq. Pjesa më e madhe e tyre janë larguar prej më shumë se 10 vjetësh duke vallëzuar kudo përveç se në skenën e teatrit të Operas dhe Baletit të Tiranës. Kjo do të ishte një gjë shumë pozitive edhe për shkollën. Sipas meje mungon kultura dhe mungon eksperienca e baletit bashkëkohor. Mungojnë natyrisht edhe mësuesit. Kur ne erdhëm këtu, në Tiranë ekzistonte vetëm baleti klasik. Di që diçka është duke lëvizur. Duhen marrë mësues nga jashtë, të bëjnë stazhe, tu jepet mundësia për të përgatitur spektakle edhe gjëra të vogla, me grupe s’është e thënë të bëjnë gjëra gjigante prej 40 balerinësh, e spektakle të gjata madhështore, mjafton shumë më pak. Por janë gjëra që duhen bërë. Nga ana tjetër nuk jam në gjendje ta shpjegoj qartë se çfarë mungon. Ndoshta vullneti por edhe për këtë nuk jam i sigurt, paratë nuk besoj se mungojnë të paktën nga sa kam parë, më duket se fondet janë. Në fund të fundit nuk jam në gjendje të them se çfarë mungon sepse duke mos jetuar në Shqipëri e kam të vështirë tu hyj gjërave kaq thellë.

Pra ka një “ikje truri” në baletin shqiptar…

Ne nuk kthehemi sepse është normale që kur jeton në një vend tjetër për 10 vjet është shumë e vështirë të kthehesh prapa. Nuk e dimë nga t’ia nisim po të kthehemi. Duhet të kemi edhe një mbështetje kur kthehemi. Nuk mund të kthehemi pa pasur të qartë se çdo të bëjmë atje. Pa pasur kontakte. Kur nuk ke kontakte e ke të vështirë. Jemi shumë balerinë shqiptarë nëpër botë. Mund të vemi të marrim pjesë, të japim ndonjë ide, për shkëmbim, për pasurim eksperiencash. Ne kthehemi të gjithë në gusht për pushime, por në gusht nuk mbetet asgjë. Por ne duam të kthehemi kjo është në gjë që kam vënë re tek shumë prej nesh. Disa kanë pikërisht dëshirën të japin mësim në akademinë e Tiranës për shembull, apo sidoqoftë të vënë në praktikë në dobi të baletit shqiptar eksperiencën e tyre.

Të krijohet përshtypja se në Shqipëri për balerinët, kujtohen në gusht gjatë pushimeve, “Ja balerini që na nderon jashtë shtetit” dhe pastaj gjithçka harrohet…

Po është kështu. Nuk u kushton asgjë të ngrenë telefonin dhe të na propozojnë. Nuk besoj se dikush prej nesh do të thonte “jo nuk mundem”. Ndër balerinët që njoh unë këtu, të gjithë do të ishin të gatshëm pa e menduar gjatë të niseshin dhe të organizonin diçka duke bashkëpunuar edhe me miqtë tanë që vazhdojnë të jetojnë në Shqipëri. Nuk do të ishte një ide e keqe.

Por ka pasur tentativa për të tilla përvoja?

Jo unë personalisht nuk kam tentuar, por kam këtë ide prej të paktën një viti. Shpresoj që në pushimet e ardhshme në Tiranë të arrij të kontaktoj njerëzit e duhur për të organizuar diçka prej vërteti.

E ndjek baletin shqiptar ndërkohë?

Po. Mendoj se shkolla mbetet një shkollë cilësore. Edhe se në këtë drejtim ka pasur një ndryshim brezash. Ka disa miq të mitë që kanë filluar të japin mësim në shkollë. Në fakt është një gjë pozitive. është diçka që I nevojitej shkollës, kuptohet kjo gjë dihej dhe e thonin të gjithë. Por sipas meje nuk duhet të ishte një gjë kaq drastike. Mendoj që kjo do të sjellë gjëra pozitive. Bëhet fjalë për njerëz që angazhohen, që përpiqen shumë, por më duket se tani ka filluar të mungojë disi disiplina. Shkova vitin e kaluar për të parë disa leksione, dhe kjo ishte përshtypja që më mbeti. Ne kishim rregulla më të rrepta për respektimin e disiplinës, për respektimin e mësuesve, kodin e sjelljes etj. Por ndoshta kjo nuk ndodh për faj të të rinjve që kanë ardhur aty këto vitet e fundit. Vetëm se në këtë drejtim nuk do të ishte keq që ndonjë mësues i huaj të merrte pjesë herë pas here për të shkëmbyer eksperiencë. Do të ishte diçka shumë pozitive. Por edhe në këtë rast mungon ajo që thoja më parë. Jo paratë, ndoshta vullneti, nuk di të them.

Pra Shqipëria mbetet një vend i izoluar?

Jo nuk më duket kështu. Ka bashkëpunime. Di për shembull për bashkëpunime me disa koreografë italianë, që kanë bashkëpunuar me Teatrin e Operas dhe Baletit. Kjo është natyrisht pozitive, por nuk mjafton. Dua të them duhet të jetë diçka e vazhdueshme. Nuk mjafton një spektakël apo dy, duhet të ketë një shkëmbim të vazhdueshëm që ka të bëjë me didaktikën më tepër, se sa me spektakle të izoluara. Duhet të rrisin stazhet, konkurset, ashtu siç bëhet këtu në Itali. Është e vërtetë që në Itali për shembull për çdo fshat të vogël ka disa shkolla baleti, ne kemi vetëm një, dhe ajo duhet mirëmbajtur, prandaj ndoshta ka edhe këtë prestigj që ka. Meqenëse nuk na lënë të hyjmë në Bashkimin Evropian duhet të gjejmë mënyra bashkëpunimi institucionale të tilla për të dalë nga izolimi kulturor.

bernard_5.gifPo thoje që të pëlqen mësimdhënia, do ta shihje veten në Akademinë e Tiranës?

Po më pëlqen mësimdhënia dhe mendoj se nj balerin shqiptar që ka kërcyer për më shumë se gjashtë sezone në skenat italiane, është në gjendje të japë shumë për Akademinë e Tiranës. Por në këtë drejtim do të privilegjoja kuptohet baletin modern sepse është ky ai në të cilin unë mund të jepja më shumë dhe që në të vërtetë në Shqipëri ka nevojë. Do të më pëlqente për shembull nëse biem dakord disa prej nesh për të hapur një shkollë së bashku në Tiranë. Ndërsa vetëm është e vështirë të imagjinoj diçka të tillë.

Pra ngelesh i lidhur me Shqipërinë?

Po pa tjetër. Është vendi im. Atje kam prindërit dhe vëllanë. Patjetër që jam i lidhur. Projektet e mia kanë të bëjnë qoftë me Italinë qoftë me Shqipërinë. Nëse në të ardhmen arrihet të ndërtohet diçka e përbashkët do të ishte idealja.

Si e shpjegon faktin që ka kaq shumë inflacion balerinësh nga Akademia e Tiranës? Është ndoshta çështje kulturore e shqiptarëve në përgjithësi?

Është një pyetje që na e bëjnë në përgjithësi shumë gazetarë italianë. Sepse ishte dhe është një shkollë serioze, me një bazë të admirueshme. Çelësi i suksesit është ky. Këtu ka një mori shkollash baleti, ndoshta për një krahinë prej pak milionësh ka 30 shkolla baleti, kurse ne për tre milionë shqiptarë kemi vetëm një. Kështu kur dikush hyn në atë shkollë për të studiuar hyn për tu bërë profesionist. Sepse natyrisht nuk je në gjendje të bësh asgjë tjetër. Nuk mund të bëhesh balerin duke studiuar balet një apo dy herë në javë siç mendojnë në Itali. Duhet një përkushtim dhe një disiplinë e jashtëzakonshme. Kjo është ajo që ofron kjo shkollë. Jep një bazë të fuqishme për baletin klasik.

Po ndoshta është një arsye kulturore? Shpesh balerinët shqiptarë e zbulojnë veten duke kërcyer muzikë folkloristike. Ka peshë në këtë prirje edhe kjo rëndësi që i jep kultura shqiptare vallëzimit?

Pa tjetër, në fakt unë dëgjoj shumë muzikë shqiptare folkloristike, të kërcyeshme. Dhe shpesh herë ua lë ta dëgjojnë edhe miqtë e mi italianë. Është një pjesë e jona shumë e rëndësishme që e marrim me vete dhe që ia vlen ta përhapin edhe në vendet ku jetojmë në mënyrë që të njohin kulturën e vërtetë shqiptare, kulturën e njerëzve. Ndryshe nga ato që mendojnë pas viteve ’90. Kemi tradita dhe një kulturë që reflektohet shumë bukur në muzikën tonë. Miqtë e mi italianë e pëlqejnë dhe e dëgjojnë. Kanë ardhur në Tiranë, kanë parë këtë lloj kulture.

Si e ke ndier veten si shqiptar në Itali?

Unë jam ndier shumë mirë, që në fillim. Më kanë respektuar dhe i kam respektuar të gjithë. Nuk më mbetet veç të jem mirënjohës. Më është dhënë ajo që kam merituar. Personalisht përveç kuesturës dhe problemeve që dihet, për lejen e qëndrimit, nuk kam pasur asnjë lloj problemi tjetër, as me kolegët as në përgjithësi në shoqërinë italiane.

Pra të jesh balerin shqiptar sot në Itali ka një ngjyrim të veçantë apo është njësoj si të jesh një balerin kozmopolit që jeton në këtë vend?

Është një gjë pozitive. Natyrisht gjithçka që ka të bëjë me emrin dhe me suksesin është meritë e punës dhe përkushtimit. Unë nuk u zhgënjeva ndoshta edhe sepse kur erdha nuk kisha iluzione për suksese të lehta. Erdha me idenë për të punuar e për tu përmirësuar. E gjeta veten mirë. Nuk mendoj se ka ndonjë specifikë të veçantë të qenët shqiptar. Të jesh shqiptar ndoshta është njësoj si të jesh francez, apo anglez, apo gjerman, tashmë në balet.

Është përmirësuar shumë imazhi me pak fjalë?

Po patjetër, është e gjitha meritë ë atyre balerinëve që hynë të parët në këtë sferë, si Anbeta, Kledi, Iliri, etj.

Ndërsa ti, përse nuk u bëre pjesë e “Amici”-t?

Po është vështirë ta thuash. Ka një moment të duhur për gjithçka. Ndoshta sepse unë erdha me të tjera objektiva, dhe e gjeta menjëherë rrugën që do të merrja. Ndoshta ngaqë isha i zënë nuk mund të shikoja të tjera mundësi. Nuk e kërkova një mundësi të tillë. Pastaj u angazhova me kompani të mira, me një kontratë të mirë, dhe nuk mendoja se më duhej një gjë e tillë.

Marjola Rukaj

Shqiptari i Italisë i muajit korrik 2009

 

 

Anbeta triumfon si talenti më i madh i “Amici”

Konstandin Leka “Si u bëra i padukshëm”