in

Paderno: 63 vjeçari Scapolan, viktima e parë

Paderno ka tashmë viktimën e parë: më 13 nëntor u nda nga jeta më i moshuari ndër 7 të lënduarit e aksidentit, Sergio Scapolan. Nga të plagosurit shqiptarë është në gjendjen më të mirë është Ferit Meshi, 30 vjeç, që ka djegur vetëm duart në përpjekje për të shpëtuar njërin prej shokëve

Aksidenti i rëndë në Paderno Dugnano të provincës së Milanos, ku shpërthimi në një ndërmarrje kimike ka shkaktuar plagosjen e shtatë punëtorëve, prej të cilëve pesë shqiptarë: Kasem Xhani 21 vjeç, Ferit Meshi 30 vjeç, Leonard Shehu 37 vjeç, Harun Zeqiri, 44 vjeç dhe Erjon Nezha 29 vjeç. Dy italianët, që të dy të shtruar në gjendje të rëndë në spital janë Salvatore Catalano, 55 vjeç, dhe Sergio Scapolan, 63 anni. Scapolan pas 9 ditësh agonie në spital ka ndërruar jetë më 13 nëntor. I djegur në 80% të trupit, gjendja e tij ka mbetur deri në fund shumë e rëndë, aq sa mjekët nuk arritën as ta operonin.

Sot, gjendja shëndetësore më kritike është ajo e 37-vjeçarit Leonard Shehu dhe e 55-vjeçarit Salvatore Catalano që kanë djegie të gradës së tretë në thuajse të gjithë trupin. Të shtruar në spitalin Niguarda të Milanos, po kalojnë ditë të vështira agonie. Mjekët nuk dinë ç’të thonë, po bëjnë të pamundurën por shpresat për ta janë të pakta. “Nga katër të shtruarit këtu – thotë mjeku – Leonardi dhe Salvatore janë në gjendje shumë të rëndë. Në raste të tilla është vështirë të parashikohet ç’mund të ndodhë, por mundësitë për mbijetesë nuk janë të shumta”.
Në gjendje të rëndë ndodhet edhe 44-vjeçari Harun Zeqiri që është dërguar në Torino dhe i wshtw nwnshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Edhe 29-vjeçari Erjon Nezha është në gjendje të rëndë, ka djegie të shkallës së dytë mbi 45% të trupit.
Janë në gjendje më të mirë Kasem Xhani, më i riu ndër të plagosurit, vetëm 21 vjeç, me djegie në 25% të trupit, ende i shtruar por që merr frymë pa aparatura, dhe Ferit Meshi, 30 vjeç, që ka djegur vetëm duart në përpjekje për të shpëtuar njërin prej shokëve, dhe që tashmë ka dalë nga spitali, siç konfirmon për “Botën Shqiptare” edhe i afërmi i tij Fasliu.

Shpërthimi i ferrit
Në orën 14.57 të 4 nëntorit skuadra e punës, e përbërë nga dy italianët e pesë shqiptarët po mbledhin vajra të ngopur dhe lëngje tretëse në kontejnerin e impiantit në rrugën Mazzini 101, në zemër të zonës industriale, në krah të superstradës Milano-Meda. Më i vjetri në moshë është Catalano, mekaniku i grupit, më i riu Kasemi, por sipas kolegëve që të gjithë ishin mjeshtër të zanatit, që po kryejnë një punë që e kanë bërë dhjetëra herë më parë. Por prapa krahëve të tyre papritur njëra nga bombolat e përdorura për të ushqyer flakën oksidrike që shërben për hapjen e baterive të makinave shpërthen, pa e prekur kush me dorë. Një shpërthim i fortë, e më pas një tjetër e një tjetër. Fuçitë e bojërave dhe të vajrave kthehen në bomba me siguresën hequr, zjarri merr dhenë e konsumon ajrin, Temperatura shkon në 120 gradë, shkrin tutat e shtatë punëtorëve dhe i djeg për së gjalli. Janë të vetëdijshëm por nuk mund të lëvizin, me përjashtim të njërit, Feritit, që është më pranë daljes, por që kthehet për të ndihmuar Leonardin që ka më pranë. Në gjysmë orë arrijnë zjarrfikësit që nxjerrin nga ferri i flakëve të shtatë punëtorët, gjendja e të cilëve u pa menjëherë që ishte tejet e rëndë.

Të afërmit “Shteti shqiptar na është gjetur pranë”
Konsulli i përgjithshëm i Shqipërisë në Milano, Nausika Spahia, në kontakt të vazhdueshëm me familjarët dhe mjekët që po ndjekin të plagosurit tregon për “Botën Shqiptare”  ecurinë e gjendjes shëndetësore të të plagosurve: “paradrekën e të premtes kam qenë për disa orë bashkë me Presidentin e Provincës së Milanos, Guido Podestà, në spitalin Niguarda të Milanos ku janë të shtruar tre nga pesë të plagosurit në shpërthimin e fabrikës. E shoqëruar edhe nga drejtori i përgjithshëm dhe drejtori sanitar i spitalit kam vizituar të plagosurit në Terapinë Intensive dhe bisedova me stafin e mjekëve për gjendjen e tyre dhe u sigurova që ata po marrin maksimunin e mundshëm të kujdesit dhe asistencës shëndetësore”.
“Veçanërisht gjendja e njërit prej tyre, Leonard Shehu, 37 vjeç, – shpjegon konsulli Spahia – ishte dhe ngelet edhe në këto çaste tepër kritike me djegie të gradës së tretë në 90% të trupit. Mjekët japin shumë pak shpresë por le të shpresojmë në një mrekulli. Në gjendje të rëndë është edhe Harun Zeqiri i dërguar në spitalin e Torinos. Fatmirësisht, të tjerët janë drejt përmirësimit dhe jashtë rrezikut për jetën”.

Edhe familjarët e të plagosurve, e ndiejnë këtë herë që përfaqësuesit e shtetit shqiptar po u qëndrojnë pranë. Fasli Meshi, i afërm i Ferit Meshit, rrëfen për Botën Shqiptare se “Konsulli Spahia u ka qëndruar pranë familjarëve të të plagosurve, ka qenë e vetmja, përveç familjarëve, që ka hyrë e ka parë djemtë në rianimacion. Di që po ndërhyn edhe për të sjellë këtu të afërmit e disa prej të plagosurve”.
E pyetur mbi këtë pikë, konsulli Nausika Spahia shpjegon: “Kam arritur të ndërhyj për vizën e motrës së Leonard Shehut e cila ndodhet në USA dhe nuk mund të vinte pa vizë në Itali. Fatmirësisht përgjigjja e kolegëve të mi italianë në Konsullatën e tyre të Nju Jorkut ka qenë e shpejtë dhe efikase. Më datë 10 nëntor më kanë shkruar që i kanë dhënë vizën zonjës, madje tashmë ajo duhet të ketë ardhur në Milano”.
“Po ndërhyjmë për pajisjen me vizë edhe të prindërve të Nezhës i cili, sidoqoftë, është jashtë rrezikut për jetën. – Shton konsulli – Kohët janë pak më të gjata sepse ata nuk ishin të pajisur me pasaporta”.

Redaksia
Bota shqiptare 247

Lexo edhe: Përtej xhamit

 

Kultura shqiptare protagoniste në Genova

La nave Vlora sbarca su RAI3