Një fotografi e Mario Sestinit gjatë operacionit Mare Nostrum është përzgjedhur mes dhjetë më përfaqësueset e vitit nga e përjavshmja amerikane. “Dallon dëshpërimin dhe lumturinë e tyre”
Romë, 10 dhjetor 2014 – Edhe një foto italiane është mes dhjetë të përzgjedhurave nga Time për të ilustruar vitin 2014. Dëshmon një shpëtim migrantësh në Kanalin e Sicilisë dhe është bërë në qershor nga Massimo Sestini.
“Ajo barkë e tejmbushur – shkruan e përjavshmja amerikane – është një kompozim i jashtëzakonshëm, që në një fotogramë tregon dëshpërimin dhe rreziqet që dhjetëra mijëra persona nga Lindja e Mesme dhe Afrika përjetojnë për të gjetur një jetë më të mirë në Evropë”. Një përpjekje që për mijëra prej tyre përfundon me vdekjen në det.
“Kam kaluar 12 ditë në anijen Bergamini, një nga ato të përdorura gjatë operacionit Mare Nostrum për shpëtimin e e jetëve të mijëra imigrantëve mes Maltës dhe Afrikës” tregon Sestini. “Në të vërtetë doja të bëja një reportazh mbi këta njerëz të admirueshëm të Marinës që i kushtojnë kohën e tyre shpëtimit të këtyre migrantëve të dëshpëruar”.
“Një ditë, gjatë patrullimit me një helikopter, mbërritëm mbi një nga barkat e migrantëve. Ishin me qindra, 500 në mos më shumë, që tundnin krahët lart duke na thirrur. Mund të dallosh dëshpërimin e tyre por njëkohësisht edhe lumturinë e tyre teksa kuptojnë se po shpëtohen. Nuk është diçka që rastis çdo ditë”.