“Burrnesha”, me regji të Laura Bispurit, i mbështetur mbi romanin Hana të Elvira Donesit, do të konkurrojë për Ariun e Artë në Berlin
“Vergine Giurata” (Burrnesha), filmi i parë i gjatë i regjisores së re italiane Laura Bispuri, e cila bashkë me Francesca Manieri firmos edhe skenarin, do të çojë Shqipërinë në garë për çmimin Ariu i Artë në edicionin e 65-të të Berlinale-s, Festivali Ndërkombëtar i Filmit që do të mbahet nga data 5 deri më 15 shkurt.
I mbështetur në romanin Hana të Elvira Donesit, filmi rrëfen historinë e malsores Hana që për të fituar të gjitha të drejtat e burrave, betohet të ruajë përjetë virgjërinë, të heqë dorë nga feminiliteti i saj e të bëhet burrnesha Mark.
Filmi është bashkëprodhim italian, zviceran, gjerman, shqiptar dhe kosovar. Në rolin e protagonistes Hana/Mark është aktorja e mirënjohur italiane Alba Rohrwacher, përkrah të cilës luajnë edhe aktorët shqiptarë Flonja Kodheli e Bruno Shllaku, dhe kosovarët Luan Jaha dhe Ilire Vinca Çelaj.