Mungojnë më pak se dy muaj nga hapja e sistemit të ri telematik për paraqitjen e kërkesave për shtetësinë italiane. Asnjë provincë nuk do të nisë eksperimentimin e parashikuar fillimisht për në 1 prill.
Romë, 23 mars 2015 – Asnjë prefekturë nuk do të eksperimentojë kanalin telematik të paraqitjes së kërkesave për shtetësinë italiane nga 1 prilli. Procedura e re online do të debutojë më 18 maj në mbarë Italinë dhe për një muaj do të jetë e vlefshme qoftë mënyra tradicionale e dorëzimit personalisht e dokumentacionit qoftë kjo e reja. Më pas, nga 18 qershori, kanali i ri i paraqitjes online të kërkesave do të jetë i vetmi që do të mund të përdoret.
Fillimisht u mendua për një nisje eksperimentale të kësaj praktike për shkak se vetë prefekturat e provinncave Alessandria, Aquila, Cuneo, Firenze, Mantova, Modena dhe Novara kishin pohuar se në to procedura do të fillonte më 1 prill. Por tani bëjnë të ditur se edhe atje do të niset më 18 maj.
“1 prilli ishte data e caktuar fillimisht nga ministria e Brendshme. E komunikuam në pritje të specifikimeve teknike mbi sistemin e ri. Këto nuk mbërritën në kohë, e me sa duket ka pasur një shtyrje. Ne nuk do të bëjmë eksperimentime, do të nisim më 18 maj bashkë me pjesën tjetër të Italisë” shpjeggojnë për Stranieriinitalia.it nga prefektura e Firences.
E njëjta gjë edhe në provincat e tjera, ku mendohej se sistemi do të niste në mënyrë eksperimentale. “Bëhet e ditur se ministria e Brendshme ka komunikuar – lexohet në sitin e Prefekturës së Modenës, për shembull, – se nisja e paraqitjes online e kërkesave èër shtetësinë është shtyrë nga 1 prilli 2015 më 18 maj 2015”.
Nga ana tjetër, hapja e kanalit telematik në të njëjtën kohë në të gjithë Italinë është koherente me vetë sistemin që faktikisht është i centralizuar. Në mbarë Italinë, kërkesat do të përpilohen online, pasi i interesuari të regjistrohet dhe të lidhet me një seksion të posaçëm të faqeve internet të ministrisë së Brendshme.
Lexo edhe: Shtetësia italiane. Rreth 60 mijë shqiptarë janë betuar para flamurit tringjyrësh
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)