in

Huliganët e Kukësit si sjellës të fatkeqësisë

Ironia e asaj që ndodhi të enjten në mbrëmje në stadiumin Qemal Stafa është se vjen menjëherë pasi Shqipëria mori tre pikët e famshme të shpërblimit pas asaj që kishte pësuar tetorin e shkuar në Beograd. Për 9 muaj me radhë kërkuam të drejtën sepse kishim qenë viktima të dhunës, verbale, fizike dhe pasigurisë në stadium. Dhe pasi kompesohemi për këtë, një grusht huliganësh nga Kukësi tregojnë se janë të aftë të sillen po aq kafshërisht sa edhe serbët e stadiumit të Partizanit në Beograd
Nga T. Çela

Ajo që ndodhi të enjten në mbrëmje në stadiumin «Qemal Stafa» nuk ishte një rastësi. Ky precedent i ndërprerjes për herë të parë të një ndeshjeje ndërkombëtare në Shqipëri, si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj kundërshtarëve, nuk është episod që duhet marrë lehtë. Ai nuk mund të jetë viktimë e debatit të sapo nisur nëse futbollisti polak Ondrej Duda, u godit me gurë apo me çakmak. As i polemikave nëse sherri u nis fillimisht nga kuksianët apo nga tifozët polakë të njohur edhe nga UEFA si provokatorë.

Ai është një debat më serioz se kaq. Ai është një debat që ka të bëjë pikë së pari me sigurinë e mjediseve tona sportive, sidomos në ndeshje ndërkombëtare. Kush e ka ndjekur të enjten në mbrëmje ndeshjen e Kukësit me Legian e Varshavës, mund të ketë mbetur i çuditur me vendimin e gjyqtarit Staffan Klossner për të anulluar atë. Pas goditjes, mjekët ia fashuan kokën Dudës. Ai u bë gati për t’u rifutur në fushë dhe në pamje të parë asgjë nuk dukej kaq dramatike. Me dhjetëra herë në kampionatin shqiptar ne kemi parë skena dhune shumë më makabër dhe kafshëri të niveleve shumë më të larta. Pra, paralajmërimin se stadiumet tona nuk janë oaze paqeje e kemi marrë me kohë. Por ja që me strandardet europiane ndjeshmëria ndaj dhunës nuk është e njëjtë me atë që aplikohet në këto anë.

Arbitri i ndjeshjes nuk e ndërpreu atë vetëm për kokën e fashuar të Ondrej Dudës, por për mungesë sigurie në stadium. Dhe episodet për të përligjur këtë nuk mungojnë. Përgatitja e kësaj ndeshjeje ka dështuar plotësisht.

Nga njëra anë megjithëse ishin paralajmëruar nga UEFA, për rrezikshmërinë e tifozëve të Legias së Varshavës, organizatorët e takimit i vunë ata shumë pranë atyre kuksianë. Përleshja midis dy palëve u bë më pas shkak edhe për goditjen e lojtarëve në fushë. Dhe të mendosh se sa tifozë ishin: vetëm 200 polakë dhe disa pak mijëra shqiptarë.

Një episod i dytë është ai i parrullave që u shfaqën në shkallët e stadiumit “Qemal Stafa». Si ato me fundin e jetës së tifozëve kundërshtarë si ato me ngjyrim etnik (“Unë nuk jam sllav, jam shqipëtar”) tregojnë të njëjtën gjë: organizatorët nuk e kishin situatën në kontroll duke lejuar mesazhe të tilla të papranueshme nga UEFA.

Por edhe jashtë stadiumit nuk ishte më mirë. Fotot që po shfaqen në mediat online për dhunën ndaj polakëve të organizuar nga tifozët e Kukësit me ndihmën e atyre të Prishtinës, janë shenja më e mirë se gjithshka që kishte të bënte me sigurinë e kësaj ndeshjeje të Euro ligës ishte lënë në dorë të zotit.

Mjaftojnë këto tre episode, pra, për të vërtetuar se vendimi i gjyqtarit qe i drejtë dhe përpara se ta humbte ndeshjen në fushë, Kukësi e kishte humbur atë në organizimin e saj.

Por ironia e asaj që ndodhi të enjten në mbrëmje është se ajo vjen menjëherë pasi Shqipëria mori tre pikët e famshme të shpërblimit pas asaj që kishte pësuar tetorin e shkuar në Beograd. Për 9 muaj me radhë ne u ankuam dhe bëmë paqësorin. Për 9 muaj me radhë ne kërkuam të drejtën sepse kishim qenë viktima të dhunës, verbale, fizike dhe pasigurisë në stadium. Dhe pasi kompesohemi për këtë, një grusht huliganësh nga Kukësi tregojnë se janë të aftë të sillen po aq kafshërisht sa edhe serbët e stadiumit të Partizanit në Beograd. 

Në këtë kuptim kjo ndeshje futbolli e dorës së tretë tregoi edhe njëherë se sa e lehtë është të rrëzohet klisheja e “shqiptarit të mirë” dhe “sllavit të keq”. Por mbi të gjitha ajo tregoi gjithashtu se sa e lehtë është që ne të vihemi në pozitën e atyre që anatemuam për 9 muaj.

Duke pasur parasysh një pjesë të tifozërisë sonë jo civile (disa herë të konfirmuar në kampionatin shqiptar), duke pasur parasysh se kokënxehtësia e tyre mund të nxitet edhe më shumë nga tregtarë flamujsh që duan të bëjnë tregti me imazhin e Ballistit, duke ditur se sa të papërvojë jemi në organizimin e veprimtarive të tilla, nuk është çudi që të ndodhë ajo që ndodhi.

Dhe thënë këtë, mendja të shkon tek ndeshja e kësaj vjeshte kundër serbëve. Tek fakti se sa e lehtë është t’u kthejmë atyre reston. Të vëmë shenjën e barazimit. Në këtë kuptim ajo që bënë huliganët kuksianë, më shumë sesa një precedent i panjohur më parë është një paralajmërim i madh. Falë tyre dhe skandalit që ata shkaktuan, askush nuk ka më justifikim për ngjarjet që do të vijnë. Situata të ngjashme nuk mund të shmangen me besimin e verbër se shqiptarët janë më të mirë se serbët, por thjesht me rritjen e masave të sigurisë në stadiumet tona.  Botuar në Lapsi.al

Venecia. Një kg kokainë e 600 gr heroinë në makinë, arrestohet

Studimi i Harvardit: “Diaspora, burim me rëndësi për zhvillimin e Shqipërisë”