Rrogat e 13-ta të këtij viti do të shkojnë për të paguar shpenzimet fikse që rëndojnë mbi familjet, të varfëruara nga kriza. Këtë thotë sondazhi i CGIA-së i Mestres, sipas të cilit qiratë, kreditë e shtëpive, sigurimet e makinave dhe drita ujë e gaz do të gllabërojnë mëse gjysmën e rrogës shtesë që çdo vit në dhjetor arrin në xhepat e të gjithë punonjësve të varur.
Vetëm 15% do të kursehet apo do të investohet, më pak se 30% do të prishet për blerje të ndryshme, dhurata e udhëtime. Reduktimi i konsumit në një periudhë të vitit që zakonisht u kushtohet shpenzimeve nuk do të ndihmojë ekonominë italiane të rimëkëmbet.
Këtu e ka burimin propozimi, deri më sot i padëgjuar, për të mos taksuar rrogën e 13-të, të paktën për punonjësit më në vështirësi. Zgjedhje e mbështetur edhe nga shoqatat e konsumatorëve, që kërkojnë edhe nisjen në dhjetor të sezonit të zbritjeve të çmimeve, që zakonisht nis në janar.