in

Derdhin kontribute e nuk marrin pension. Dhurata e imigrantëve Italisë

Presidenti i INPS-it Tito Boeri: “Janë 3 miliardë euro nga kontribute të patërhequra të imigrantëve të kthyer në atdhe, të cilave mund t’u shtohen edhe 12 miliardë të tjera gjithnjë nga imigrantët që një ditë do të vendosin të kthehen në atdhe e të mos mund të përfitojnë asgjë nga kontributet e derdhura. T’i përdorim për integrimin”

Romë, 30 shtator 2015 – Një thesar prej 15 miliardë eurosh të falura Italisë, shumë të cilës i shtohen çdo vit nga 375 milionë euro të tjerë. Janë kontributet shoqërore që punonjësit e huaj nuk do të mund të marrin mbrapsht në formë pensioni.

I bën këto llogari presidenti i institutit italian të sigurimeve shoqërore INPS, Tito Boeri. Në fakt, një pjesë e prezantimit të Raportit “Worldwide INPS” u dedikohet “imigrantëve që derdhin kontributet në Itali e më pas kthehen në vendlindje pa marrë, apo më mirë, pa pasur mundësi të marrin, pension nga INPS. Një fenomen që ai e quan “social free riding”. 

Ligji dallon dy situata:

– punonjësi i huaj i riatdhesuar, me kontribute të derdhura që para 1 janarit 1996, për të marrë pension duhet të përmbushë, veç kriterit të moshës, edhe kriteret siguruese dhe kontributive të kërkuara për punonjësit në përgjithësi;

– të siguruarit nga 1 janari 1996 mund të përfitojnë një pension pleqërie (me përjashtim të pensionit të paradhënë) me mbushjen e 66 vjeçëve (plus muajt e shtuar sipas pritshmërisë së jetëzgjatjes), edhe pa përmbushur kriteret e kontributeve minimale.

Boeri shpjegon se “personat me shtetësi jo italiane të lindur para vitit 1949 (pra ata me moshë mbi 66 vjeç e 3 muaj), me contribute INPS, që deri më sot nuk kanë marrë (personalisht apo familjarët e mbijetuar) pensione INPS e nuk kanë  pasur as rimbursim të kontributeve të derdhura, janë 198.430 (nga 927.430 gjithsej, pra 21%). Kanë derdhur kontribute që të llogaritura sot sipas rregullave të sistemit kontributiv, kapërcejnë shumën e 3 miliardë eurove. Është një fenomen akoma në rritje edhe pse për të regjistruarit e rinj nga viti 1996 nuk kërkohet më vjetërsi kontributive për të përfituar pension pleqërie me mbushjen e 66 vjeçëve (plus muajt e shtuar sipas pritshmërisë së jetëzgjatjes)”.

Janë pastaj punonjësit e lindur nga 1949 deri në 1981. Këta breza nuk kanë arritur akoma të plotësojnë kriteret për pension pleqërie. Edhe prej këtyre mund të mbesin në arkat e INPS-it 12 miiardë euro

“Ka 4,2 milionë llogari kontributive të para 1996-tës, pra që duhet të përmbushin kriteret kontributive minimale. Këto – lexohet akoma në prezantimin e raportit – kanë kontribuuar me një shumë që, e kapitalizuar sot, vlen për më shumë se 56 miliardë. Nëse konsiderojmë si më lart që 21% nuk merr pension, kjo do të thotë që sot kemi rreth 12 miliardë euro kontribute që nuk do të krijojnë pensione”.

Gjatë viteve të fundit, nënvizon president ii INPS-it, “të huajt derdhin mesatarisht nga 7 deri në 8 miliardë euro kontribute. Sikur edhe vetëm 5% (kundrejt 21% që ishte për të lindurit përpara vitit 1949) e këtyre kontributeve të mos përdoren për pensione, do të kemi një fluks “free riding” vjetor prej rreth 375 milionë eurosh që kapitalizohet me kalimin e kohës”.

Ç’të bëhet me gjithë këto para? Boeri thotë të tijën: “Përse të mos krijojmë një fond për të investuar në politika integrimi të imigrantëve?

Ali Veliu, medalje ari dhe rubini nga AVIS. Dhuron gjak prej 25 vitesh

Taksa mbi lejet e qëndrimit. Nisin kërkesat e imigrantëve për rimbursimin e saj