in

Puna në të zezë, në fuqi gjoba më të kripura: deri në 43 mijë € për punonjës

Gjobat 20% më të larta nëse punonjësi është i huaj pa leje qëndrimi. Botohet dekreti zbatues i Jobs Act që ka përcaktuar sanksione të reja

Romë, 28 shtator 2015 – Prej sa kohësh zgjat marrëdhënia e punës? Sa punonjës janë? E kanë lejen e qëndrimit nëse janë të huaj? Nga këta faktorë varen maksi-gjobat e reja kundër punës në të zezë, të sapoardhura në fuqi.

Risia, që nuk ka të bëjë me punën pranë familjeve, gjendet në një prej dekreteve zbatuese të reformës së punës (e njohur si Jobs Act), që i kushtohet “Thjeshtëzimit të procedurave e detyrimeve në ngarkim të qytetarëve dhe sipërmarrjeve”. Teksti (dekreti legjislativ nr. 151 i 14 shtatorit 2015 është botuar në Gazetën Zyrtare më 23 shtator.

Parashikon që “në rast punësimi punonjësish të varur pa komunikimin paraprak të lidhjes së marrëdhënies së punës nga anë e punëdhënësve, me përjashtimin e vetëm të punëdhënësve familjarë” të aplikohen gjobat administrative të mëposhtme:

a)    nga 1.500 euro deri në 9.000 euro për çdo punonjës të parrëgullt, në rast të marrjes në punë të punonjësit deri në 30 ditë pune efektive;
b)   nga 3.000 euro deri në 18.000 euro për çdo punonjës të parrëgullt, në rast të marrjes në punë të punonjësit nga 31 deri në 60 ditë pune efektive;
c)    nga 6.000 euro deri në 36.000 për çdo punonjës të parregullt, në rast të marrjes në punë të punonjësit për më shumë se 60 ditë pune efektive”.

Në këto raste, që kanë të bëjnë qoftë me punonjës italianë, qoftë me imigrantë me lejeqëndrim të rregullt që lejon punësimin, punëdhënësi mund të zgjedhë të paguajë minimumin e gjobës (1.500, 3.000 ose 6.000 euro) vetëm nëse punëson me kontratë të rregullt punonjësin për kohë të pakufizuar (me orar të plotë (full time) apo të reduktuar (part time) në minimum 50%) ose për kohë të kufizuar (në këtë rast vetëm me orar të plotë), dhe vetëm nëse e mban në punë për të paktën tre muaj.

Por, nëse punonjësi i parregullt nuk ka leje qëndrimi të vlefshme për të punuar, ose është i mitur që nuk ka akoma moshën për të punuar, këto do të konsiderohen rrethana rënduese. Në të tilla raste, jo vetëm që punëdhënësi nuk mund të punësojë (e as të paguajë minimumin e gjobës), por gjoba rritet me 20%, kështu që, sipas kohëzgjatjes së marrëdhënies së parregullt të punës, gjoba mund të arrijë deri në 10.800, 21.600 dhe 43.200 euro.

Stranieriinitalia.it/Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Verona. Arrestohet Artur Petushi për trafikim droge

Romë. Arrestohet Antonio Muho, në kërkim ndërkombëtar për trafikim lëndësh narkotike