in

Presidenti Nishani thirrje shqiptarëve: “Mos e braktisni vendin”

Në pritjen e organizuar me rastin e 28 Nëntorit: “Kur politikanët të bëjnë shtetin, rrezik të ketë shumë pak qytetarë në Shqipëri”

 

Romë 30 nëntor 2015 – Nëse deri tani qeveria sikur e anashkalon problemin e valës së re të largimeve të shqiptarëve drejt vendeve evropiane, presidenti Bujar Nishani, duke u bërë thirrje shqiptarëve të mos largohen, e pranon hapur rihapjen e kësaj plage.

Në fjalën e tij në ceremoninë në Pallatin e Brigadave gjatë festimeve të festës së Pavarësisë, Nishani kujtoi mes të tjerash 25 vjetorin e rënies së regjimit, arritjet e deritanishme por edhe betejat e shanset e humbura: “Janë 25 vite lirie gjatë të cilave jemi ringritur, jemi përballur me sfida, kemi pasur rezultate, kemi bërë hapa të rëndësishëm në integrimin e vendit, si anëtarësimi në NATO, lëvizja e lirë pa viza e qytetarëve, marrjen e statusit të vendit kandidat në  Bashkimin Evropian  si edhe progres të brendshëm në disa fusha. Gjithashtu  edhe kemi humbur beteja, kemi humbur edhe shanse. Gjatë këtyre viteve i kemi mbetur  borxh dekomunistizimit të vendit, nderimit për heronjtë,  disidentët, martirët, të përndjekurit dhe viktimat e sistemit totalitar që u mund nga liria, si vullnet i këtij populli dhe u la pas për të mos e harruar e për të mos e përsëritur”.

Menjëherë më pas, ndoshta duke e parë të lidhur me dështimet e deritanishme, me zbehjen e shpresës, ai foli për valën e re të largimeve, duke ftuar politikanët të punojnë me ndershmëri e patriotizëm e qytetarët që të mos e braktisin vendin, në të mirë të Shqipërisë: “Dikur mbi këtë truall kishte shqiptarë, por nuk kishte shtet. Nëse do punojmë keq, pa krenari patriotike, pa përgjegjshmëri politike, pa ndjeshmëri njerëzore dhe qytetare, nuk është çudi që pas ca kohësh mund të kemi shtetin, por mbi truallin tonë të kenë mbetur më pak shqiptarë. Të bëjmë çmos që kjo të mos ndodhë. Unë i ftoj bashkëqytetaret e mi të mos e braktisin Shqipërinë  sepse me përpjekjet e të gjithëve mund ta shndërrojmë në vendin që duam.

Këtu gjeni fjalën e plotë të mbajtur nga presidenti Nishani më 28 nëntor.

 

Mario Peqini: “Falënderoj prindërit që më mësuan vlerën e të qenit gjithnjë i thjeshtë”

#AlPostoGiusto. Quando Rosa Parks, dal sedile di un autobus, gridò che siamo tutti uguali