Tiranë, 15 dhjetor 2010 – Një grup studentësh, pedagogësh dhe gazetarësh nga mediat shqiptare për herë të parë kaluan mëngjesin e sotëm pa viza kufirin, që prej vitesh e ka ndarë Shqipërinë nga Europa.
50 qytetarë, një pjesë e të cilëve nuk kanë udhëtuar asnjëherë më parë drejt Europës, udhëtuan mëngjesin e së mërkurës nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës drejt Brukselit, në ditën simbol, dita e parë e hyrjes në fuqi të vendimit të Bashkimit Europian për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen.
Të shoqëruar nga Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha grupi i studentëve dhe gazetarëve po priten në takime të veçanta nga përfaqësues të lartë të Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit Europian.
Vizitorët nga Shqipëria zhvilluan sot një takim me Komisionerin për Zgjerimin të Bashkimit Europian Stefan Fule, Kryetarin e Delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Europian, Eduard Kukan dhe eurodeputetet Doris Pack e Tanja Fajon. Me një videomesazh do të përshëndesë këtë takim edhe Presidenti i Parlamentit Europian, Jerzy Buzek.
Nesër grupi i kryesuar nga ministri Basha do të vijë në Romë e do të takojë ministrin e Jashtëm italian Franca Frattini. Më pas do të vizitojë Campidoglio-n (selinë e bashkisë) dhe muzetë e kryeqytetit italian.