Tiranë 17 dhjetor 2010 – Temperaturat e ulëta dhe reshjet e dëborës kanë përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit. Sot edhe rrugët e Tiranës janë zbardhur nga dëbora. Në orën 07.00, dëbora nisi të bëhet më intensive duke zbardhur gjithë kryeqytetin. Qytetarët i gëzoheshin bardhësisë së dëborës në kryeqytet, pasi ky fenomen nuk është i përvitshëm për Tiranën sikurse ndodh në qytetet në veri dhe jug të vendit. Për shkak edhe të temperaturave të ulëta dhe ngricave të krijuara, në disa rrugë të Tiranës ka pasur edhe vështirësi në qarkullimin e automjeteve.
Durrës – Edhe në qytetin bregdetar të Durrësit ka nisur të bjerë borë që në orët e para të mëngjesit. Gjatë natës temperaturat e ajrit në qytetin bregdetar zbritën nën kuotën zero gradë dhe reshjet e borës nisën shtruar sot paradite. Bora mungonte prej vitesh në Durrës dhe pamja e saj ka shkaktuar hare veçanërisht tek të rinjtë. Rrugët e mbuluara nga bora kanë krijuar problemet e para për drejtuesit e automjeteve që nuk kanë përvojë në kushte të tilla moti. Specialistët e policisë rrugore bëjnë apel për kujdes në drejtimin e automjeteve dhe punonjësit e këtij sektori po monitorojnë me kujdes akset kryesore rrugore si dhe kryqëzimet rrugore të qytetit me 210 mijë banorë.
Vlorë – Reshjet e dëborës që ranë paraditen e sotme, kanë zbardhur kodrat që qarkojnë qytetin e Vlorës, fshatin Kaninë dhe zona të tjera në Lumin e Vlorës. Reshjet kanë zgjatur për rreth 30 minuta në të gjithë territorin, por nuk mundën të zbardhin qytetin, ndërsa në lartësinë 200 metra mbi nivelin e detit dhe në vazhdim, dëbora mjaftoi sa të krijojë një bardhësi që i mungonte qytetit prej së paku tre vjetësh.
Në rrugën që të çon në fshatin Kaninë, në një nga kodrat dominuese mbi qytet, për më shumë se 30 minuta u bllokua edhe qarkullimi, për shkak të shtresës së dëborës prej disa centimetrash në rrugë. Tashmë vargu i automjeteve është vënë serish në qarkullim, por duke lëvizur ngadalë.
Ndërkaq dhjetëra qytetarë vlonjatë kanë nxituar të shkojnë në këtë fshat dhe zona të tjera përreth për të shijuar bardhësinë e dëborës.
Elbasan – Dëbora e rënë ditët e fundit si edhe rrugët me ngrica kanë shkaktuar ndërprerjen e mësimit në disa zona malore të qarkut të Elbasanit. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Arsimit, Mati Çela, tha për ATSH-në se, “si pasojë e reshjeve të dëborës dhe ngricave në rrugët rurale, është e pamundur që të qarkullosh me mjete. Kjo ka bere qe mësuesit në fshatrat e Librazhdit si Orenjë, Bardhaj, Stravaj, Polis, Vilan, Lunik, Stëblevë, Strajsh etj, ka thuajse dy ditë që nuk zhvillojnë mësim“. Edhe në disa komuna të rrethit të Gramshit nuk zhvillohet mësim si pasojë e reshjeve të dëborës dhe ngricave. Qafë Kërraba, rruga që lidh Elbasanin me Tiranën, është e kalueshme me zinxhirë.
Korçë – Rajoni i Korçës është përfshirë nga temperaturat e ulëta, dëbora dhe akulli. Temperatura më e ulët në këtë qytet ka qenë -10 gradë celsius, ndërsa në qytetin e Ersekës, -12 gradë celsius, në fshatrat turistikë të Dardhës dhe Voskopojës, -14 gradë celsius, dhe në fshatin Sheqeras, -18 gradë celsius. Akset rrugore Kapshticë- Korçë, Korçë-Pogradec, Pogradec-Qafëthanë dhe Korçë-Ersekë, janë të kalueshme, ndërsa vështirësi për qarkullimin e automjeteve ka në Qafë-Thanë, Qafë-Plloçë dhe Qafën e Qarrit, ku për shkak të temperaturave të ulëta, ka shtresa akulli dhe automjetet mund të qarkullojnë vetëm me zinxhirë.
Kukës – Reshje të dendura bore përfshinë mëngjesin e sotëm rrethin e Kukësit, duke vështirësuar lëvizjen e mjeteve. Trashësia e borës në qytet kaloi 5 centimetrat që në mëngjes ndërsa në zonën rurale trashësia ka kapërcyer edhe 40 centimetra. Për mbajtjen nën kontroll të situatës janë në punë nga ndërmarrja e rrugëve 5 borëpastruese, një ekskavator dhe 2 kamionë. Në kushtet kur bora vazhdon të bjerë ato janë vënë në punë kryesisht për mbajtjen hapur të akseve kryesore rrugore, ku lëvizja e mjeteve është vështirësuar nga akulli dhe bora. Akset kryesore rrugore si Morin – Kukës – Tunel, Krumë – Kukës e Krumë – Qafë Prush janë të hapura, ndërsa lëvizja e mjeteve bëhet vetëm me zinxhirë.
I gjithë vendi është përfshirë nga reshje të dendura dëbore, ndërsa temperaturat shënojnë disa gradë nën zero duke sjellë vështirësi për drejtuesit e mjeteve. Ministria e Transporteve si dhe efektivë të policisë rrugore njoftojnë se në akset rrugore të qarqeve Kukës, Dibër, Korçë, Elbasan, qarkullimi i mjeteve është i detyrueshëm të kryhet vetëm me zinxhirë. Situata paraqitet më problematike në veri dhe juglindje të vendit.
Akset më problematike janë Kukës-Qafë Mali, Kukës-Peshkopi, Krumë-Bajram Curri, Bajram Curri-Qafë Mali, ku për shkak të temperaturave të ulëta qarkullimi i mjeteve është vështirësuar shumë. Aksi kombëtar Kukës-Tiranë paraqet shumë vështirësi dhe është i kalueshëm vetëm me zinxhirë. Problematike paraqiten edhe akset rrugore te Korçës, si dhe është bllokuar aksi rrugor në Qafën e Llogarasë, ndërkohë që Qafë Kërraba është e kalueshme me zinxhirë.