in

Karta e qëndrimit që u hiqet të papunëve. Për ministrinë e Brendshme çështja është mbyllur

Ministria e Brendshme thotë që ndodhte vetëm në Milano, kështu që ishte “e panevojshme” një qarkore që t’u shpjegonte të gjitha kuesturave që kjo nuk bëhet. Po a është vërtet kështu?

Romë, 23 shkurt 2016 – A mund t’u hiqet karta e qëndrimit atyre që nuk kanë më të ardhura sepse kanë humbur vendin e punës? Ligji dhe gjykatësit thonë jo, ministria e Brendshme thotë që “ndodhte kështu vetëm në Milano, por tani nuk ndodh më”.

Nëse është vërtet kështu, është lajm i mirë për mijëra imigrantë. Viktimat e krizës ekonomike nuk do të rrezikojnë më që, veç rrogës, të humbasin edhe kartën e qëndrimit, fitore shumë e rëndësishme tek e cila arrihet pas të paktën pesë vjetëve me lejeqëndrim të rregullt, pasi të kalohet test ii gjuhës e të haguhen 200 euro.

Le të bëjmë një hap pas. Karta e qëndrimit, që sot quhet lejeqëndrim BE për qëndrues afatgjatë, është e përhershme, por çdo pesë vjet duhet përditësuar: fotografitë, shenjat e gishtërinjve, gjendja civile e adresa. Gjatë përditësimit, në Milano ngrihej edhe kurthi: Kuestura pretendonte që mbajtësi të tregonte sërish se përmbushte të njëjtat kritere të ardhurash të nevojshme për lëshimin e parë të këtij dokumenti, përndryshe ia hiqte.

Korrikun e shkuar TAR i Milanos, pranoi ankimin e paraqitur nga një imigrant nga Sri Lanka dhe ANOLF Cisl dhe u shpreh se kjo praktikë nuk mund të ndiqet. Qoftë normat evropiane, qoftë teksti unik mbi imigracionin, shpjegoi gjykatësi, thonë që karta e qëndrimit mund t’i hiqet të huajit vetëm nëse “është i rrezikshëm për rendin publik dhe sigurinë e shtetit, e jo thjesht për mungesë të ardhurash”.

Por përpara asaj sentence, meqë ishin në lojë normat evropiane, ANOLF Cisl e kishte ngritur çështjen në Bruksel, duke i kërkuar Komisionit Evropian të shprehej mbi këtë aspekt. Më 27 janarin e shkuar Drejtoria e Përgjithshme e Migracionit dhe e Çështjeve të Brendshme u përgjigj, duke shpjeguar që rasti duhej konsideruar i mbyllur. “Autoritetet italiane – shkruan përgjegjësja e kësaj drejtorie Laura Corrado – na informuan se ishte fjala vetëm për raste të veçanta në Milano e që u zgjidhën me sentencën e TAR të Lombardisë”.

Ajo që informoi Komisionin Evropian mbi këtë çështje ishte ministria e Brendshme e në veçanti Dretoria Qendrore e imigracionit dhe e policisë së kufirit. Në një komunikatë të 20 nëntorit 2015, prefekti Giovanni Pinto shkruante që i ishte dhënë “konsiderata më e lartë” asaj sentence dhe që Kuestura e Milanos kishte “marrë masat t’u jepte dispozita të sakta të gjitha strukturave të saj të pranishme në territorin e Milanos”.

Në fakt, që në 29 korrik 2015 Kuestura e Milanos u kishte nisur një qarkore të gjitha komisariateve të provincës me të cilën u shpjegonte se nuk mund t’u hiqnin më kartën e qëndrimit të huajve për mungesë të ardhurash. Por në pjesën tjetër të Italisë nuk kishte mbërritur gjë. “Kjo Drejtori – shpjegonte akoma Pinto në atë komunikatë – e konsideroi të panevojshme shpërndarjen e qarkores që u interesonte të gjitha strukturave (Kuesturave, është fjalë) në nivel kombëtar, pasi problemi qëndronte vetëm në provincën e Milanos”.

Po vërtet nuk ka të tjera Kuestura me të njëjtin “problem”? REdaksisë sonë i rezulton që ka ndodhur për shembull edhe në Romë, Coordinamento Migranti e Emilia Romagnas tregon se Kuestura e Modenës u heq kartën e qëndrimit atyre që nuk kanë të ardhura e për këtë arsye ka dalë disa herë në shesh për të protestuar kundër kësaj e të tjera praktikave të padrejta të ndjekura nga kuesturat.

“Edhe neve na kanë mbërritur sinjalizime nga të katër anët e Italisë” konfirmon për Stranieriinitalia.it Maurizio Bove, President i ANOLF Cisl Milano. “Jemi të kënaqur nga përgjigjja e Brukselit po ashtu edhe për faktin që në Milano situate u zgjidh, edhe pse u detyruam t’i drejtoheshim gjykatës që kjo të ndodhte. Por nuk na duket aspak “e panevojshme” që ministria e Brendshme t’i japë udhëzime të gjitha Kuesturave në këtë aspekt”.

“Një nga problemet e mëdha në administrimin e imigracionit në Itali – nënvizon Bove – është pikërisht interpretimi dhe aplikimi jo gjithandej njësoj i normave. Tashmë është mëse e qartë që nuk mund të hiqet karta e qëndrimit për motive të ardhurash dhe ministria e Brendshme duket se nuk ka asnjë kundërshtim. Në këtë pikë është urgjente një qarkore që të sqarojë njëherë e mirë të gjitha Zyrat për të huajt të Kuesturave në mbarë Italinë”.

Ndërkaq çështja është çuar edhe në Parlament. Për të hedhur dritë mbi sjelljen e Kuesturave, nëntorin e shkuar deputetja PD Marilena Fabbri ka paraqitur kërkesë për seancë dëgjimore të ministrit të Brendshëm. Kanë kaluar tashmë katër muaj por Angelino Alfano akoma nuk ka gjetur kohë të përgjigjet.

Elvio Pasca

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

 

Emiliano Biraku, kryetari i qarkut PD të Qendrës historike të Venecias

Kam marrë shtetësinë italiane. A mund të mbaj prindërit në Itali?