Megjithëse qeverisë italiane i kërkohet prej kohësh të ulë çmimin, një pjesë e mirë e imigrantëve paguajnë nga 150 deri në 270 euro për të pasur lejen e qëndrimit
Prej katër vjetësh, të jesh imigrant i rregullt në Itali kushton shtrenjtë, kjo falë vënies së kontributit për lëshimin e përtëritjen e lejes së qëndrimit. Prej gjashtë muajsh, Gjykata evropiane e Drejtësisë është shprehur qartë se shuma e saj është “e tepruar”, përbën “pengesë” për të drejtat e imigrantëve, nuk përputhet me normat evropiane. Me pak fjalë është një barrë e padrejtë në kurriz të imigrantëve që qeveria duhet të reduktojë. Por deri më sot është akoma në fuqi, megjithë sentencën e gjykatës evropiane, megjithë kërkesat nga Parlamenti në drejtim të Qeverisë që kjo e fundit të marrë masat për të zbatuar sentencën.
Ja sa është taksa (që në të vërtetë quhet kontribut)që shumëfishoi çmimin e dokumentit të qëndrimit.
Shuma e saj ndryshon në bazë të kohëzgjatjes së lejes së qëndrimit që kërkohet:
80 euro nëse është nga 3 muaj deri në një vit;
100 euro nëse është mbi një vit deri në 2 vjet;
200 euro nëse është fjala për lejeqëndrimin BE për qëndruesit afatgjatë (kartën e qëndrimit).
Nuk duhet të paguajnë këtë taksë vetëm disa kategori të huajsh:
të miturit;
ata që vijnë në Itali për trajtim mjekësor dhe shoqëruesit e tyre;
kush kërkon azil, mbrojtje plotësuese ose motive humanitare (gjë që nuk vlen për familjarët e tyre);
kush kërkon përditësimin ose konvertimin e një lejeje akoma të vlefshme (gjë që nuk vlen për ata që kërkojnë duplikatën e lejes së qëndrimit).
Për të qenë më të saktë, duhet thënë që kjo taksë nuk është e vetmja shumë që paguajnë imigrantët për dokumentin e qëndrimit. Ajo u duhet shtuar 27,50 eurove që shkojnë për të prodhuar lejeqëndrimin elektronik, 16 eurove të pullë-taksës që i bashkangjitet kërkesës dhe 30 eurove që shkojnë për shërbimin postar.
Me pak fjalë, shumicës së imigrantëve në Itali, dokumenti i qëndrimit u kushton nga 151,50 euro, për atë me kohëzgjatje vetëm një vit, 171,50 euro për atë me kohëzgjatje deri në dy vjet, dhe 271,50 euro kur marrin kartën e përhershme. Shuma është tejet e lartë, veçanërisht për familje me dy a më shumë pjesëtarë në moshë madhore. Për ta, sentenca e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë ishte një lajm shumë i mirë, por deri sa Qeveria Renzi të vendosë të zbatojë, kushedi edhe sa muaj të tjerë do të kalojnë. Ndërkohë, imigrantët duhet të paguajnë.
KB
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)