Dënohet 60-vjeçari Antonio Pandolfi për vrasje nga pakujdesia, simulim, shpifje, favorizim të emigracionit klandestin dhe mosmarrje e masave të sigurisë në vendin e punës. Kur Arben Rexha humbi jetën në vendin e punës, Pandolfi kish deklaruar se shqiptari kishte pasur një aksident automobilistik
Arben Rexha ishte 41 vjeç kur gati pa jetë u çua në spitalin e Civita Castellana (Viterbo), ku vdiq më 1 shtator të vitit 2003. I shoqëruar nga të afërmit e Antonio Pandolfi, një sipërmarrës i vogël i zonës, Arbenin e kishin deklaruar si viktimë të një aksidenti rrugor, por plagët dhe traumat në trupin e tij nuk përputheshin më aksidentin. Prandaj personeli shëndetësor hodhi hipotezën e një të vërtete tjetër, asaj të “plagëve të shkaktuara nga një aksidenti gjatë një aktiviteti punë në fushën e ndërtimit”. Por kjo nuk mjaftoi si provë kundër Antonio Pandolfi-t.
Në vitin 2001 Arben Rexha kishte ardhur në Itali nga Shkodra dhe qe vendosur në Castelnuovo di Porto (Roma), i ndihmuar pikërisht Antonio Pandolfi i cili deklaroi se e pati gjetur të plagosur buzë rrugës që lidh Morlupo-n me Faleria-n.
Në atë kohë gjykata e Viterbo-s hapi një hetim, pa arritur ama të hedhë dritë mbi mënyrën se si kishte ndodhur ngjarja dhe që është arkivuar në nëntor të vitit 2004. Që atëherë nëna e moshuar e viktimës dhe të afërmit e tij nuk kanë pushuar së kërkuari të vërtetën duke iu drejtuar dhe emisionit “Chi l’ha visto” të Rai-t për të zbuluar arsyen e vdekjes së Arben Rexhës.
Një dëshmitar pati thënë pikërisht për këtë emision se Arbeni kishte mbetur viktimë e një aksidenti ndërsa po punonte në pronën e Antonio Pandolfit, i cili nuk e ishte çuar menjëherë në urgjencën e spitalit, por më parë e kishte vënë buzë rrugës e pastaj kishte thirrur karabinierët.
Falë kësaj dëshmie prokuroria e Viterbos rihapi rastin duke kërkuar konsulencën e specialistëve të Ris (Reparti i Hetimeve Shkencore) për të shqyrtuar më imtësish gjurmët e gjakut, ato biologjike dhe shenjat e ndryshme në vendngjarje. Arrihet në përfundimin se vdekja e Arbenit nuk ishte rrjedhojë e një aksidenti rrugor, por ai ishte plagosur në vendin e punës. Më pas Antonio Pandolfi arrestohet.
Me asistencën e avokatit Mario Pavone, kryetar i Shoqatës Kombëtare për Emigracionin në Itali A.N.IM.I.- Onlus, më 21 dhjetor 2010, familja e Arben Rexhës arriti të ketë drejtësi. Gjashtë vjet heqje lirie, nga të cilët tre të falur, dhe 100 mijë euro pagesë, plus pagimi i shpenzimeve gjyqësore, shpërblimi i dëmeve civile dhe përjashtim të përhershëm nga zyrat publike. Është ky vendimi i marrë nga Gjykata e Viterbos, më saktë nga kolegji i gjykatësve Italo Centaro, Franca Marinelli dhe Salvatore Fanti kundër 60-vjeçarit Antonio Pandolfi. Akuza ndaj tij ishte vrasje nga pakujdesia, simulim, shpifje, favorizim të emigracionit klandestin dhe mosmarrje e masave të sigurisë në vendin e punës.
E vërteta, ishte krejt tjetër. Arben Rexha, punonte në të zezë për Antonio Pandolfi-n. Teksa po meremetonte çatinë tre metra të lartë të një kapanoni, emigranti shqiptar ishte goditur nga krahu i një vinçi të vogël dhe kishte rënë në tokë. Përplasja i kishte shkaktuar plagë tepër të rënda, por punëdhënësi i tij në vend që ta çonte në urgjencën e spitalit më të afërt, e kishte çuar buzë rrugës nga ku kishte lajmëruar karabinierët duke deklaruar se shqiptari ishte përplasur me siguri nga ndonjë makinë që, që më pas nuk pati ndaluar. E një nga provat e sjella në fazën e dytë të hetimeve ishte pikërisht mungesa e shenjave të përplasjes dhe e gjakut në këtë vend.
U deshën shtatë vjet për të zbuluar realisht si kishte humbur jetën Arben Rexha, një prej viktimave të punës, por edhe e sjelljes mizore të atij që në dukje ishte mirëbërësi i tij.
Irida Cami