in

Në Itali vijnë më pak emigrantë se vitet e shkuara

Ngadalësohen flukset e emigrantëve që mbërrijnë në Itali. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2010 në zyrat e gjëndjes civile janë regjistruar 100 mijë persona më pak në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007 (që konsiderohet një periudhë para krizës).

Ky është një prej rezultateve të Raportit të 16-të Kombëtar mbi Migrimet 2010, i përpunuar nga Fondacioni Ismu (Iniziative e studi sulla multietnicità) dhe i paraqitur më 13 dhjetor. Sipas këtij fondacioni pakësimi i hyrjeve të emigrantëve të rinj është shkaktuar nga situata e vështirë ekonomike, por nuk mund të mos merret parasysh që gjatë dy vjetëve të fundit qeveria nuk ka nxjerrë dekretet fluksesh. Në këtë mënyrë janë bllokuar hyrjet në Itali për arësye punë, me përjashtim të punonjësve sezonalë.

Raporti i Ismu konfirmon gjithsesi që Italia është një vend i madh emigracioni. Më 1 janar të vitit 2010 emigrantët janë 5,3 milionë (emigrantë të rregullt dhe ilegalë). Ndër ta 5,1 milionë vijnë nga të ashtuquajturat vende me presion të madh migrues, rreth 500 mijë më shumë se në vitin 2009. Më të shumtit vazhdojnë të jenë rumunët – një milion e 112 mijë persona (22% e numrit të përgjithshëm), më pas radhiten shqiptarët dhe marokenët (586 mijë dhe 575 mijë).

Paralelisht ka një shtim shumë të ndjeshëm të të miturve të huaj me banim në Itali : në bazë të llogaritjeve të Ismu më 31 dhjetor të 2010 të miturit do të jenë rreth 1 milion e 24 mijë (janë trefishuar nga fillimi i 2003, vit kur ishin “vetëm” 353mijë). Mes të miturve të huaj që më 1 janar të vitit 2010 banonin në vend, më shumë se gjysma kanë lindur në Itali.

Duket se janë pakësuar emigrantët ilegalë, që janë 544 mijë, 16 mijë më pak se ata që sipas llogaritjeve të fondacionit Ismu kanë banuar në Itali më një gusht të vitit 2009. Në sektorin e punësimit, megjithë krizën ekonomike, regjistrohet një shtim i punësimit të emigrantëve me 183 mijë vetë (+10% në krahasim me vitin 2009). Por njëkohësisht rritet edhe treguesi i papunësisë që ka kaluar nga 10,5% gjatë tremujorit të parë të 2009, në 13% në të njëjtën periudhë të vitit 2010.

Me gjithë shtimin e numrit të emigrantëve në vend, janë pakësuar ata që janë paditur sepse kane kryer krime: përpunimi i shifrave nga Ismu dëshmon se numri i të huajve të paditur ka rënë në masën 13,9%, duke kaluar nga 302.955 në vitin 2008 në 260.883 gjatë vitit 2009. Një dëshmi tjetër, përfundon raporti i Fondacionit Ismu, se nuk ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë mes emigracionit dhe krimit.

Kur mund të paraqes kërkesë për dekretin e flukseve?

Kënga ime, fituesja e festivalit të 49-të të Këngës në RTSh