Romë, 10 janar 2011 – Një vit e tetë muaj heqje lirie dhe një dëmshpërblim prej 2.500 eurosh. Ky është çmimi që duhet të paguajë Angjelin M., një 34 vjeçar shqiptar i cili ka puthur me zor një vajzë në Cremona. Episodi ka ndodhur më 3 qershor të vititi 2007 kur shqiptari i është hedhur baristes që po i shërbente një kafe. E tronditur nga kjo puthje e thellë e marrë me zor, vajza më pas la vendin e punës nga frika se mos haste sërish shqiptarin pasionant.
Avokatja mbrojtëse e akuzueses, Stefania Macalli bëri të ditur se klientja e saj edhe sot e kësaj dite jeton me frikë dhe vuan akoma rrjedhojat e asaj nate. Angjelin M., që me sa kuptohej ishte nën efektin e alkoolit, nuk ishte frenuar dhe kur baristja i ishte ndodhur pranë, i kishte kapur fytyrën dhe e kishte puthur gjatë në buzë. Vetëm ndërhyrja e të zotit të lokalit shpëtoi vajzën nga puthja e zjarrtë.
Vendimi i marrë nga Gjykata e Cremonës mbështetet në një vendim të ngjashëm të marrë në Veneto ku një burrë deshi të rifitonte dashurinë e ish të fejuarës duke e puthur me zor. E kjo konsiderohet si dhunë seksuale. Në vendim lexohet se “në akte seksuale duhet të konsiderohen jo vetëm ato që prekin sferën e organeve gjenitale, por të gjithë ato që përfshijnë zonat erogjene” dhe se “mes akteve të konsiderueshme dhunë seksuale bën pjesë edhe thjesht prekja me buzë e fytyrës së dikujt për ta puthur pa dëshirën e tij, kur ky akt, për shpejtësinë dhe bezdinq që jep, është i tillë sa mbizotëron dhe kapërcen vullnetin e kundërt të subjektit pasiv”.
Jo më kot Guy de Maupassant shkruante: “Një puthje e lejuar, nuk vlen kurrë sa një puthje e rrëmbyer”. Tani këtë e di mirë dhe Angjelin M. që atë natë qershori të para katër vjetëve ka dhënë puthjen më të shtrenjtë të jetës së tij.