Mazhoranca kalendarizon rregullat e reja për t’u bërë italianë nga 25 deri në 28 korrik, por më parë e ka radhën Komisioni, Raportuesja Lo Moro: “Sinjal i rëndësishëm, duam të shkojmë përpara”
Romë, 23 qershor 2016 – Nuk e kanë braktisur. Reforma e shtetësisë për bijtë e imigrantëve është akoma në agjendë për mazhorancën, që dje ka dhënë një sinjal të rëndësishëm që ajo të rinisë sa më shpejt rrugëtimin e saj në Senat.
Konferenca e krerëve të grupeve të Senatit ka miratuar dje kalendarin e ri të punimeve të asamblesë. Parashikon, mes të tjerash, që në javën nga 25 deri më 28 korrik në Sallë të nisë shqyrtimi i projektit të dekretit legjislativ 2092 “Modifikime të ligjit nr. 91 të 5 shkurtit 1992 dhe dispozita të tjera lidhur me shtetësinë”, por me kusht që: “të jetë mbyllur në Komision”.
Ddl 2092, i miratuar në Dhomën e Deputetëve, nga tetori i shkuar është në Komisionin për Çështjet Kushtetuese, ku janë paraqitur mëse shtatëmijë amendamente, thuajse të gjitha nga Lega. Amendamentet akoma nuk janë botuar, hap i domosdoshëm para se ato të diskutohen e të votohen.
Kështu, para se të mbërrijë në Sallë, Komisioni duhet të ketë bërë këtë hap e nuk është e thënë t’ia dalë mbanë para javës së fundit të korrikut. Gjë që mund të sjellë shtyrje të re. por ajo çka u vendos dje ka më shumë vlerë të fortë politike.
“Nuk kemi asnjë siguri që komisioni të arrijë të mbyllë punimet e tij për atë datë, pasi janë rreth 8 mijë amendamente të Legës obstruksioniste” shkruan në Facebook senatorja e PD-së Maria Cecilia Guerra. “Por ky programim – nënvizon – tregon vullnetin e mazhorancës për të rimarrë në dorë e për të përshpejtuar rrugëtimin drejt aprovimit të këtij ligji të rëndësishëm”.
Edhe Doris Lo Moro, PD, raportuese e reformës në Komision, flet për “Sinjal shumë të rëndësishëm”. “Nënkupton që duam të shkojmë përpara e kam besim se është e mundur edhe respektimi i datës së dhënë nga krerët e grupeve. Nuk mund të jem e sigurt që do t’ia dalim, por padyshim vullneti im është të bëjmë të pamundurën” shpjegon për Stranieriinitalia.it.
“Në seancën më të parë të Komisionit do të kërkoj që të nisë diskutimi i amendamenteve” thotë Lo Moro, që dëshiron t’u japë një mesazh eddhe bijve të imigrantëve që prej shumë kohësh presin të njihen edhe nga ligji si bij të këtij vendi. “Nuk kemi ndërruar mendim, duam ta bëjmë reformën. Sikur të arrinim ta miratonim brenda kësaj vere do ishte një gjë e përkryer”.
Elvio Pasca