U kthyen në atdhe dje rreth orës 14:45 ekipi e stafi i kombëtares e ndoshta nuk e kishin parashikuar që i priste një ditë e nxehtë (termometri ka shënuar 37° në Tiranë) dhe e gjatë. Pritje mbas pritjesh do të arrinin deri në mbrëmje vonë për të mbyllur të enjten në një darkë, zyrtare edhe kjo, e shtruar për ta nga kryeministri.
Në dalje të avionit që i solli në Rinas janë takuar një e nga një me kryeministrin, Edi Rama, dhe ministren e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, që kishin dalë t’i pritnin në Aeroportin “Nënë Tereza”.
Në ceremoninë e pritjes në Aeroport ka rënë në sy, fakti se De Biasi ka kënduar sërish himnin tonë kombëtar, duke ndjekur traditën e ndeshjeve në Francë.
Më pas, kombëtarja e futbollit udhëtoi nga Rinasi drejt Tiranës me një autobus të hapur që nuk ishte përdorur më parë për ceremoni të tilla. Shpejt u shua edhe kureshtia se ku u gjet. Portalet e Maqedonisë shkruajtën se ai u mundësua prej qeverisë së Shkupit. Ishte Zv. kryeministri i qeverisë së Maqedonisë Festim Halili ai që u ka ardhur në ndihmë autoriteteve shqiptare në këtë ditë të shënuar. Shqipëria nuk kishte një autobus të këtij lloji, prandaj kërkoi fillimisht mbështetjen e italianëve. Duke qenë se ata po vononin përgjigjen, Halili, tifoz i thekur i kombëtares, e siguroi autobusin duke e marrë prej Ndërmarrjes Publike të Transportit në Shkup.
Kur mbërritën në Tiranë u pritën nga kryebashkiaku Erion Veliaj që u dorëzoi “Çelësin e qytetit”.
Në një ceremoni të organizuar në ambientet para Bashkisë, Veliaj përshëndeti ekipin kombëtar, ndërsa theksoi se “fitorja më e madhe që kemi arritur është se kemi mundur një mentalitet që thoshte se nuk mund t’ia dalim, se dështojmë dhe nuk mund të organizohemi”. “Arritëm fitoren kryesore për t’i treguar të gjithëve se kur jemi bashkë mund t’ia dalim dhe mund të fitojmë çdo betejë”, tha Veliaj.
Ndërsa kapiteni i kombëtares, Lorik Cana falënderoi në emër të ekipit për mbështetjen e vazhdueshme dhe për pritjen. “Ne kemi një atdhe dhe patjetër që Tirana është kryeqendra, dhe ne e ndiejmë veten si në shtëpinë tonë”, tha ai.
Trajnieri i kombëtares, Gianni De Biasi tha se “shembulli i këtyre djemve është i rëndësishëm për shumë të rinj që duan të besojnë në një të ardhme ndryshe”. “Me vullnet dhe këmbëngulje ne mund të krijojmë të ardhmen që meritojmë”, tha De Biasi, duke uruar ekipin dhe gjithë shqiptarët.
Nga Bashkia në ministrinë e Jashtme.
“Kuqezinjtë shkruajtën historinë. Ata treguan se shpirti sakrificës dhe forca e grupit mund të çojë përpara”. Me këto fjalë, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati priti djemtë e Kombëtares në një ceremoni festive pas të cilës për mëse një orë kuqezinjtë aplikuan për pasaportat diplomatike që iu premtuan nga kryeministri Rama pas fitores së vetme në Francë.
“Ju arritët të bënit atë që politika po ka vështirësi ta bëjë, realizuat një përfaqësimi të denjë të ngjyrave kombëtare. Diplomacia ka shumë fytyra, dixhitale, politike…etj. Ju keni dëshmuar se jeni ambasadorët tanë në botë. Në këtë kontekst dëshiroj t’ju falënderoj dhe t’ju them se ju nuk ishit vetëm dhe s’do jeni kurrë vetëm, “You never walk alone”, tha Bushati.
Lorik Cana falënderoi ministrin Bushati dhe theksoi se ndihet krenar për arritjen e bërë.
Ai tha se kuqezinjtë kanë dhënë maksimumin dhe në mendje kanë pasur vetëm ngjyrat kuqezi. “Urojmë që të vijojmë të japim një shembull të mirë në botën e sportit. Uroj që kombëtarja të shkruajë faqe të tjera të suksesshme”, u shpreh kapiteni i kombëtares.
”Ju ia dolët të ngrinit lartë imazhin e kombi tonë. Ja dolët të ndryshoni në pak ditë imazhin e Shqipërisë”. E tha Edi Rama në pritjen e zhvilluar në kryeministri që pasoi atë në ministrinë e Jashtme.
“Patëm në këtë Europian të parë, një skuadër të vërtetë e një publik të mrekullueshëm që e bëri Francën të ndryshojë në pak ditë perceptimin shumëvjeçar jo aq pozitiv për shqiptarët. I dhuruam mijëra imazhe të bukura Europianit, që bënë xhiron e botë. Ndërsa qershia mbi tortën e festës, vajza që mori më shumë komente në rrjetet sociale, ishte një tifoze kuqezi”, nuk harroi Rama të kujtojë bukuroshen Rike Roci.
“Sado herë ta përsëris, për ju fjalën faleminderit nuk do mjaftonte. Ajo që ju keni dhënë për Shqipërinë dhe shqiptarët shkon shumë përtej futbollit. Dhe pse e dimë shumë mirë që asnjë prej jush, nuk do jetë i qetë nga verdikti final. E di mirë që filmi i ndeshjeve kthehet e rikthehet pas në mendjen e secilit prej jush. Në golin e marrë në minutat e para, tek po ashtu në ndeshjen ndaj Francës, që goli dytë rëndojë sa mal, si dhe goli dytë i Turqisë që së bashku me shtyllën e djeshme të Hungarisë në preu krahët”, vijoi Rama.
“Vëllezër kuqezinj, Gianni De Biasi, të nderuar futbollistë është një privilegj që së bashku me veteranët e fanelës kuq e zi t’ju uroj me mirënjohje të madhe këtë kthim në atdhe pas misionit tuaj në Francë. Latë pas edhe falë lojtarit të 12 të kësaj kombëtare, tiofozerisë, imazhin e bukur të një Shqipërie kurajoze, krenare dhe europiane dhe sjellën qytetarë. Jo vetëm këtë sallë, por as një stadium s’mund ta nxinte lojtarin e 12. Ndaj do doja një duartrokitje për tifozët.”, vijoi Rama.
Ai tha se në stadium do të jetë një pllakë e ku do shënohen emrat e të gjithë lojtarëve që morën pjesë në Europian. Gjithashtu kryeministri foli në italisht duke iu drejtuar dhe trajnerit De Biasi. “Gianni o xhan, faleminderit mik i shtrenjtë!”
Trajneri De Biasi në fjalën e tij u shpreh se ka dëshirë të qëndrojë për të përsëritur mrekullinë. “Unë mendoj se pas këtij kampionati e gjithë bota sportive ka filluar të na marrë me seriozisht”, tha De Biasi.
“Këta djem kanë bërë hovin mendor për të kaluar nga forca e individit tek forca e grupit. Djemtë tanë treguan që dinë të jenë fitimtarë, kjo është forca e skuadrës tonë. Edhe tifozët luftuan me ne, ata i fituan të treja ndeshjet. Nëse mrekullitë bëhen edhe mbi disfata, kjo është një mrekulli”, shtoi trajneri.
Më shumë se sa një shqiptar, trajneri italian u shpreh i nderuar për “Shqiptarinë”. “Shqiptaria për mua është titull nderi, gati gati e njoh më mirë himnin shqiptar se sa atë italian. Për këtë i detyrohemi brezave të rinj, ti Edi flet shpesh për Rilindje por me çka bëmë në Francë kemi mundësi të bëjmë një rilindje të vërtetë… Prandaj do vazhdoj të rri akoma këtu për të vazhduar rrugën e mrekullisë”.
Një detaj i çuditshëm i pritjes në kryeministri ishte fakti që një pjesë të madhe të fjalimit të tij drejtuar kombëtares, Rama e ka mbajtur edhe në gjuhën italiane. Nuk mund të konsiderohet respekt për De Biasin, pasi ky kishte kufjet e përkthimit në vesh. Mos ka të drejtë Lapsi.al kur thotë “s’ka rëndësi se çfarë dëgjojnë shqiptarët, ka rëndësi që Rama të jetë atraktiv edhe për gazetarët italianë”.
Në përfundim të ceremonisë në Kryeministri, ekipi Kombëtar iu drejtua sheshit “Nënë Tereza”, aty ku që në nisje të Kampionatit Europian është krijuar Tirana Fan Zone. U pritën në shesh me brohoritje dhe falenderime nga qindra tifozë të mbledhur aty, më pak nga ç’mund të pritej për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin ditët e fundit.
Lojtarët dhanë nga një mesazh të shkurtër për të gjithë fansat e pranishëm aty. Lorik Cana, kapiteni, u shpreh se Shqipëria fitoi, pavarësisht se si u eliminuam. “Ju falënderoj të gjithëve që jeni këtu”, vijoi ai.
Në përfundim të takimeve ceremoniale dhe atij me tifozët kuqezinj, kryeministri Rama shtroi një darkë në nder të ekipit kuqezi, ku morën pjesë personalitete të larta të shtetit shqiptar dhe të Kosovës.
Në krah të kapitenit të kombëtares, Lorik Cana u vu re prezenca e kryeministrit kosovar, Isa Mustafa. Ai përshëndeti të gjithë lojtarët e Kombëtares, duke shprehur respektin e popullit dhe të institucioneve të Kosovës për Kombëtaren shqiptare, për atë që ka demonstruar në Francë, ku me dinjitetin e dëshmuar bënë krenarë të gjithë shqiptarët.
Me këtë rast, kryeministri Mustafa shprehu konsiderata të veçanta edhe për tifozët shqiptarë për përkrahjen e tyre shembullore.
***
Kjo ishte dita e gjatë e kombëtares, ndoshta më e lodhshme se një ndeshje Evropiani. Ditë e bukur? Vështirë ta thuash. Pritjet e organizuara të linin përshtypjen se ishin përpjekje e organizatorëve për të përfituar popullaritet e vizibilitet nga imazhi i mirë i kombëtares në këtë moment. Edhe për faktin se nuk janë plotësisht të shpjegueshme e të justifikueshme nga rezultate objektive të kuqezinjve. E vërtetë që ngritën peshë zemrat e shqiptarëve, që në fushë dhanë maksimumin e tyre por bënë vetëm 1 gol, morën 3 në tri ndeshje nga të cilat dy i humbën e njërën e fituan. E për këtë sukses, nëse të tillë duam ta quajmë, politikat sportive të shtetit shqiptar kanë pak ose aspak merita: asnjë prej djemve që zbritën në fushë nuk luan në kampionatin shqiptar, madje shumë prej tyre janë rritur si futbollistë në kampionate të vendeve të tjera e nuk kanë luajtur kurrë në ndonjë klub shqiptar.
E me thënë të vërtetën, pavarësisht të gjithave, ishin shumë më të bukura festat spontane të tifozëve që shoqëruan kombëtaren para, gjatë e pas secilës prej tre ndeshjeve në Francë. Janë mijëra e mijëra shqiptarët paqësorë që shkuan të mbështesnin me hare e entuziazëm kombëtaren e tyre ata që fituan e që do të mbahen mend gjatë, jo vetëm nga shqiptarët.