in

Presidenti Ciampi: “Shqipëria, sa kujtime”

Guvernator i Bankës Italiane, Ministër i Financave që vuri në vend llogaritë e Italisë duke lejuar hyrjen në Euro, President i Italisë i dashur nga të gjithë  nga 1999 më 2006, sot Senator i Përjetshëm, Carlo Azeglio Ciampi ruan të freskëta kujtimet  e tij nga Shqipëria ku ishte ushtar gjatë pushtimit.  “Nuk di ç’drejtim do të kishte marrë jeta ime, sikur atë 8 shtator të ‘43-shit….”

Në studion e gjerë e shumëdhomëshe të katit të fundit të Palllatit të Senatit, që qeveria italiane u njeh përjetë ish-presdentëve të Republikës, objekti më i dashur është një letër e futur në kornizë. I shkruar me dorë, me gërma të imta, përmbledh me pak fjalë se llogaritë janë në rregull. Llogaritë e shtetit italian. Është letra që Ciampi i ka dorëzuar duke buzëqeshur kryeministrit Prodi pas përfundimit të Finanziaria-s 1997, më e rëndësihmja në gjithë historinë e Italisë: me atë deklaratë Ciampi kishte nënshkruar futjen e Italisë në Euro. “Pa futjen në Euro, Italia do të kishte falimentuar” thotë.
Por përveç asaj letre, përveç një jete që i ka dhënë mjaft mundësi duke u ngjitur nga ekonomist i thjeshtë deri në drejtimin e Bankës së Italisë, kryeministër, e më pas President i Italisë për shtatë vjet, Ciampi ruan edhe një kujtim shumë të shtrenjtë nga vitet e rinisë. Nuk e ka fshehur kurrë, e është i gatshëm të tregojë pa qenë nevoja të rrëmojë kujtesën “Muajt e mi në Shqipëri më kanë mbetur të ngulitur”.  Nga vjeshta 1942 në vjeshtën e ‘43-shit presidenti i ardhshëm i Italisë do të udhëtonte nëpër Shqipëri e Kosovë me grupin e tij të mjeteve të rënda. Pak marrëdhënie me popullsinë, që tregohej dashamirëse, thotë. E më pas, për një trill të fatit, 8 shtatori e gjen në Itali. Ndërsa një pjesë e miqve të tij ushtarë e oficerë mbetet në Shqipëri. Fatet e tyre do të jenë të ndryshme e Ciampi thotë se me siguri do t’i kish ndjekur, ndoshta për t’u bashkuar me partizanët e për të përfunduar i vrarë në ndonjë rrethanë të mistershme si shumë mes partizanëve. Apo ndoshta për t’u kthyer në Itali si të tjerë. “Këtë, vetëm perënditë mund ta dinë”, thotë.

Zoti President, Ju keni qenë një nga ushtarët e shumtë italianë në Shqipëri gjatë Luftës II botërore, mund të na tregoni përshtypjet Tuaja?
Carlo Azeglio Ciampi
: Unë mbërrita në Shqipëri nga fundi i vjeshtës 1942, isha nën toger i Ushtrisë Italiane. Mbaj mend mirë lundrimin nga Brindisi në Durrës, e më pas udhëtimin me makinë deri në Kavajë, rreth 5 a 10 km në jug të Durrësit, ku ndodhej reparti im, Grupi i Automjeteve të Rënda 104. Sa e pashë unë Shqipërinë? Sa ç’mund ta shohë një ushtar që qëndron në një lokalitet disi të veçuar. Me saktësi, ishim në plazhin pranë Kavajës, në kufi me pyllin e pishave, në të njëjtin vend ku në vitin 1999 gjeta ushtarët italianë, kur u ktheva si President Republike gjatë vizitës sime të parë në Shqipëri.
Lokaliteti ishte shumë i bukur dhe komanda e repartit tim, që praktikisht ishte përgjegjës për mbajtjen e lidhjeve dhe furnizimin e reparteve të ndryshme deri në Kosovë, ishte në një pallat të vogël, që më thanë se ishte rezidenca verore e mbretit Zog.
Marrëdhëniet me popullsinë shqiptare ishin të rralla. Mua më duhej të shkoja shpesh në Tiranë, ku ishte Shtabi i Përgjithshëm, për të marrë urdhrat, e  kam bërë rrugën Kavajë Tiranë gjithë ato herë e megjithatë kontaktet fizike me vendasit ishin shumë të rralla, maksimumi kur ndalonim në ndonjë dyqan për të blerë. Përshtypja që mu krijua ishte ajo e një vendi të varfër, natyrisht nuk ishte Shqipëria e sotme. Shqiptarët ishin kryesisht barinj, tregtia ishte e kufizuar, industria edhe më shumë.
Të mos harrojmë që Italia, siç e dini shumë mirë edhe ju, ishte në Shqipëri si pushtuese nga viti 1939, në mos gabohem. Kur mbërrita unë, vendasit kishin një marrëdhënie disavjeçare me italianët në Shqipëri. Duhet të them që popullsia kishte ndaj italianëve ndjenja mjaft të përzemërta, por natyrisht kishte edhe veprimtari partizane. Aty në bregdet aktiviteti i partizanëve ndihej shumë pak për të mos thënë aspak, por ndihej sa më shumë u afroheshe maleve në brendësi të vendit. E kam parë edhe vetë, kur shoqëroja si ushtarak komandant autokolonat me nga 20-30 automjete, rruga bëhej gjithnjë e më e rrezikshme sa më shumë shkoje drejt Kosovës. Më kujtohet rruga bëhej dy pjesësh: Durrës- Shkodër e më pas nisnim ngjitjen drejt Kosovës, e këtu situata bëhej më e rrezikshme por deri në njëfarë pike… Unë mbaj mend që gjatë rrugës, por edhe kur arrinim në Prishtinë, ushtarët e shoferët, ngrinin kamp ku të pushonin, ndërsa ne komandantët e autokolonës shkonim në ndonjë han për të fjetur, pra ndiheshim mjaft të qetë.

Ndiheshit të qetë, të pakërcënuar vetëm në Kosovë? Apo edhe në Shjqipëri nuk ju kërcënonte kush?

Jo, jo ndiheshim më të qetë në Shqipëri sepse në Kosovë situata ishte më e nderë. E megjithatë rreziku ekzistonte kudo. Unë kujtoj që kryeadjutanti i Grupit të Automjeteve të Rënda 104 që bënte përditë rrugën Durrës-Tiranë për në Shtabin e Përgjithshëm, gjë që bëra më pas unë për disa muaj, gjatë njërit prej misioneve e  qëlluan me mitraloz e humbi këmbën. Me këtë dua të them që nuk përjetonim kohë paqeje, ishim trupat pushtues, e si të tillë nuk shiheshim me sy të mirë, por kjo është e pashmangshme, e megjithatë ndër shqiptarët nuk mbizotëronte ndjenja e mospranimit, e urrejtjes së thellë.

8 shtatori i 1943-shit. Ishit me leje në Itali, në mos gabohem, dhe u përpoqët të ktheheshit në Durrës?
Po, po. Më 8 shtator ndodhesha në Itali. Pak ditë më parë kisha marrë 15 ditë leje dhe nga Durrësi kisha ardhur me një avion ushtarak në Brindisi e që aty kisha shkuar në Castiglioncello pranë Livornos ku asokohe banonte familja ime.
Më 9 shtator u paraqita me uniformë në komandën më të afërt për të marrë urdhra, ku fatkeqësisht gjeta shkatërrim total, dhe më thanë “Të gjithë në shtëpi”.
Në atë çast e ndjeva për detyrë të mos qëndroja aty, por të bashkohesha me ushtrinë e rregullt italiane, ndaj vendosa të shkoja në Jug, kalova frontin dhe rimora shërbimin në Bari në radhët e Ushtrisë së Shtetit Italian.

E keni menduar ndonjëherë se cili mund të kish qenë fati Juaj nëse 8 shtatori  do t’Ju kishte gjetur në Shqipëri?

Sigurisht që e kam menduar.
Pas lufte kam kontaktuar disa nga kolegët e mi të asokohe. Ushtarë të Grupit të Automjeteve të Rënda 104 në brendësi të të cilit veproja e më pas komandoja. Kur isha në Shqipëri kisha marrëdhënie të mira me nënkolonelin Giuseppe Mosconi që drejtonte pikërisht Grupin e Rëndë 104 ku bëja pjesë edhe unë.
Nënkoloneli Mosconi u zhduk. Ajo që arrita të mësoj pas lufte ishte se pas 8 shtatorit ish hedhur me partizanët shqiptarë e nga ai nuk u mor më asnjë lajm. Me siguri ka vdekur në ndonjë histori dramatike… Nëse do të kisha qenë në Shqipëri atë 8 shtator, me siguri do të kisha ndjekur nënkolonelin.
Edhe të tjerë shokë armësh dolën në mal me partizanët, dhe kanë luftuar deri në fund të luftës krah tyre në të ashtuquajturin Reparti italian. Madje di që kur u çlirua Tirana, partizanët shqiptarë duke hyrë në Tiranë deshën që të parët të marshonin ushtarët italianë që kishin luftuar krah tyre. Me përfundimin e luftës këta u kthyen në Itali shëndoshë e mirë.
Me një fjalë e kam të vështirë të them se cili do të kish qenë fati im… Me siguri nuk do të isha ndarë nga shokët, por nëse do të kisha pasur fatin e hidhur të nënkolonelit të shkretë Mosconi, apo do të isha kthyer në shtëpi pasi të kisha luftuar me partizanët shqiptarë, këtë vetëm perënditë mund ta dinë. 

Pas 1944-ës Italia e Shqipëria nuk patën më marrëdhënie për një kohë të gjatë. Ju jeni kthyer në Shqipëri në vitin 1999 si President i Italisë dhe keni shkuar pikërisht në Kavajë ku ishin trupat italianë …
Tamam ashtu. Ka qenë vizita ime e parë jashtë Italisë. Unë u emërova President i Republikës më 13 maj dhe më 11 qershor shkova në Shqipëri për të nderuar repartet italiane që qëndronin aty e kishin ndihmuar për kapërcimin e krizës së Kosovës. Gjatë kësaj vizite takova Presidentin e Shqipërisë dhe eksponentë të lartë të politikës shqiptare, që në të vërtetë kisha takuar edhe më parë në Romë kur isha Ministër i Thesarit. Jam kthyer sërish në Shqipëri në vitin 2002, për të takuar ushtarët tanë që vepronin aty e në Kosovë, si dhe për takime me krerë të politikës shqiptare.

Gjatë këtyre vizitave patët mundësi të shihni një tjetër Shqipëri?
Natyrisht… Shqipëria gjatë viteve të fundit, pas rënies së regjimit komunist, – që ka lënë gjurmët e tij në gjithë ata bunker që të zë syri përgjatë bregdetit, kujtime të shëmtuara të atij izolimi të tmerrshëm të Shqipërisë – ka hedhur shumë hapa përpara. Dhe ne e kemi ndihmuar dhe do të vazhdojmë ta ndihmojmë. Sot mes Italisë e Shqipërisë marrëdhëniet janë të një natyre krejt tjetër krahasuar me ato të kohës kur isha ushtar në Shqipëri. Gjatë viteve të fundit ka pasur një pjesëmarrje të gjerë të italianëve në rindërtimin e Shqipërisë, në modernizimin e saj. Është në interes të të gjithë Europës, dhe të Italisë në veçanti, që të ketë fqinj një vend gjithnjë e më të të begatë, me ekonomi gjithnjë e më të zhvilluar në mënyrë që të integrohet gradualisht në BE.

Sipas Jush ç’ndjenja ushqejnë italianët ndaj Shqipërisë?

Ato të fqinjësisë së mirë, që urojmë të përkthehet në një integrim, integrim të plotë të Shqipërisë, në Bashkimin Europian. Ky është edhe urimi im për shqiptarët. Theksoj që në këtë drejtim kam punuar gjithnjë edhe personalisht me qëllim që gradualisht të shkohet drejt këtij rezultati: integrimit në BE.

Bisedoi Roland Sejko

Lamtumirë pensione sociale

Elvira Dones: “Shtëpia ime është gjithë bota”