Thjeshtohen hyrjet shumëvjeçare dhe konvertimet e lejeqëndrimeve, norma më shtrënguese mbi strehimin dhe kundër ndërmarrjeve që i sjellin në Itali por nuk i punësojnë. Botohet D.Lsg. 203/2016 me të cilin Italia përvetëson një direktivë evropiane
Romë, 17 nëntor 2016 – Norma të reja për punonjësit sezonalë të huaj që çdo vit vijnë për t’u dhënë një dorë ndërmarrjeve bujqësore, hoteleve dhe restoranteve.
Mbërriti në Gazetë Zyrtare më 9 nëntor dhe do të hyjë në fuqi më 24 nëntor, dekreti legjislativ nr. 203 i 29 tetorit 2016 me të cilin Italia përvetëson “direktivën 2014/36/BE mbi kushtet e hyrjes dhe të qëndrimit të qytetarëve të vendeve të treta për motive punësimi në punë sezonale”.
Më poshtë gjeni risitë kryesore që sjell norma e re ndërsa në këtë lidhje tekstin e plotë të dekretit.
Dekreti specifikon që sezonalët e huaj mund të punësohen vetëm në sektorët “bujqësor dhe turistik-hoteleri”.
Ai thjeshton lëshimin e autorizimeve shumëvjeçare të hyrjeve, që shkëpusin mbërritjen e punonjësit nga dekreti i flukseve: do të mjaftojë të ketë qenë në Itali si sezonal të paktën një herë në pesë vjetët e fundit dhe jo për dy vjet të njëpasnjëshëm siç është sot.
Edhe rregulli i heshtjes-miratim pas 20 ditëve nga kërkesa e autorizimit do të vlejë nëse punonjësi ka qenë këtu të paktën një herë në pesë vjetët e fundit, ndërsa sot duhet të ketë qenë këtu një vit më parë.
Bëhet më i thjeshtë edhe konvertimi i lejeqëndrimit për punë sezonale në një leje për punë josezonale kur punonjësi ka në dorë një ofertë pune me kohë të përcaktuar apo të përhershme: kërkesa do të mund të paraqitet pas tre muajsh punë sezonale, ndërsa sot kjo mundësi u rezervohet atyre që kanë qenë këtu si sezonalë në vitet pararendëse.
Risi e rëndësishme ka të bëjë me të pasurin në dispozicion të strehimit që duhet të tregohet nga punëdhënësi. Dekreti specifikon që qiraja e mundshme nuk mund të jetë e tepruar në krahasim me cilësinë e strehimit dhe pagën e punonjësit të huaj, dhe sidoqoftë, nuk duhet të jetë më e lartë se një e treta e rrogës. Për më tepër, nuk mund të mbahet automatikisht nga rroga.
Së fundi, më shumë mbrojtje për ata që thirren këtu nga ndërmarrje që nuk kanë mundësitë për të çuar deri në fund praktikën e punësimit. Nëse refuzimi apo heqja e autorizimit apo i lejes së qëndrimit do të kenë për shkak punëdhënësin, ky do të duhet sidoqoftë t’i japë punonjësit rrogat që i kishte premtuar për muajt gjatë të cilëve do të kish punuar në Itali.
EP