Gjykata e Barit u njeh shtetësinë një djali e një vajze të lindur e të rritur në Itali. “E drejta që kanë nuk mund të paragjykohet nga leja e qëndrimit e prindërve”
Romë, 3 mars 2017 – Jonas dhe Angela kanë lindur dhe janë rritur në Itali, për këtë arsye janë italianë. Nuk ka rëndësi që nëna e babai, kur ata lindën, nuk kishin në xhep lejen e qëndrimit.
Me dy sentenca të ngjashme të depozituara javën e shkuar, gjykata e Barit ka shtuar një tjetër pjesë të rëndësishme në praktikën gjyqësore në favor të brezave të dytë.
Këtë radhë protagonistët janë një djale e një vajzë me origjinë filipine, deri më sot të trajtuar si imigrantë nga Italia. E megjithatë që të dy kanë lindur në vitin 1995 në Modugno të provincës së Barit, dhe i vetmi emigrim që kanë bërë në jetën e tyre ka qenë ai prej pak kilometrash drejt kryeqendrës së provincës ku kanë ndjekur shkollat.
Kur mbushën 18 vjeç, i kërkuan Bashkisë së Barit njohjen e shtetësisë italiane, por kuptuan se kishin një “mëkat fillesar”. Në vitin tashmë të largët 1995, prindërit e tyre ishin pa leje qëndrimi, ndaj i kanë regjistruar në zyrën e Gjendjes Civile në vitin 1996 , kur arritën të legalizonin qëndrimin e tyre në Itali.
Nëpunësi i Gjendjes Civile të Bashkisë është përgjigjur thatë: “S’kam ç’të bëj, nuk mund të jeni italianë”. Është ligji 91/1992 mbi shtetësinë, ka sqaruar që lejon shtetësinë për ius soli vetëm për ata që “kanë rezidencë të ligjshme” nga lindja. Jonas dhe Angela në muajt e parë të jetës duhet të konsiderohen “ilegalë”, njësoj si prindërit e tyre.
Për të shkatërruar këtë pengesë u desh një betejë ligjore që zgjati thuajse tre vjet, e çuar përpar nga Jonas dhe Angela me mbështetjen e patronatit Inca dhe sindikatës Cgil të Barit. Më 24 shkurt fituan gjyqin. Gjyqtarja Cristina Fasano dha një interpretim të gjerë të një ligji tjetër, 98/2013, sipas të cilit kujt ka lindur e është rritur në Itali dhe kërkon njohjen e shtetësisë, “nuk mund të mos i njihet për mospërmbushje detyrimesh nga anë e prindërve…”.
Kërkesa e Jonasit dhe Angelas, shpjegohet në sentencë “nuk duhet të paragjykohet nga kërkesa e vonuar e lejeqëndrimit nga anë e prindërve”. Gjykata e Barit ka vendosur kështu që dy të rinjtë kanë “të drejtë që t’u njihet statusi i qytetarëve italianë” dhe ka urdhëruar nëpunësin e zyrës së Gjendjes Civile të Barit të kryejë procedurat.
“Fakti që iu desh të prisnin tre vjet që t’ju njihej një e drejtë e qartë për të gjithë, mirë nuk u ka bërë. Ç’faj kishin që prindërit asokohe nuk kishin qëndrim të rregullt në Itali? Nuk është e para herë që gjykatësi vendos në këtë mënyrë, ka ardhur koha që të gjitha komunat të ndryshojnë praktikën e punës, pa detyruar të tjerë të rinj t’u drejtohen gjykatave” nënvizon Rezarta Çeliku, përgjegjëse e departamentit të imigracionit të Cgil të Barit.
Sindikalistja kujton edhe kohën kur Cgil mblidhte firmat për fushatën “Italia jam edhe Unë”: Me propozimit për dhënien e menjëhershme të shtetësisë atyre që lindin në Itali, pjesa më e madhe e personave ishin dakord, shumë çuditeshin që akoma nuk parashikohet një gjë e tillë nga normat në fuqi. E merrnin si të mirëqenë”. Jo vetëm që reforma akoma nuk po bëhet, por edhe për zbatimin e ligjit aktual nevojiten sentencat e gjykatave.
“Çfarë i dallon Angelan dhe Jonasin nga bashkëmoshatarët e tyre? Tiparet? Ngjyra e lëkurës? Origjina?” pyet Çeliku. “Angela në shkollë ishte edhe përfaqësuese e klasës, sot studion në Akademinë e Arteve të Bukura për t’u bërë stiliste. Jonas është shef kuzhine në një restorant sushi, për të punuar ka vënë mënjanë pasionin për vallëzimin hip-hop. Janë barezë, janë italianë, nuk janë të huaj”.
Elvio Pasca