in

Rama: “Të bëjmë realitet votimin e emigrantëve në zgjedhjet politike 2021”

“Nëse kjo nuk bëhet, askush nga ne nuk fiton asgjë. Shqipëria po, humbet, humbet shumë më shumë se sa thjesht një pjesë votuesish në zgjedhjet parlamentare. Humbet lidhjen morale të bijve të vet me vendin amë”

Tiranë, 11 shtator 2017 – Gjatë paraqitjes së programit qeveritës për vitet e ardhshme, kryeministri Edi Rama nuk la pa përmendur emigrantët.

Ai u bëri thirrje palëve për t’u bërë bashkë kur është fjala për çështje identitare, për ngritjen e emrit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe sa herë “duhen mbrojtur vlerat, liritë dhe të drejtat e çdo shqiptari, të çdo fëmije me gjakun tonë, kudo që jeton mbi tokë”. Në këtë pikë, ngriti problemin e votës së emigrantëve duke kërkuar bashkëpunimin e të gjithëve për të bërë të mundur që në vitin 2021 ata të mund të votojnë atje ku jetojnë.

Programi qeveritës e konsideron diasporën “aleate strategjike në marrëdhëniet diplomatike të Shqipërisë” dhe “shtresë vitale e kombit”. Me shqiptarët jashtë Atdheut synohet të krijohet një marrëdhënie e strukturuar. Përveç reformës institucionale dhe ligjore për t’u dhënë të drejtën e votës shqiptarëve në botë, do të krijohet edhe një Agjenci Shtetërore e Emigracionit, që do të fillojë regjistrimin e tyre, kudo ku jetojnë. Parashikohet gjithashtu krijimi një Fondi për këtë qëllim. 

Ja fjalët e kryeministrit mbi këtë pikë:

A e kemi ne, i nderuar Kuvend i Shqipërisë, luksin që të mos bëhemi bashkë për gjëra kaq të mëdha sa vlerat tona identitare dhe sfidat tona, si komb dhe si shtet në Europën ku jetojmë?
Po edhe sikur të çirremi e të shqyhemi për pikëpamjet tona politike dhe për argumentet tona mbi taksat apo mbi koncesionet, kjo nuk duhet të na pengojë të gjejmë të njëjtin zë dhe të qëndrojmë krah për krah, kur duhet folur për Shqipërinë, në emër të vendit tonë, të kombit tonë; kur duhet folur për integrimin europian të Shqipërisë dhe duhen mbrojtur vlerat, liritë dhe të drejtat e çdo shqiptari, të çdo fëmije me gjakun tonë, kudo që jeton mbi tokë.
Një shembull ulëritës:

Flasim dhe flasim, nuk reshtim, për shqiptarët që largohen, por a do fillojmë të flasim pa humbur kohë dhe për fuqinë vendimmarrëse të tyre në këtë vend, e cila do t’i lidhë ata kudo që të jenë, edhe moralisht, përveçse shpirtërisht dhe mendërisht siç janë të lidhur sot me Shqipërinë?
E kam fjalën për jetësimin e të drejtës së votës të çdo shqiptari në emigracion, duke i mundësuar pjesëmarrjen në zgjedhje drejt e nga aty ku banon, kujtdo ndër bijtë e bijat e këtij populli që dëshiron të zgjedhë parlamentin dhe qeverinë e vendit të vet.
A nuk është kjo një gjë tjetër e madhe që na bashkon dhe për të cilën të gjithë flasim prej kaq vitesh, duke fajësuar në fund të çdo mandati njëri-tjetrin pse nuk u bë edhe kësaj radhe?
Ju ftoj të gjithëve të mos humbasim më kohë, por të ulemi dhe ta bëjmë së bashku realitet votimin e emigrantëve në zgjedhjet politike të vitit 2021.
Kush prej nesh fiton dhe çfarë fiton konkretisht, nëse kjo nuk bëhet? Absolutisht, askush nuk fiton asgjë. Shqipëria po, humbet, humbet shumë më shumë se sa thjesht një pjesë votuesish në zgjedhjet parlamentare. Humbet lidhjen morale të bijve të vet me vendin amë.

Sekuestrohen rreth 4 tonë marihuanë, arrestohen 3 persona

Presidenti Meta për Shqiptarin e Italisë: “Kam ngritur çështjen e pensioneve”