Gjatë dy viteve të fundit numri i të papunëve të pranishëm në Itali ka kaluar nga 1,7 milion në vitin 2008 në më shumë se 2 milionë në vitin 2010.
Ky shtim përbëhet nga 281 mijë italianë dhe 104 mijë të huaj, me një ndryshim në përqindje mbi 60%, e përqendruar kryesisht në vitin e parë të krizës. Më e përmbajtur, por gjithsesi e zgjeruar ndjeshmërisht rritja brenda pjesës së italianëve të papunë (+18,4%) që gjatë vitit të parë të krizës ka regjistruar 62,6% të pushimeve nga puna.
Këto janë disa nga të dhënat e Raportit mbi Imigracionin në Itali, i paraqitur sot nga ministri i punës maurizio Sacconi dhe nga drejtori i përgjithshëm për emigracionin pranë ministrisë së punës Natale Forlani. Pa dyshim që meshkujt janë më të goditur nga kriza. Në fakt shtimi i meshkujve në kërkim të një vendi pune në periudhën 2008-2010 është 34,6% kundrejt 11,6% të regjistruar mes femrave.
Ndryshimi në përqindje bëhet më i ndjeshëm tek të huajt: +101,5% dhe +37,9% respektivisht për meshkujt dhe femrat, kundrejt 28,7% dhe 8,4% mes italianëve. Përkrah shtimit të të huajve në kërkim të një vendi pune, regjistrohet një rritje e ndjeshme e treguesit të papunësisë.
Në Itali, sipas Istat, gjatë dy viteve të krizës (2009 dhe 2010) bilanci regjistron një humbje prej 554 mijë vendesh pune (dy të tretat e të cilëve brenda vitit të parë), të ndarë mes një rënieje të të punësuarve italianë prej rreth 863 mijë vetash (-4,0%) dhe një shtimi të punësimit të emigrantëve me 309 mijë vetë (+17,6%). Kësaj i shtohet ulja e treguesit të punësimit, rritja e treguesit të papunësisë dhe e numrit të personave në kërkim të punës, si mes italianëve ashtu dhe mes imigrantëve.
Mes vitit 2008-2010, kundrejt një rënieje të lehtë të popullatës italiane mbi moshën 15-vjeçare (-63 mijë, -0,1%) është regjistruar një rritje domethënëse e popullatës së huaj (+626 mijë, +24,4%).
Këto dinamika demografie pasqyrohen në mënyra të ndryshme tek punësimi. Në rastin e italinëve, pakësimi i numrit të të punësuarve (-863 mijë) shoqërohet me një shtim të të papunëve (+281 mijë) dhe e personave jo aktivë (+519 mijë). Në rastin e të huajve shtimi i popullatës pasqyrohet tek të tre elementët: të punësuarit (+309 mijë), të papunët (+104 mijë) dhe jo aktivët (+213 mijë).
Vitet 2009 dhe 2010 janë karakterizuar nga rritja e orëve të dhëna në asistencë të cilat i kapërcejnë kuotat e regjistruara në krizat e viteve 1984 dhe 1993. Punonjësit e përfshirë janë rreth 554 mijë në vitin 2009 e 729 mijë në vitin 2010, respektivisht rreth 3% dhe 4% e numrit të përgjithshëm të punonjësve. Përkrah asistencës janë regjistruar rritje të ndjeshme të numrit të personave që kanë përfituar nga kompensimet e ndryshme të papunësisë të dhëna pas pushimit nga puna të punonjësit.