in

Intelektualët: “Ndalni regjistrimin e popullsisë sipas etnisë dhe fesë”

Në një peticion drejtuar presidentit Bamir Topi, kryetares së parlamentit Jozefina Topalli, dhe kryeministrit Sali Berisha, një grup intelektualësh shqiptarë, shkrimtarë, artistë, historianë, njerëz të shkencës dhe përfaqësues të shoqërisë civile të kryesuar nga dy ish presidentë të shtetit, shpjegojnë qëndrimin e tyre kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. Ata shprehin shqetësimin se një regjistrim i tillë, sipas tyre “prek të drejtat themelore të njeriut, interesat kombëtare dhe bie ndesh me kushtetutën”.

Duke iu referuar kushtetutës së Shqipërisë, ata shpjegojnë që neni 20 i saj  “u jep të drejtën pakicave kombëtare të shprehin lirisht, pa u ndaluar as detyruar, përkatësinë e tyre etnike, kulturore, fetare e gjuhësore”. Por nga ana tjetër, “e drejta e pakicave për të shprehur përkatësitë e tyre nuk është detyrim për ta. Aq më pak mund të jetë detyrim për të gjithë qytetarët e Shqipërisë”.

Debati mbi regjistrimin mbi baza të kombësisë dhe përkatësisë fetare u rindez pak javë më parë pas apeleve të konsullit grek në Korçë drejtuar banorëve që të deklaronin pa frikë origjinën e tyre greke. Pasuan reagime të ashpra nga Nënkryetari i Këshillit të lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu, por edhe nga forca politike si Partia për Drejtësi dhe Unitet. Ndaj sot, vërejnë nënshkruesit, kur elemente të tilla në regjistrimin e popullsisë nuk ekzistojnë në asnjë prej 27 vendeve anëtare të BE-së, “kërkesa për vetëdeklarim të kombësisë, është veçanërisht e rrezikshme”.

Duke theksuar mbi të gjitha që “Shqipëria është një shtet laik”, nënshkruesit e peticionit nuk gjejnë ndonjë nevojë të veçantë për një regjistrim të tillë të popullsisë: “Ne jemi një vend pa konflikte etnike e fetare. Pakicat minoritare gëzojnë të drejta të plota të parashikuara nga standardet më të larta evropiane. Shqipëria nuk është një shtet i lindur sërishmi, raportet e saj me minoritetet janë aq të vjetra sa edhe vetë historia e shtetit shqiptar që i ka njohur minoritetet e saj qysh prej vitit 1921 para Lidhjes së Kombeve. Ne dallohemi për harmoninë e shkëlqyer ndërmjet besimeve fetare”.

Peticioni mbyllet me një thirrje drejtuar “të gjithë intelektualëve, shoqatave, fondacioneve pa dallim, shqiptarëve jashtë atdheut, të bashkohen me anë të deklarimeve në mas media në përkrahje të këtij peticioni”.

Saviano: “Shqiptarë, ruajuni Italisë”

Qyteti mikpritës: Shqipëri-Brindisi, 20 vjet më pas