Kreu i autoritetit për energjinë bërthamore, profesor Umberto Veronesi: “Nuk kthej mendim mbi energjinë bërthamore, por dua impiante super të sigurt. Nuk merrem me sondazhe e referendume, por duhet të respektoj mësimet që na mbërrijnë nga Japonia”
Romë, 19 mars 2011 – Kreu i Autoritetit italian të energjisë bërthamore, Umberto Veronesi, kërkon një rishikim të strategjisë së zhvillimit të projektit bërthamor kombëtar, duke ripohuar se zgjedhja e energjisë bërthamore ishte e pashmangshme.
“Mësimi që duhet të nxjerrim nga Fukushima është fakti që duhet të rishikojmë patjetër projektin tonë të zhvillimit bërthamor”, deklaron në një shkrim të tijin të botuar sot në “La Repubblica” eksperti 85-vjeçar i sëmundjeve kancerogjene, një personalitet i respektuar në Itali.
“Kjo nuk do të thotë rishikim apo kthim prapa në hapat e ndërmarrë, por të kuptojmë problemin në rrënjë, të kemi kurajon të pranojmë dhe të përpiqemi të tejkalojmë”, shton ai.
“Zgjedhja e energjisë bërthamore është e pashmangshme dhe detyra jonë sot është të ofrojmë maksimumin e sigurisë për njeriun dhe mjedisin … Për vite me radhë ne kemi mbështetur idenë se instalimet e brezit të fundit ishin me rrezik thuajse të paekzistueshëm. Sot Japonia na detyroi të vëmë në diskutim me sy kritik këtë bindje”, nënvizon Veronesi.
“Tragjedia japoneze na vë si detyrë të mendojmë përtej logjikës kombëtare. Tashmë është e qartë që planet energjetike duhet të diskutohen në nivel ndërkombëtar. Në Itali, ne gjendemi në një situatë të favorshme, kemi mundësinë të zgjedhim, pa nxitim, modelin më të mirë strategjik”, shton ai.