in

Flukset 2010: Mbërrijnë autorizimet e para

Sportelet Unike kanë nisur të thërrasin punëdhënësit për t’u dhënë autorizimet edhe në provincat me më shumë kërkesa. Është etapa e parë drejt sjelljes në Itali të punonjësve të huaj

Romë, 25 mars 2011 – Dy muaj pas të ashtuquajturave click day, me lëshimin e autorizimeve të para nga Sportelet Unike për Imigracionin, hidhet një hap drejt sjelljës në Itali të punonjësve të huaj.
Pas paraqitjes së kërkesave të punësimit, Drejtoritë provinciale të punës verifikojnë që punëdhënësi dhe oferta e tij e punës përmbushin kriteret e parashikuara me ligj dhe kuestura verifikon që punonjësi të mos ketë dëbime të vjetra. Vetëm në këtë çast Sporteli Unik për imigracionin thërret punëdhënësin për t’i lëshuar autorizimin që do të mundësojë ardhjen e punonjësit në Itali.

“Kemi filluar prej dy javësh. Nga Kuesturat dhe Drejtoritë provinciale të punës kanë arritur me qindra miratime, dhe kemi lajmëruar po aq punëdhënës për t’u dhënë nulla-ostën. Duke vazhduar me këtë ritëm, pa dyshim do të përfundojmë përpara fundit të vitit” thotë Francesca Iacontini, përgjegjëse e Sportelit unik  për imigracionin në Milano.

Milano është provinca italiane me në shumë kërkesa të paraqitura, rreth 45mijë, por Iacontini është optimiste. “Legalizimi i fundit u ngadalësua edhe nga shumë kërkesat e rreme që u paraqitën. Flukset më duket se janë më pak objekt shtrembërimesh, besoj vërtet që pas pjesës dërrmuese të kërkesave qëndron vullneti për të punësuar punonjës nga jashtë. Problemi është që shumë do të mbeten pa kuotë. Për disa kombësi, kuotat përfunduan vërtet brenda pak sekondash”.

Edhe në Sportelin unik të Romës po nisin këto ditë me thirrjen e punëdhënsve të parë. “U kemi kërkuar Kuesturës dhe Drejtorisë së punës të punojnë njëkohësisht mbi të njëjtat kërkesa, kështu që miratimet e tyre arrijnë njëherazi dhe nulla-osta mund të lëshohet menjëherë. Kemi zgjatur orarin e pritjes së publikut, dhe tani për tani ecim me një ritëm prej 50 autorizimesh në ditë, por norma do të jetë edhe mbi 200” shpjegon drejtori Fernando Santoriello.

Puna për flukset e reja, në Romë ashtu si edhe tjetërkund, i shtohet punës së deritanishme të zyrave, për bashkimet familjare dhe për praktikat e fundit të legalizimit të shtatorit 2009. Ndërlikojnë situatën praktikat që kanë nevojë për t’u integruar: “Ky është problemi edhe e një pjese të mirë të kërkesave të flukseve të shqyrtuara deri tani” paralajmëron Santoriello. “Në këto raste punëdhënësve do t’u kërkohet të paraqesin dokumente shtesë, dhe kjo gjë do të zgjasë kohën deri në lëshimin e autorizimit”.

Në Napoli thirrjet për dorëzimin e autorizimeve ende nuk kanë nisur. “Punë ditësh, do të nisim që ditët e para të prillit” siguron Gabriella D’Orso, kreu i Sportelit unik. “Po organizohemi për të ndjekur flukset

Pa ngadalësuar praktikat e tjera. Mbi të gjitha për bashkimet familjare kemi një mal me punë, në vitet e fundit imigracioni në provincë ka marrë karakter të qëndrueshëm dhe shumë po sjellin familjet”.

Puna shtohet ndërsa personeli mbetet i njëjtë. Si i bëhet për të mos ngadalësuar ritmin në të gjitha drejtimet? “Ministria e Brendshme duhet të na japë punonjës interinalë, që do të mund të na japin një dorë me të gjitha praktikat” vë në dukje D’Orso. Janë përforcime që qeveria ka autorizuar që një muaj më parë, edhe pse tani për tani nuk ka asnjë lajm për rekrutimin e tyre.

Sidoqoftë është e udhës të mbahet parasysh që autorizimi është vetëm një etapë, jo pikëmbërritje.
“Pas marrjes së autorizimit në Sportelin Unik, procedura zhvendoset në vendlindje, me lëshimin e vizës që punonjësi të hyjë në Itali. Problemi është që në disa vende pritet edhe tre muaj për të marrë një takim në konsullatë dhe për më tepër edhe këto bëjnë të tjera kontrolle që zgjasin edhe më tej kohën e pritjes dhe ndonjëherë përmbyllen negativisht” shpjegon avokatja Mascia Salvatore.

Me një fjalë, rruga e gjatë e flukseve sapo ka filluar. E megjithatë, edhe ky është lajm i mirë. Por për të ditur se kur do të vijnë në Itali të gjithë punonjësit e kërkuar, nevojitet një fallxhor.

Elvio Pasca

Lexo edhe: Flukset 2010: Lucca ka filluar të japë autorizimet

Miratohet projekti i selisë së re të Kuvendit

Ambasada jep numrat e vet telefonikë