in

Të shpëtojmë Katër i Radës

Pikërisht 14 vjet pas tragjedisë së Katër i Radës, në molin përballë Kapitanerisë së Portit në Bridisi, si çdo 28 mars tanimë,  u zhvillua një ceremoni përkujtimore. Organizatorët kryesorë qenë Observatori mbi Ballkanin i Brindisit  dhe Observatori i Përhershëm Itali-Shqipëri që arriti të mbledhë rreth vetes edhe shoqata të tjera antiraciste dhe të tërheqë vëmendjen e institucioneve e mediave. I pranishëm edhe Padre Alex Zanotelli, prifti i njohur për aktivitetin e tij për paqen, frymëzuesi dhe themeluesi i disa lëvizjeve që kanë në qendër të veprimtarisë së tyre solidaritetin dhe përkrahjen e më të dobtëve në shoqëri.

Mallëngjim kur u hodhën tufa lulesh në det ndërsa një i ri shqiptar me banim në Brindisi lexonte vargjet e poezisë “Elegji për të mbyturit e të premtes para Pashkëve” që poeti Visar Zhiti i ka kushtuar kësaj ngjarjeje të dhimbshme.

Por ceremonia nuk kishte vetëm qëllim përkujtimor. Ajo synonte tërheqjen e vëmendjes së opinionit mbi seancën gjyqësore të 28 qershorit, kur pritet vendimi përfundimtar i gjykatës së Lecces mbi përgjegjësit e tragjedisë. Një sentencë që ndoshta do t’i japë drejtësi ose ndodhta do të zhgënjejë të afërmit e viktimave.

Një ndër çështjet më urgjente mbetet nevoja për ta mbajtur gjallë kujtimin e tragjedisë së Katër i Radës. Gjykata e Lecces vendosi që ta shtyjë vetëm 30 ditë shkatërrimin e asaj ç’ka mbetet nga anija, e cila dergjet në një cep të braktisur të Marinës Ushtarake të Brindisit. Pra brenda 30 prillit, nëse ndërkohë qeveria shqiptare nuk do të shprehë vullnetin për ta tërhequr anijen fatkeqe në Vlorë, ajo do të çohet për t’u shkatërruar.

Përveç sinjalizimit që i është bërë Ambasadës Shqiptare në Romë, gjatë takimit përkujtimor dolën edhe disa ide të tjera. Dikush propozoi mbledhjen e firmave nga të dyja anët e detit Adriatik, dikusht tjëter i bën thirrje deputetëve dhe  administratave vendore të dy vendeve për të mos humbur këtë copë nga historia e dhimbshme e emigracionit shqiptar. E nëse nuk ka fonde për të arritur transportimin e anijes në Vlorë, u hodh ideja që t’i kërkohet komunës së Brindisit, provincës dhe rajonit të Puglias që të gjejë një vend për vendosjen e anijes, në kujtim të tragjedive të migrimit. “Brindisi këto ditë, me ceremoni të mëdha e konferenca kujtoi pritjen që iu bë në mars të vitit 1991 njëzetmijë shqiptarëve, lexohet në komunikatë, pse sot nuk mund të strehojë këtë anije të vogël që u kthye në arkivolin e shumë të pafajshmëve?”

Një kërkesë e ngjashme e konkrete i është bërë presidentit te Rrethit të Puglias Nichi Vendola nga Giuseppe Chimisso kryetar i shoqatës Skanderbeg të Bolonjës. Bile gjatë vizitës në Bologna të Presidentit te Republikës së Shqiperisë Bamir Topi, kryetari i shoqatës Skanderbeg i kërkoi personalisht atij që të angazhohet për shpëtimin e anijes fatkeqe.

Në program janë nisma të larmishme për sensibilizimin e opinionit publik për shpëtimin dëshmitares së heshtur të një tragjedie, ende të mbetur pa fajtorë. Me shpresën që, të paktën këtë herë, fjalët e poetit Visar Zhiti të mos vërtetohen:

Në fund të detit
si në fund të botës
shkuan fëmijët – ëngjëj
dhe gratë – sirena tragjedie. Përsipër shkumbëzojnë
harrimet dhe braktisja.

Irida Cami

Lexo edhe: Katër i Radës diventi simbolo della tragjedia

Na ishte njëherë një kaike në det…

Mars 1991: Shënomëni edhe mua

1991-2011: Grazie Brindisi!