Në mëdyshjen se mund të kenë vdekur, u mohohet e drejta e votës të gjithë personave mbi 100 vjeç
Një ndër procedurat paraprake të procesit zgjedhor është dorëzimi në të gjitha komisionet e zonave i listave përfundimtare të qytetarëve. Sipas kodit zgjedhor këto lista duhen dorëzuar një ditë pas hapjes së fushatave partiake. Më pas ato u dërgohen drejtuesve të njësive vendore për nënshkrim. Është bërë e ditur se printimi i tyre ka zgjatur pesë ditë me radhë në Regjistrin Elektronik të Gjendjes Civile. Pasi konfirmohen zyrtarisht, pra pas firmës së drejtuesve të njësive vendore, brenda 24 orësh listat futen në Internet në faqet zyrtare të Ministrisë së Brendshme, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.
Me afrimin e zgjedhjeve të 8 majit, ky proces sapo ka përfunduar. Sipas shifrave që ofron lista përfundimtare Shqipëria ka 3 milionë e 164 mijë e 859 zgjedhës, të shpërndarë në 4.932 qendra votimi.
Kryeqyteti radhitet i pari me 750 mijë votues, më tej Fieri me 362 mijë votues, Elbasani dhe Durrësi përkatësisht me 300 mijë votues. Ministria e Brendshme bën të ditur se listat janë kontrolluar imtësisht dhe se janë hequr nga to 23 mijë emra.
Sipas ministrisë së brendshme, janë hequr nga listat mbi 23 mijë emra në zona të ndryshme, emra personash të regjistruar dy herë apo persona që nuk jetojnë më. Nga lista përfundimtare janë hequr zgjedhësit në moshën mbi 100 vjeçare; lajmi u konfirmua nga zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni dhe shkaktoi menjëherë debat.
Kreu i tretë i Kushtetutës së Shqipërisë, ku flitet për të drejtat dhe liritë politike parashikon në nenin 45:
1. Çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet.
2. Përjashtohen nga e drejta e zgjedhjes shtetasit e deklaruar me vendim gjyqësor të formës së prerë si të paaftë mendërisht
3. Të dënuarit që janë duke vuajtur dënimin me heqje të lirisë, kanë vetëm të drejtën për të zgjedhur.
4. Vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë.
Pra as nuk përmenden qytetarët mbi njëqind-vjeçarë dhe nuk dihet pse Ministria e Brendshme ka nxjerrë një urdhëresë për përjashtimin e tyre nga procesi zgjedhor. Megjithëse bëhet fjalë për një numër të vogël zgjedhësish, mbetet ende e panjohur arsyeja e mohimit të së drejtës së votës për ta.
Irida Cami