Presidenti i Republikës së Italisë, Giorgio Napolitano, i ka dërguar Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, një ftesë për të vizituar Italinë dhe për të marrë pjesë në manifestimin qendror të shënimit të 150 vjetorit të bashkimit kombëtar italian.
“Kam kënaqësinë që t’Ju ftoj të merrni pjesë në festimet zyrtare të 150 vjetorit të formimit të Shtetit tonë të bashkuar, që do të mbahen më 2 qershor në Romë. Prania Juaj do të ishte një nder për mua e për Qeverinë italiane dhe do të përbënte një dëshmi të re domethënëse të lidhjeve të forta të miqësisë që bashkojnë Kosovën e Italinë”, thuhet në ftesën e Presidentit Napolitano, bëri të ditur Presidenca kosovare.
Ky është njoftimi i parë zyrtar për ftesë për vizitë jashtë vendit që i bëhet Presidentes Jahjaga, të zgjedhur javën e kaluar në këtë post në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Nga Presidenca e Kosovës u njoftua edhe se Presidentja Jahjaga priti sot në takim ambasadorin e Republikës së Italisë në Prishtinë, Michael L. Giffoni. Presidentja Jahjaga shprehu falënderimin e popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme që Republika e Italisë i ka dhënë Republikës së Kosovës në të gjitha periudhat e sidomos në fazën e shtetndërtimit të saj. Ajo theksoi se të dy vendet kanë marrëdhënie shumë të mira në të gjitha fushat dhe këto marrëdhënie do të njohin zgjerim dhe intensifikim në të ardhmen.
Gjithashtu, Presidentja Jahjaga u shpreh e bindur se Italia do të vazhdojë të mbështesë aspiratat e Kosovës në rrugën e integrimeve euroatlantike, si një synim i përhershëm i vendit.
Në mesazhin e urimit që presidenti Napolitano i kishte dërguar Presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga javën e shkuar, ai theksonte “vlerën simbolike që ka kjo zgjedhje për të gjitha grate e Ballkanit”. Duke i uruar “sukses të plotë për detyrën e saj të lartë” dhe “përparim të marrëdhënieve Itali-Kosovë në të mirë të përparimit perspektivës europiane të Kosovës dhe mbarë rajonit”.