in

Përuron nisjen e procesit të marrjes së pasaportave në Romë, zv.ministri i brendshëm Poni

Të pranishëm në përurimin e nisjes së shërbimit të ri krah ambasadorit ishin të pranishëm edhe zv.ministri i Brendshëm Ferdinand Poni dhe drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i shoqërisë Aleat që prodhon dokumentet, Jean-Alain Jouan.

Zëvendësministri Ferdinand Poni teksa flet për shifrat e shqiptarëve të pajisur me dokumentet e reja të identifikimit e pasaportat biometrike vë në dukje që para se procesi të niste askush nuk e priste një sukses të tillë. “Kur filloi procesi, që ishte bashkudhëtar me kërkesën e Shqipërisë për liberalizim, specialistët mendonin se po të arrihej në 200 mijë aplikime ishte një sukses i madh, ne arritëm të kapërcejmë milionin” tregon ai.

Ndaj falë ecurisë së këtyre dy vjetëve, deklaron  “besoj se deri në gush të këtij viti do të arrijmë në dy milionë. Se si do të jenë shifrat në të ardhmen, më falni për mungesën e modestisë, por ne që supervizionojmë dhe monitorojmë këtë makinë, jemi të sigurt në suksesin e projektit. Kemi kaluar në gurë kilometrazhi shumë të rëndësishëm në suksesin e Shqipërisë”.

Sipas tij, pajisja e një pjese të lartë të popullsisë me pasaportat biometrike ka pasur një rol të drejtpërdrejtë në liberalizimin e vizave: “E kanë thënë të gjithë: pa pasaportat nuk do ishte bërë, pa kontrollin e integruar të kufijve nuk do ishte bërë, pa lidhjen e bankës së të dhënave të policisë shqiptare me sistemet europiane që kontrollojnë. Drejtuesi i kompanisë Aleat nuk e tha, po e them unë: në aplikojmë on line, jo me certifikata. Pra ky është sistemi më i integruar dhe më i sigurt sot. Aplikojmë në një sistem unik që do të thotë nëse ka një gabim, ne e gjejmë se ku është ky gabim. Nuk është se njeriu merr certifikatën, që mund të ndërronte rrugës. Ky sistem nuk lejon asnjë lëvizje të të dhënave, merren parasysh vetëm ato që ka regjistri.  Bëhet vërtetimi i identitetit nga konsujt, nga inicialet, nga ndërfaqja e kartave dhe nga ana e operatorit, e bën sistemin jashtëzakonisht solid”. Ndaj me krenari kujton çka tha senatori Alfredo Mantica kur ka shkuar në Shqipëri: “Modeli i suksesit të Shqipërisë do të fillojë të krijojë platformën e modelit të suksesit rajonal” dhe shton që “për sa i përket dokumenteve të identitetit, shtete si Maqedonia, Bullgaria e Kosova do të marrin modelin shqiptar”.

Drejtori ekzekutiv i shoqërisë Aleat Jean Alain Jouan tregoi ecurinë e procesit në tërësi duke filluar nga faza e parë e para zgjedhjeve të vitit 2009 kur punohej me ritëm të lartë për lëshimin e letërnjoftimeve elektronike, dokument me të cilin shqiptarët duhej të paraqiteshin në zgjedhje, për të kaluar më pas në lëshimin edhe të pasaportave. Faza e dytë e procesit ka qenë mundësia e sigurimit të dokumentit brenda një kohe të shkurtër (kundrejt një pagese më të lartë). “Në raste urgjence arrijmë të dorëzojmë pasaportat brenda 48 orëve në Tiranë dhe brenda 72 orëve në qytetet e tjera”, pohon vetë Jean Alain Jouan. Ndërsa faza e tretë është kjo e tanishmja e shtrirjes së shërbimit përtej kufijve të Shqipërisë, në Greqi dhe Itali.

“Dokumentet që u sigurojmë shqiptarëve janë më të mirat që ekzistojnë, të brezit të fundit për nga siguria. – thotë me krenari Jean Alain Jouan – Dhe nëse kjo ka qenë një kusht që shqiptarët duhet të plotësonin për të pasur liberalizimin e vizave, jam shumë i kënaqur, qoftë personalisht, qoftë si përfaqësues i shoqërisë Aleat, që kemi dhënë kontributin tonë në këtë arritje”.

Ja ç’tha për Botën Shqiptare zëvendësministri mbi procesin e pajisjes së shqiptarëve me dokumentet e reja

Bota Shqiptare: Si po shkon procesi i pajisjes me pasaporta biometrike në Shqipëri?
Zv.ministri i Brendshëm Ferdinand Poni: Në Shqipëri ka qenë një sukses i madh. Sot ne mund të flasim për 1 milion e 719 mijë aplikime për pasaportat dhe 2 milionë e 750 mijë për letërnjoftimet që do të thotë një sukses jo vetëm nga pikëpamja cilësore e soliditetit të dokumentit, por edhe për sa i përket perceptimit nga popullata. Absolutisht projekti dhe zbatimi i tij janë vlerësuar jo vetëm nga ne, por edhe nga të gjitha personalitetet që kanë vizituar Tiranën dhe qendrat tona, e kanë vlerësuar si me standardet më të larta. Por në fakt unë sot nuk jam këtu për Shqipërinë, për prodhimin në Shqipëri. Jam këtu për ekspansionin shqiptar në Europë. Po kalohet nga ajo që ishte faza e aplikimit masiv në atë që ne e quajmë perfeksion (perfeksionim i sistemit) për t’iu afruar sa më shumë qytetarëve dhe për t’i ofruar një variant sa më komod. Në këtë kuadër hapja e pikave të aplikimit nëpër ambasada ishte një nga shtyllat e perfeksionit, siç ishte i tillë edhe prodhimi i përshpejtuar  i dokumenteve në Shqipëri, për dy apo tre ditë, apo shtyllë tjetër është që edhe emigrantët që ne kemi në Shqipëri do të aplikojnë për dokumente biometrike, e kam fjalën për emigrantët e vendeve të treta, meqenëse Shqipëria është më lart se Konventa e Gjenevës për sa i përket standardeve. Pastaj siç e patë dhe juve sot, bashkë me drejtorin e përgjithshëm të kompanisë Aleat, Jean Alain Jouan, ishim miq të zotit ambasador për të asistuar nga afër dhe inauguruar aplikimin e parë që u ndoq nga të paktën deri dhjetë të tjerë ndërkohë që po flasim, e besoj se do të jenë 20 a 30, që si shifër për ditën e parë është e jashtëzakonshme. Kjo shënon një hapje tjetër të projektit të pasaportave. Ka qenë në planet tona si ministri, i kryeministrit dhe i ministrit Basha, për t’i ardhur në ndihmë shqiptarëve jo vetëm në Shqipëri. Po kaq me sukses është edhe konsolidimi i shërbimit konsullor, sepse besoj se atij nuk i jep lustër vetëm shërbimi për pasaportat. Përfitoj nga rasti për të falënderuar jo vetëm kompaninë që siç e patë ka instaluar një projekt shumë solid, por edhe ambasadorin Kola dhe të gjithë stafin e ambasadës. Duhet të jem i sinqertë, dua të përmend disa karakteristika: këtu ofrohet një shërbim shumë solid nga pikëpamja teknologjike, por edhe shumë i kulturuar në marrëdhëniet me njerëzit. Ne do të përpiqemi që edhe këtu të jepen pasaportat brenda të njëjtës kohë që jepen dhe në Shqipëri; deri tani afati është tre javë, por pas pak kohës do të bëhen për dy javë,  kështu do të mbajmë standardin të lartë por edhe të ruajmë shpejtësinë maksimale.

Unë doja t’ju falënderoja dhe juve që keni sensibilizuar emigrantët. Po ndodh diçka e mirë për Shqipërinë, po ndodh diçka që rrit atraksionin për përfaqësim, atraksioni për Shqipërinë. Edhe shqiptarët që nuk kanë pasur mundësinë ta prekin nga afër këtë arritje kaq të madhe, do të kenë mundësinë ta prekin në Itali. Pra ne jemi prezent kudo. Kjo është një ditë e bardhë për shqiptarët, është në vazhdën e ditëve tona të bardha që kanë filluar me hyrjen në Nato, kanë vazhduar me integrimin europian, me lëvizjen e lirë dhe që do të konsolidohen gjithnjë e më shumë me këto shërbime që ne japim në kontekstin e integrimit europian.

Hapja e zyrës për pasaportat pranë Konsullatës së Romës është vijim i hapjes së zyrave të tilla në Greqi. Si po shkon atje procesi? Sa aplikime janë bërë?
Procesi po shkon shumë mirë. Nuk mund të them shifra shumë të sakta, sepse ato ndryshojnë çdo ditë, por pak a shumë janë rreth 200 aplikime në ditë. Ne kemi katër stacione në Athinë dhe katër në Selanik. Falë edhe angazhimit të kompanisë Aleat, ne kemi kapërcyer pak parametrat e kontratës që parashikonte dy-tre stacione. Por për të mos krijuar flukse qytetarësh, që ata të mos presin gjatë, kemi vënë katër stacione, si këtu. Katër stacione pa llogaritur atë të shpërndarjes dhe atë të verifikimit të inicialit. Domethënë kemi gjashtë persona që i përkushtohen këtij procesi. Zyra e Athinës po punon me kapacitet të plotë, kemi arritur t’i dorëzojmë atje pasaportat për dy javë, gjë që ishte e pamendueshme në Shqipëri, kur shtete me teknologji dhe infrastuktura më të zhvilluara duan një muaj apo dy.
Kartat e identitetit italiane janë larg standardeve tona, mua më vjen mirë që ne jemi me breza larg, me breza teknologji larg. Ne punojmë në brezin e polikarbonatit, të gdhendjes me lazer, të objekteve që ndryshojnë ngjyrën sipas këndit nga i bie drita. Të gjitha këto elementë i bëjnë dokumentet tonë të një niveli që është pak të thuhet të brezit të fundit të dokumenteve europiane; vetëm katër a pesë shtete mund të maten me në për cilësinë, sistemin e integruar, për soliditetin, por edhe për frekuencën që vijnë qytetarët. Llogarisni që brenda me pak se dy vjetëve, kanë ardhur gati tre milionë qytetarë, domethënë kanë ardhur rreth 80-85% e qytetarëve që duhet të marrin dokumentin e identitetit. Asnjë vend tjetër i Europës nuk ka pasur një fluks të tillë.

Edhe në Milano stacionet janë katër?
Po, edhe atje po aq.

Zyra e aplikimeve në Milano, duke qenë më afër kufirit, do të jetë e vlefshme dhe për shqiptarët që jetojnë në Austri, Gjermani apo Zvicër? Do ta kenë këtë mundësi?
Patjetër. Madje, mund t’ju them që ne e kemi të hapur kontratën ndaj mundësisë së zyrave në vende të tjera, si në ShBA, në Bruksel apo Londër. Varet nga nevojat që do të kenë qytetarët. Natyrisht ata që jetojnë në Austri apo Slloveni e kanë afër Milanon. Apo kur vijnë në Romë për ndonjë punë. E mira e këtij sistemi është se nuk ka ndarje territoriale,pavarësisht se ku jeton i interesuari, ti mund të aplikosh ku të kesh dëshirë.

Një shqetësim i shprehur nga komuniteti është edhe se si do të lajmërohen aplikuesit që dokumentet e tyre janë gati, në mënyrë që të mos marrin rrugën deri në Romë apo Milano e të kthehen mbrapsht sepse pasaporta nuk ka ardhur.
Ju siguroj që me dorëzimin e dokumenteve jemi shumë të përpiktë. Kujt aplikon sot po u thuhet që  dokumentet do të jenë gati për tri javë. Të jenë të sigurt që në krye të tri javëve dokumentet do të jenë gati. Shumë shpejt do të përpiqemi që dokumentet t’i sjellim brenda dy javëve nga data e aplikimit. Sapo kjo të ndodhë, të interesuarve do t’u thuhet në çastin e aplikimit që të vijnë t’i marrin pas dy javësh.

Shërbimi do të jetë i qëndrueshëm pranë konsullatave qoftë edhe me një stacion, apo kjo është një lloj fushate për pajisjen e qytetarëve me pasaporta?
Kjo që ju e quani fushatë do të zgjasë ndoshta një vit e ca ose dy. Më pas do shohim. Kontrata na lejon të jemi fleksibël, të vëmendshëm, cilësorë. Por ama as qytetarët nuk duhet të humbasin kohë. Fakti që stacionet mund të jenë katër, tre apo pesë dëshmon se jemi shumë të vëmendshëm për të ndjekur flukset e aplikuesve.

Kur ju pyeta për të ardhmen e këtyre zyrave, po mendoja për një periudhë kur do të kenë nevojë për pasaportë, për shembull, fëmijët e emigrantëve që do të lindin?
Unë ju thashë që jemi shumë të vëmendshëm ndaj ecurisë së procesit. Përgjigjen e kësaj pyetje mund t’jua japim pas dy vjetësh.

Në fund dua të shtoj që në Athinë, Selanik, Romë e Milano suksesi ynë si qeveri ka të bëjë edhe më qenien afër qytetarëve. Ata që duan tani mund ta bëjnë këtu pasaportën pa qenë nevoja të vijnë në Shqipëri. Ky sistem është i lidhur me regjistrin e gjendjes civile. Jam shumë i kënaqur për diçka. Pavarësisht se ku jetojnë e janë integruar, mua që vij nga Shqipëria, më bie menjëherë në sy që shqiptarët kanë dëshirë të kenë dokumente shqiptare. Kjo ka të bëjë më ndjenjën dhe lidhjen e fortë me vendin. Unë dua të besoj se lidhet shumë dhe me cilësinë e dokumenteve tona. Sepse, duke cituar kryeministrin Berisha, një pasaportë e mirë i jep dinjitet mbajtësit. Pra shqiptari nuk është më një lypës që e linin tek dera siç ndodhte tre-katër vjet më parë ose edhe më vonë. Ai është një njeri që mban një dokument të besueshëm me të cilin i duhen rreth 5 sekonda të kalojë. Kjo është Europa jonë. Ajo ka qenë ëndrra, të shkojmë e të jemi të barabartë. Që të jemi të barabartë kemi shumë e shumë punë për të hequr rrobën e zezë, bile më mirë të kuqe të komunizmit, por duhet të punojmë.

Në foto drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i shoqërisë Aleat që prodhon dokumentet, Jean-Alain Jouan, zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, dhe ambasadori i Shqipërisë në Romë, Llesh Kola

 

Aksident në punë, lëndohet me gozhdë në sy 29 vjeçari

Romë: mbi një milion pelegrinë për lumnimin e papës Gjon Pali II