Punonjësit e Teleperformance protestojnë kundër shkurtimeve të bëra nga ndërmarrja dhe strategjive të saj për të zhvendosur jashtë vendit vendet e punës
Romë, 23 maj 2011 – Disa qindra punonjës me kontratë të përkohshme me firmën Teleperformance po protestojnë përpara Dhomës së Deputetëve në Romë kundër vendimeve të ndërmarrjes së tyre për të shkurtuar 1.464 vende pune. Teleperformance është një nga shoqëritë më të mëdha të call center, e kontrolluar nga një shumëkombëshe franceze, dhe ndër klientët e saj kryesorë ka Sky dhe Eni. Sipas punonjësve që prej kohësh kanë ngritur zërin kundër shkurtimeve, pjesa më e madhe e punës do të zhvendoset në qendrat Teleperformancë në Tiranë dhe Durrës.
Punonjësit kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë, pasi plani i shkurtimeve do të prekë 509 nga 613 punonjësit në qendrën e rrugën Priscilla në Romë, 243 punonjës në Parco Leonardo (Fiumicino) dhe 713 ndër 1.837 punonjësit në selinë e Tarantos.
Përfaqësuesit e sindikatave llogarisin se shkurtimet në Itali janë pa dyshim fryt i transferimit të punës në Shqipëri, ku nga 80 punonjës që Teleperformance kishte në vitin 2008, ka arritur në 700 të punësuar. Gjithashtu një prej pikave më të diskutuara është fakti që në Shqipëri do të bëhet dhe përpunimi i të dhënave personale të konsumatorëve. Prandaj po bëhet një fushatë ndërgjegjësimi për klientët Sky në mënyrë që jenë në dijeni se të dhënat personale, përfshirë dhe ato të kartat e kreditit dhe llogarive rrjedhëse do të trajtohen në një vend ku legjislacioni është i ndryshëm nga ai italian.
Gjatë kohëve të fundit sektori i call center në Itali ka shkurtuar mbi 11 mijë vende pune ndër 70 mijë që ishin gjithsej. E me sa duket jo për shkak të krizës ekonomike, por si rrjedhojë e strategjive të ndërmarrjeve për të zhvendosur jashtë vendit ngarkesën e punës.