Në programin e mbrëmshëm të Le Iene, u trajtua edhe tema e Gjakmarrjeve në Shqipëri, e burrave, përfshirë edhe fëmijët e vegjël, të ngujuar në shtëpi. Njëri nga gazetarët e “Le Iene” shkon deri në një fshat të Shqipërisë për të takuar disa nga këto familje: flet me burra e fëmijë që qëndrojnë të mbyllur në shtëpi kush prej 6 e kush prej 9 vjetësh. Gazetari mbetet me të drejtë i shastisur dhe thotë që shkak i të gjithë kësaj është kanuni.
Shqiptarë të shumtë kontaktojnë në redaksi për të thënë që kanuni është një ligj i lashtë që ka ekzistuar kur mungonte shteti dhe ka mundësuar bashkëjetesën e paqtë mes njerëzve në shekuj. Por që është shtrembëruar dhe ka përfunduar i reduktuar në marrëzinë e gjakmarrjes.
Gjakmarrja, ngujimi i familjeve, që shpesh po trajtohet edhe nga mediat e huaja, ndoshta sipërfaqësisht, pa i hyrë në thellësi problemit, mbetet një plagë e rëndë për Shqipërinë. Shteti, sistemi i drejtësisë i një vendi demokratik, anëtar i NATO-s, që pretendon të marrë statusin e vendit kandidat në BE, e ka për detyrë të bëjë të pamundurën për shërimin e kësaj plage të rihapur nga vitet 90.
Shiko Videon: