Një qarkore e re e ministrisë së Brendshme zhbllokon situatën. Por për praktikat e mbyllura duhet të kërkojnë rishqyrtimin punëdhënësit
Romë, 24 qershor 2011 – Lajme të mira (por mund të ishin edhe më të mira) për mëse njëzetmijë punonjës të huaj të mbetur pezull mes të qenit klandestinë dhe të rregullt. Janë bashkëpunëtorë familjarë që kanë kërkuar legalizimin e qëndrimit të tyre me senatoren e shtatorit të vitit 2009, por kërkesat e tyre janë hedhur poshtë apo janë bllokuar sepse në të kaluarën janë dëbuar e më pas janë rihapur në Itali, ndaj janë arrestuar, dënuar dhe dëbuar sërish.
Pas një liste të gjatë ankimimesh, rreth një muaj më parë, Këshilli i shtetit, edhe mbi linjën e parashtruar nga një sentencë e Gjykatës së Drejtësisë së BE-së, u ka njohur edhe të huajve në kushte të tilla (me dy dëbime) të drejtën e sanatores. Dy javë më pas, ministria e Brendshme ka urdhëruar me një qarkore Sportelet unike të imigracionit të veprojnë në respekt të vendimit të Këshillit të Shtetit, por pas dy ditësh, bën prapakthehu. Me një qarkore të re pezullon legalizimin e të huajve në këto kushte duke u angazhuar se “do të japë shpejt sqarime të mëtejshme”
Sot, më në fund, situata zhbllokohet. Me një qarkore të re, më 23 qershor, ministria e Brendshme ka urdhëruar prefekturat të rishqyrtojnë automatikisht kërkesat e atyre punonjësve, por vetëm nëse hedhja poshtë e tyre nuk u është lajmëruar akoma zyrtarisht, apo nëse u është lajmëruar prej më pak se 120 ditëve, apo nëse ka një çështje gjyqësore të hapur. Nëse nuk ka arsye të tjera penguese përveç dëbimit të dyfishtë, të huajve duhet t’u legalizohet qëndrimi, pra t’u jepet dokumenti i qëndrimit.
Ndryshe qëndron puna për praktikat e mbyllura, për të cilat nuk është paraqitur ankimim apo është mbyllur edhe ankimimi me një tjetër hedhje poshtë të kërkesës së legalizimit. Sipas ministrisë, arkivimi duhet konsideruar “i vlefshëm” dhe “me efikasitet të plotë”. Sporteli Unik do të rishqyrtojë këto praktika, për një legalizim të mundshëm të punonjësve, vetëm nëse do ta kërkojnë shprehimisht punëdhënësit, “të vetmet subjekte – specifikon qarkorja – që kanë të drejtë të paraqesin kërkesën”.
Dhe është pikërisht ky, dallimi i vetëm nga qarkorja e parë e majit që ishte bllokuar më pas, sipas të cilës rihapjen e praktikës mund ta kërkonin drejtpërdrejt punonjësit e huaj. Me udhëzimet e reja nisur Sporteleve Unike, do të mbeten jashtë loje shumë e shumë bashkëpunëtore familjare: sa punëdhënës do të jenë vërtet të interesuar të kërkojnë rishqyrtimin e praktikës, tani që kanë kaluar dy vjet nga paraqitja e kërkesës së legalizimit?
Elvio Pasca