in

“Shkodra Life” në syrin e protagonistëve

Bisedë me Mark Gerën, iniciator të krijimit të shoqatës “Shkodra Life” dhe Esmeralda Tyli, moderatore e mbrëmjeve letrare dhe artistike dhe zëdhënëse shtypi për shoqatën

Janë të shumta shoqatat kulturore-artistike të komunitetit shqiptar në Itali të krijuara, sidomos vitet e fundit, tek të cilat që nga emërtimi dallojmë disa karakteristika, që na “njoftojnë” dhe për strukturën e objektivat që kanë. Si emërues i përbashkët gjejmë fjalët “kulturore” dhe “shqiptaro-italiane” e nëse do të ndalemi te ky përcaktim i fundit, për të kuptuar më tepër do të vëmë re se iniciativa e krijimit të shoqatës është e shqiptarëve, ndërsa pjesëmarrja si anëtarë të shoqatës apo si bashkëpunëtorë në organizimin e aktiviteteve të qytetarëve italianë është një numër gjithnjë në rritje dhe tashmë i konsiderueshëm.

Ky fakt, që në vitet e para pothuaj rezultonte si një sforcim dypalësh, sot është një fenomen i natyrshëm, që merr ngjyrat e një bashkëpunimi të vërtetë, me synim njohje të ndërsjellë e që përmban një dozë jo të vogël kurioziteti. E gjitha kjo, jo vetëm falë shkallës së integrimit që shqiptarët kanë arritur në secilin territor italian ku banojnë e punojnë, por lidhet ngushtë edhe me nivelin cilësor të aktiviteteve.

Gjithsesi, jo gjithnjë ndodh kështu. Nëse do të kishte një bankë të dhënash të shoqatave shqiptaro-italiane në Itali, mbase lista do të ishte e gjatë, por nëse do të bëhej një bilanc i jetëgjatësisë së tyre, këtu optimizmi i fillimit do i linte vendin zhgënjimit. Ky fakt na dëshmon se një gjë është dëshira për t’u organizuar e prezantuar në këtë shoqëri me një shoqatë, dhe tjetër gjë është jetëgjatësia e vetë iniciativës. Natyrisht mungesë përvoje, mungesë e një organizimi të brendshëm si dhe në përcaktimin e objektiva të qarta. Kështu kemi parë shoqata që janë hapur e mbyllur brenda pak muajsh, të tjera që kanë bëre dy-tre aktivitete me shumë bujë, por që janë pasuar nga një heshtje e gjatë. Gjithsesi edhe këto suksese apo dështime të dikujt janë mësime për të tjerë që kanë dëshiruar të eksperimentojnë në këtë sistem shoqatash.

Ky fakt, një mësim për shoqatat e reja që në përcaktimin e objektivave duke pasur parasysh si bazë kryesore rezervat e brendshme të shoqatës, anëtarët e saj, formimin, kapacitetin, cilësinë e tyre e deri në planifikimin e aktiviteteve që u përshtaten kërkesave por dhe që në njëfarë mënyre përcaktojnë identitetin e shoqatës, e bëjnë që të dallohet nga simotrat të spikatë e të tërheqë vëmendjen e opinionit apo dhe të mediave.

Të tilla nuk janë shumë në Itali, një prej tyre është shoqata “Shkodra Life”. E veçanta, thelbësorja nuk ndalet vetëm të emërtesa, “jehona” do të ishte rajonale, por qëndron të aktivitetet e përzgjedhura, te tradita e tyre e kthyer në normë-rregull e që përbën dhe sekretin e transformimit të shoqatës në një pikë referimi për komunitetin e shqiptarëve në Torino, garanci për shtimin e radhëve të saj.

“Festa e luleve” është një nga aktivitetet që e dëshmoi “tezën” e mësipërme. Aktivitet i spikatur, i cili risjell një nga traditat antike të qytetit të Shkodrës. Një aktivitet që rizgjon ndjenja te brezi i vjetër si dhe i përcjell ato te brezi i ri, i cili ndofta Shkodrën e njeh vetëm nëpërmjet bisedave familjare, fotove e kujtimeve të prindërve.
Nëse edicioni i parë i “Festa e luleve” ishte një eksperimentim dhe për vetë iniciatorët, përsëritja e suksesshme këtë vit, dëshmoi për dobinë e festës dhe njëkohësisht detajoi akoma më shumë objektivat e shoqatës për një stad të ri cilësor.

Po kush është kjo shoqatë, si lindi dhe çfarë dëshmojnë këto vite jete të saj në Torino ku ekzistojnë dhe shoqata të tjera shqiptare, që me sukses organizojnë aktivitete për po këtë komunitet. Kërkuam të mësojmë historinë, realitetin dhe perspektivat e saj nga dy protagoniste kryesorë, nga presidenti Mark Gera, që është dhe iniciatori i krijimit të saj dhe Esmeralda Tyli, moderatore e mbrëmjeve letrare dhe artistike dhe bashkëpunëtore e shumë aktiviteteve të tjera si dhe zëdhënëse shtypi për shoqatën.

Dy fjalë për lindjen e shoqatës “Shkodra life”.

Mark Gera: Krijimi shoqatës u bë si përgjigje e një kërkese që vetë realiteti i emigrantëve shqiptarë në Torini paraqiste: niveli i integrimit, nevoja për konfirmim vlerash e traditash të origjinës, pjesë e identitetit të mërgimtarit ku esencën e përbën pikërisht kultura e vendlindjes. Kështu lindi “Shkodra Life” – emri më shumë së çdo gjë tjetër “denoncon” aspiratat e shoqatës.

Cilat keni përcaktuar si objektiva kryesore të shoqatës?

Mark Gera:Objektivat e shoqatës sonë janë shumë të thjeshtë: përçimi i traditave shqiptare dhe shkodrane në veçanti brezit të ri, që rritet në shoqërinë italiane. Një objektiv tjetër po kaq i rëndësishëm është edhe njohja nga ana e torinezëve me kulturën dhe artit tonë. E shohim këtë fakt si një urë lidhëse ndërmjet qytetarëve të Torinos pa dallim prejardhjeje. Sepse arti lidh, arti është një gjuhë e përbashkët që nuk ka nevojë për përkthyes për tu kuptuar dhe vlerësuar.

Cilat aktivitete të shoqatës do të veçonit si më të spikaturat?

Mark Gera:Në një vit e gjysmë aktivitet, mund të them që lista e iniciativave të organizuara nga vetë ne si shoqatë dhe e atyre në bashkëpunim me shoqata të tjera italo-shqiptare të territorit është shumë e pasur. Ne u paraqitëm përpara publikut menjëherë në muajin e parë të krijimit të shoqatës me një program të caktuar në Festën e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 2009. Që nga ai moment kemi vazhduar në mënyrë të pandërprerë. Më 30 Prill 2011, në sallën e Teatrit ATC në Torino, shoqata kulturore shqiptaro-italiane “Shkodra Life” organizoi aktivitetin “Festa e Luleve”, i cili jo vetëm arriti suksesin e parashikuar por na dëshmoi se iniciativa ishte mëse “e goditur” e tashme kthehet ne traditë evenimentesh për shoqatën.

Esmeralda, po për ju ç’është “Shkodra-life”: thjesht një shoqatë, një kolektiv miqsh apo nje “ide” e cila duhet t’a zhvilluar?

Esmeralda Tyli: Një grup miqsh me një ide që duhet zhvilluar dhe përçuar brezave që vijnë: ky është përcaktimi që unë i jap Shoqatës “Shkodra Life”. Madje, ndoshta fjala “ide” e thjeshtëzon paksa përmbajtjen e vërtetë të aktiviteteve të shoqatës. Sepse arti dhe kultura qytetare shkodrane janë një realitet, një entitet, një pjesë përbërëse e artit dhe kulturës shqiptare, të cilat janë të lidhura me njëra-tjetrën në një mënyrë të pazgjidhshme. Pikërisht këtë realitet dëshirojmë të sjellim në terrenin torinez dhe italian në përgjithësi. Këtë realitet kërkojmë t’u përçojmë brezit të ri që rritet në një habitat të globalizuar botëror.

Drejtuese e disa aktiviteteve të “Shkodra-life” dhe e këtij edicioni të dyte të ” Festa dei Fiori”, në Teatro ATC. Çfarë shënojnë për ju këto eksperienca por dhe për anëtaret e tjerë të shoqatës?

Esmeralda Tyli:Shoqata është një grup individësh me talente dhe dhunti natyrore të ndryshme. Secili sjell në shërbim të grupit diçka nga vetvetja, nga bota e brendshme e tij. Mund të them që secili zbulon edhe dhunti të reja që nuk ka ditur që i zotëron. Është ky një fakt pozitiv, sepse ndoshta në jetën e përditshme nuk kemi mundësi të vëmë në shërbim të shoqërisë kapacitetet tona të plota, sepse nga ana profesionale nuk jemi të drejtuar në fushat që na përkasin. Kështu që Shoqata dhe aktivitet e saja bëhen si një terren i përshtatshëm për shprehitë personale të secilit, të vena këto në shërbim të një projekti të përbashkët.

Cili është komenti më domethënës që keni marrë pas shfaqjes?

Esmeralda Tyli:Komentet që morëm ishin entuziazmuese. Sepse programi i larmishëm, i bazuar në këngët tashmë të mirënjohura qytetare shkodrane, këngët e muzikës së lehtë shqiptare si edhe këngët e mirënjohura të repertorit italian dhe ndërkombëtar, dhanë një larmi idesh dhe emocionesh. Shumë spektatorë na dhanë mendimin që shoqata ka bërë një rritje shumë cilësore në aktivitetet e saj, në kaq pak kohë veprimtarie. Mos harrojmë që shoqata jonë ka veç një vit e gjysmë që është krijuar. Ky fakt na gëzon, por edhe na vë përpara një përgjegjësie të madhe. Sepse kërkesat e publikut rriten çdo ditë, dhe ne dëshirojmë të jemi në një hap me këto kërkesa.

Ku mendoni se qëndron forca e “Shkodra Life” dhe sa e konsideroni të dobishme pjesëmarrjen, vlerën e saj (e të shoqatave në përgjithësi) për raporte sociale, njohje e kontribut në integrim?

Esmeralda Tyli: Jetojmë në një periudhë paksa të çoroditur nga ana politike, sociale e morale. Jetojmë në një periudhë tranzicionesh të mëdha si në Shqipëri e në Itali, ashtu edhe në rang botëror. Aty ku politika e integrimit në Itali ka falimentuar, për arsye të cilat nuk dëshiroj të analizoj duke mos qenë unë as politikane dhe as studiuese e socio-politikës, roli individual dhe i grupeve të organizuara në shoqata bëhet shumë i rëndësishëm. Me aktivitetet që zhvillojnë shoqatat në aspekte të ndryshme, të cilat janë bazë e këtyre aktiviteteve, bëhen urë lidhjeje ndërmjet komunitetit shqiptar dhe atij italian. Është rol i rëndësishëm ky, sepse tregon pjekurinë e ndërgjegjes së përgjithshme të komuniteti tonë, i cili nuk e ndien veten që mund të përcaktohet si komunitet i qytetarëve extra, extradiçka. Extra ne nuk e ndiejmë veten; jemi qytetarë që jetojmë dhe punojmë në shtetin italian, japim kontributin tone në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të kësaj shoqërie, jemi qytetarë të kësaj shoqërie me detyrat dhe të drejtat që Kushtetuta e Italisë na përcakton. Si të tillë ne tashmë e trajtojmë veten dhe si të tillë dëshirojmë të trajtohemi nga shoqëria italiane duke filluar nga politika dhe mediat e duke përfunduar deri tek fqinji i vendbanimit. Ne rrisim dhe edukojmë një pjesë të brezit të ri, i cili do të jetë e ardhmja e kësaj shoqërie, prandaj roli ynë është tepër i rëndësishëm për të pasur një të ardhme sa më të shëndoshë nga ana shoqërore, ekonomike e morale.

Po zgjatem paksa në këtë pyetje, duke qenë shumë e gjerë dhe interesante; më zgjon pa dashje mendime.
Forca e “Shkodra Life” qëndron në faktin e vetëdijes për atë çka jemi dhe çfarë dëshirojmë. Jemi qytetarë me origjinë shqiptare, nga Shkodra e lashtë dhe e pasur me histori, kulturë, art e tradita. Dëshirojmë t’u përçojmë këto tradita brezave që vijnë, të cilët do t’i përpunojnë dhe do t’i vazhdojnë sipas konteksteve shoqërore dhe historike në të cilat jetojnë, duke ruajtur vlerat dhe origjinalitetin e tyre. Dëshirojmë që kjo pasuri, ky bagazh që secili prej nesh ka sjellë me vete të bëhet një urë lidhëse e natyrshme dhe e shëndoshë ndërmjet komponentëve të shoqërisë tashmë multietnike italiane, duke qenë bazë e njohjes reciproke nëpërmjet tyre.

Albana Temali, Bologna
www.albacenter.it

Bergamo: mbyten në lumë nënë e bir

Relikti i Katër i Radës do të shkatërrohet