Në Romë nuk sillen pasaporta që prej 30 majit, çka do të thotë që ka persona që kanë aplikuar edhe pesë javë më parë dhe ende nuk kanë mundur të tërheqin pasaportën
Romë, 30 qershor 2011 – Konsullata e përgjithshme e Shqipërisë në Milano, lajmëron në faqen e saj të internetit se të gjithë qytetarët shqiptarë që kanë aplikuar për dokumentet pranë kësaj konsullate nga 28 prilli deri më 17 qershor, mund të paraqiten pranë saj për t’i tërhequr. Natyrisht, nëse nuk e kanë bërë deri më sot.
Sipas lajmërimit on-line të Konsullatës, tërheqja bëhet nga ora 12:00 deri në orën 14:00, nga e hëna në të premte, duke paraqitur faturën e aplikimit dhe një dokument identifikimi. Nëse pasaporta mund të tërhiqet edhe nga një familjar (me faturën e aplikimi), kush ka paraqitur kërkesë edhe për letërnjoftimin elektronik, duhet të paraqitet personalisht në konsullatë.
Nëse në Milano tërheqja e pasaportave po bëhet vërtet brenda tre javëve, nuk po ndodh kështu në Ambasadën e Shqipërisë në Romë, në faqen internet të të cilës lista e pasaportave të gatshme për t’u tërhequr është përtërirë më 30 maj për të fundit herë. Pas kësaj date, në ambasadë nuk ka mbërritur asnjë pasaportë.
Madje një lexues i shqiptariiitalise.com ankohet se ka aplikuar prej pesë javësh dhe ende nuk i ka mbërritur pasaporta në Romë, edhe pse të gjithë garantonin se nuk do të kalonin më shumë se tre javë nga aplikimi deri të tërheqja e dokumentit.
Burime nga ambasada thonë për shqiptariiitalisë.com se pasaportat bëhen vërtet brenda pak ditëve nga shoqëria Aleat, por se ka pasur vështirësi për sjelljen e dokumenteve në Romë. Sigurojnë gjithashtu se ditët e para të korrikut do të sillen në Romë një sasi e madhe pasaportash të gatshme për t’u tërhequr. Problemi i sjelljes me rregullsi i pasaportave të gatshme për t’u tërhequr duhet zgjidhur sa më shpejt pasi veçanërisht tani në periudhën e verës, kur shumëkush mendon të lëvizë, një situatë si kjo që po vërehet këto ditë u krijon jo pak telashe familjeve shqiptare.