Shqipëria dhe Serbia nënshkruan sot marrëveshjen dypalëshe “Mbi lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve”
Tiranë 5 korrik 2011 – Zyra e shtypit e MPJ-së bën të ditur se, në ambientet e kësaj ministrie u nënshkrua marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë “Mbi lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve”. Kjo marrëveshje u nënshkrua, për palën shqiptare nga zëvendësministri i Jashtëm, Selim Belortaja, ndërsa për palën serbe nga Ambasadori i Republikës së Serbisë në Tiranë, Miroljub Zaric.
Marrëveshja për lëvizjen e lirë bazohet në parimet e reciprocitetit të plotë midis dy shteteve, vullnetit të mirë e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe synon mundësimin e qarkullimit të lirë të qytetarëve nga njëri shtet në tjetrin.
Ajo parashikon përjashtimin nga viza për hyrjen në territorin e secilës palë për një vizitë ose qëndrim që nuk i kalon 90 ditë brenda 180 ditëve. Për qëndrimet afatgjata në territorin e shtetit fqinj, për qëllime studimi, punësimi, ribashkimi familjar, etj, shtetasit do t’u nënshtrohet kritereve të legjislacionit të brendshëm të secilit vend.