in

Miratohet në Kuvend projektligji mbi regjistrimin e popullsisë

Kuvendi i Shqipërisë miraton të mërkurën ligjin për regjistrimin e popullsisë. Reagon ashpër Aleanca Kuq e Zi, që denoncon “mënyrën dhe procedurën e votimit për projektligjin” dhe kërkon që Kuvendi të zbardhë listë-prezencën e deputetëve në Kuvend

Tiranë 8 korrik 2011 – Kuvendi miratoi më 7 korrik me 71 vota pro dhe dy abstenime disa ndryshime në ligjin “Për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave”, një proces i zyrtarizuar me emrin ‘census’. Projektligji, që parashikon amendim të ligjit të miratuar në vitin 2000, synon të zgjidhë nevojat për një përmirësim të kuadrit ligjor në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe banesave, që do të nisë në muajin tetor. Ministri për Inovacionin, Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimin, Genc Pollo, duke mbrojtur nismën e qeverisë në Kuvend, tha se ndryshimet në këtë ligj janë një detyrim i qeverisë shqiptare në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Sipas tij, projektligji ka të bëjë me adoptimin e legjislacionit europian në fushën e mbrojtjes të të dhënave personale, e cila parashikohet të ruhet me rregulla të përcaktuara. Një tjetër element i rëndësishëm i projektligjit janë dhe masat ndëshkimore ndaj atyre që deklarojnë të dhëna të rreme në procesin e censusit. 
Sipas Aleancës Kuq e Zi, ligji për Regjistrimin e Popullsisë, i quajtur nga qeveria “Census” (mbledhje e informacionit me anë të pyetësorëve) është miratuar nga parlamenti shqiptar në kundërshtim me ligjin pasi mungonte numri i duhur i votave. Ligji në të vërtetë mori vetëm 69 vota pro, por në mungesë të opozitës dhe të një faktori kontrollues, deputetët e mazhorancës kanë votuar për kolegët që mungonin. Imazhet televizive tregojnë se si deputetët votojnë për njëri-tjetrin. Dikush vendos një gazetë përpara për të mos rënë në sy, ndërsa dikush tjetër vendos xhaketën dhe shtyp butonin në emër të kolegut. Miratimi i këtij ligji kërkonte të paktën 71 vota, ndërsa mazhoranca kishte vetëm 69. Kjo e bën votimin të pavlefshëm. Për këtë ligj kërkoheshin 71 vota, dhe në sallë kanë qenë të pranishëm 71 deputetë, por dy të Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri, abstenuan. Megjithatë në ekranin e Kuvendit të Shqipërisë rezultuan 71 vota pro, 2 abstenim. Në votim rezultuan të kenë votuar edhe Gëzim Dibra dhe Lefter Maliqi, të cilët nuk ishin të pranishëm në seancë. Ndonëse karriget ishin bosh, në ekran personat dilnin sikur kishin marrë pjesë në votim.

“Aleanca Kuq e Zi  denoncon mënyrën dhe procedurën e votimit për projektligjin e regjistrimit të popullsisë dje në Kuvendin e Shqipërisë. Aleanca Kuq e Zi i kërkon Kuvendit të Shqipërisë të bëjë sot publike listë-prezencën e deputetëve në Kuvend si dhe listën e votuesve pro të projektligjit.  Miratimi i ligjit të censusit me 69 vota pro dhe 2 vota abstenimi të PDIU dhe me një prezencë të paprovuar të 71 deputeteve në sallë e bën procedurën dhe procesin e votimit antikushtetues nëse nuk është respektuar parimi një deputet një votë” thuhet mes të tjerash në deklaratën e Aleancës Kuq e Zi.

Kolegji mbyll lojën{br}Është Basha kryebashkiak i Tiranës

Padova: Mbytet në lumin Brenta Dashamir Loka