in

Himara, perlë e Rivierës shqiptare

Himara është një nga vendet më të bukura të rivierës shqiptare. e boshatisur gjatë gjithë vitit për shkak të emigracionit të lartë në Greqi, në verë fiton një gjallëri të veçantë me vendasit që kthehen dhe turistët e shumtë edhe pse vetë himarjotët pranojnë se mund bëhej më shumë për turizmin nëse do të zgjidhej problemi i pronësisë. Ndër turistët e Himarës edhe arbëreshët që vijnë të vizitojnë “brigjet nga u nisën të parët e tyre”

Himarë, disko poshtë ullinjve

Mbrëmjet në Himarë janë apasionante, veçanërisht në korrik dhe në gusht. Mund të çlodhesh te kafet buzë detit, të bësh një shëtitje te Lungo Mare deri në Potam, në lagjen lindore të Himarës, të rrish deri vonë te bar “Manolo” në Spille, apo të darkosh te lokali i Vironit, i cili mbasi ka punuar në Greqi ka hapur një biznes ku ka punësuar të gjithë pjesëtarët e familjes si dhe Amalinë, vajzën e tij adoleshente, e cila jo vetëm shërben mirë, por di të komunikojë, në shqip, greqisht, anglisht dhe italisht, duke e bërë më të lehtë shërbimin, siç thotë Vironi, ndaj turistëve të huaj që frekuentojnë lokalin e tij.

Vironi të tregon se nga fundi i korrikut dhe në gusht, krahas turistëve të ardhur nga zona të ndryshme të vendit, zbarkojnë për pushime, me autobusë apo anije traget nga ishujt e Greqisë, rinia e qytetit bregdetar. Ka mes tyre që janë larguar prej 20 vitesh dhe mundohen të shqiptojnë vetëm disa fjale shqip.

Kënaqësia më e madhe e pushuesve është xhiroja rreth rrotulluese në minibulevardin e Himarës, prej më pak se 400 metra, që përshkohet edhe nga kamerierët, të cilët shërbejnë kafetë dhe pijet në lokalet buzë detit. Por mbas orës 23.00, rinia himarjote tërheq në ritmet e saj dhe grupet alegro turistike në diskot e improvizuara poshtë ullinjve, duke kërcyer të kapur të gjithë bel mbas beli rreth një zjarri të improvizuar, që në orët më të vona, po ta shijosh duket sikur je në një xhungël të vërtetë. Këtu me këtë vallëzim, që vazhdon deri afër mëngjesit, kur edhe peshkarexhat nisin udhëtimin e tyre, lindin edhe disa premtime për takime të mëvonshme….

Himarjotët: “Moszgjidhja e pronave mban larg investimet turistike”

Duket se edhe banorët vendas tashmë janë mësuar me këta klientë të përvitshëm dhe pak ndryshime bëjnë në banesat e tyre. Thoma Nerenxi, himarjoti rreth të 80-tave, që nxjerr çdo mbrëmje me të shoqen e tij, Patra, varkën për të hedhur rrjetat, thotë se akoma nuk ka plan për të zhvilluar Himarën dhe secili, sipas hesapit të tij, krijon çdo vit nga pak komoditet për turistët verorë.

Djemtë dhe vajzat i ka në Greqi xha Thomai dhe zakonisht i vijnë në gusht nja dy jave sa për t’u çmallur, por shprehet i pakënaqur sepse akoma nuk është zgjidhur problemi i pronave. Ai thotë se po nuk u zgjidh problemi i pronave nuk mund të vazhdojë turizmi kështu. Në fakt, një pjesë e pronarëve në Himarë kanë edhe probleme të pazgjidhura brenda fisit për pronat e tyre. Kjo është e dukshme jo vetëm nga gjyqet e hapura, por më tepër nga gardhet me drurë të shtrembër pa fund që ndajnë shtëpitë nga njëra-tjetra si dhe nga hapja e puseve për ujë nga pronarët e të njëjtit fis, në garë me njëri- tjetrin se kush e shpon më thellë…

Arbëreshë në Himarë, në gjurmët e eksodit të të parëve të tyre

Profesor Vincenzo Cuci, arbëresh, pedagog në shkollën e muzikës në Chieri, afër Torinos, dy vite më parë ka kaluar 10 ditë pushime në Himarë, së bashku me të afërmit e tij. Edhe këtë vit ka planifikuar të vijë përsëri këtu, me disa miq arbëreshë.

Profesori thotë për ATSh-në se “para pesë shekujsh, diku këtej nga këto brigje duhet të jenë nisur për të arritur në Itali të parët e tij”. Ai tregon se janë të shumta familjet arbëreshe që vazhdon t’i shtyjë kurioziteti për të parë nga afër këto fshatra, nga ku të parët e tyre ndërmorën atë eksod, për t’i shpëtuar përndjekjes së një perandorie të fuqishme të asaj kohe. “Na mundon “gjaku i shprishur” se megjithë përpjekjet e historianëve, si shqiptarë ashtu dhe arbëreshë, akoma edhe sot nuk është zgjidhur përfundimisht se si kanë mundur të largohen nga këto brigje me anë të detit mijëra banorë, burra, gra dhe fëmijë, cilat ishin nga krahinat shqiptare, origjina jonë, a ishin ata banorë vendas të këtyre brigjeve të sotme, apo të ardhur nga zona më të largëta, kryesisht veriore të Shqipërisë”, thotë ai. “Arbëreshët-siç shprehet Cucci,- e kanë ëndërr për të kaluar pushimet, për të parë Atdheun e të parëve të tyre, për të eksploruar diçka të pa zbuluar dhe pikërisht edhe ne zgjodhëm përsëri Himarën, e parë nëpër guida me atë gji natyror fantastik, me atë mol të vogël, ku sipër tij shkëmbinjtë zbresin thikë mbi det.” Për Prof Cucci, që do të udhëheqë grupin e vogël të arbëreshëve, “zakonet dhe mikpritja janë pothuaj njësoj si në Kalabri, ku janë edhe fshatrat më të populluara me arbëreshë”. “Në Itali, janë mbi 60 komuna arbëreshe, ndërsa numri i arbëreshëve i saktë nuk dihet se shumë prej tyre janë larguar jashtë Italisë, në ShBA, Gjermani dhe shtete të tjera, por dhe shpërnguljet brenda Italisë janë të mëdha. Ja ne tani banojmë në Torino, gjyshërit janë shpërngulur para 50 vitesh nga Kalabria në Piemonte”- thotë Cucci, që premton se do të përgatisë vetë një guidë me imazhe, sapo të kthehet nga këto vende të mrekullueshme, për të prurë sa më shumë arbëreshë dhe turistë italianë në Rivierën shqiptare.

Ashton-Fyle: “Shqipëria të reformojë kodin zgjedhor”

Juristët kundër mbylljes deri në 18 muaj të klandestinëve në cie