in

Muri i Berlinit dhe Letërsia që di unë

Lectio magistralis i poetit Visar Zhiti mbajtur në universitetin e Napolit gjatë Konferencës “20 vjet pas rënies së Murit”

Prolog i vogël

Në kohën kur shembej Muri i Berlinit, në vendin tim hiqeshin statujat e fundit të Leninit dhe të Stalinit, kurse shtatorja e lartë e diktatorit Enver Hoxha u rrëzua nga turmat, që ishin ngritur në protesta dhe u zvarrit si një përbindësh i bronztë  rrugëve të kryeqytetit. 

Rastësisht u njoha me një gjerman, që kishte ruajtur copëra gurësh nga Muri i Berlinit. I kërkoj një.. “Po më dhe ndonjë copë nga statuja e diktatorit tuaj”, – më tha. Dhe kështu bëmë shkëmbimin në natyrë, i dhashë pak mermer nga piedestali i Enver Hoxhës dhe mora një copëz guri nga Muri i Berlinit. Teksa e mbaja në dorë, përveç të tjerash, mendova dhe këtë metaforë tronditëse për mua. Statuja e diktatorit mund të barazohej me muret, që ndanin atdheun nga vendet e tjera, nga Europa, ne brenda na ndante dhunshëm me njëri-tjetrin, madje secilin e ndante tragjikisht nga vetvetja.

Mendoni letërsinë nën të tilla mure.

Ndërkaq dua të shtoj se në demonstratat tona në Shqipëri, kur sapo ishte shembur Muri i Berlinit, studentët dhe turmat e revoltuara, që bërtisnin: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ngrinin lart dhe dy portrete shkrimtarësh shqiptarë, atë të Ismail Kadaresë dhe të Rexhep Qoses, ky i dyti nga Kosova, mes të cilëve kohët e fundit plasi një konflikt për identitetin europian të shqiptarëve, ndërkohë, së fundmi fare, kritiku Qose hodhi në shtyp mendimin provokues se letërsia shqipe nuk është në nivelin europian. Menjëherë e kundërshtuan disa shkrimtarë të tjerë, duke thënë se letërsia shqipe është në nivelin europian.

Pata rast të ndërhyj dhe unë në një gazetë shqiptare. Thashë që letërsia shqipe thjesht është letërsi europiane, se shkruhet nga shkrimtarët e një populli që jeton në Europë. Këtë mendim kishte dhe një albanalog kanadez, kurse një shkrimtar rumun do të thoshte në mënyrë paradoksale se Letërsia shqipe është më e fortë se Shqipëria.

Në ndërhyrjen time në gazetë shtoja se ne kemi çështje më të rëndësishme. Ndër të tjera mund të diskutohet për letërsinë dhe rolin e saj në robëri dhe në liri, para dhe pas rënies së Murit të Berlinit ose shtatores së diktatorit, se, siç thashë, janë e njëjta gjë.

Në Shqipëri, ku ishte e ndaluar disidenca dhe fjala e lirë, ku janë dënuar shkrimtarë, varre shkrimtarësh dhe libra, madje ka ndodhur ajo që s’ka ndodhur kurrkund në asnjë kohë, as në rendin skllavopronar e as në mesjetë, ka qenë e dënuar metafora, prandaj dhe janë pushkatuar poetë, ndërsa në mbarim të shekullit XX ka u krye kriminalisht varja e fundit në të gjithë perandorinë komuniste, në mes të qytetit ngritën trekëmbëshin e Havzi Nelës, bashkëvuajtës imi në burg, i cili i pari dhe i vetmi kishte shkruar një poezi për të drejtat e njeriut, kur ishte e ndaluar të përmendej Helsinki, nejse, dua të them se në Shqipëri tani ka dhe një letërsi tjetër, që vjen nga ferri, del nga burgjet dhe balta e internimeve, ringjallet nga varret. Kjo letërsi nuk është kundër letërsisë, siç i trembeshin, thjesht sjell vetveten.

Po vazhdoj…

Klandestiniteti. Përvoja e një gazetari

Muri i Berlinit dhe Letërsia që di unë/2