in

Presidenti Topi: “Italia partner i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë”

Gjatë ditës së dytë të vizitës së tij zyrtare në Itali, presidenti i Shqipërisë Bamir Topi takon guvernatorin e Puglias Nichi Vendola

Romë, 6 gusht 2011 – Presidenti Bamir Topi zhvilloi sot një takim me Presidentin e Krahinës së Puljas, Nichi Vendola dhe autoritetet e larta puljeze, gjatë të cilit u shprehu mirënjohjen për ndihmesën e vazhdueshme të Italisë dhe vlerësimin e lartë për marrëdhëniet e shkëlqyera tradicionale dhe historike mes dy popujve tanë duke e konsideruar “Italinë si një partner shumë të rëndësishëm strategjik”.

Presidenti i Shqipërisë, pasi vuri në dukje arritjet dhe ndryshimet pozitive të Shqipërisë në drejtim të integrimit evropian, duke vlerësuar edhe kontributin e çmuar të Italisë në këto procese, nënvizoi nevojën për intensifikim dhe zgjerim të mëtejshëm të shkëmbimeve tregtare-ekonomike në fusha si energjetika, turizmi, bujqësia, etj., duke theksuar kushtet dhe mundësitë shumë të mira që ofron vendi ynë me rritjen e tij ekonomike dhe sistemin e favorshëm fiskal për investime të huaja. Ai ripërsëriti ftesën për investitorët italianë që të rrisin edhe më shumë praninë e tyre në Shqipëri.

Presidenti i krahinës së Puljas, Nichi Vendola, pasi vuri në dukje se vizita të tilla të nivelit të lartë thellojnë e forcojnë marrëdhëniet e shkëlqyera dhe bashkëpunimin dypalësh, theksoi nevojën e rritjes së shkëmbimeve tregtare e ekonomike dhe të partneritetit në fusha të ndryshme si ajo shëndetësore, energjetike, të bujqësisë, turizmit, arsimore, shkencore dhe kulturore.

 

Presidenti Topi dekoron me Medaljen e Mirënjohjes Bashkinë e Barit

Aktorja hollivudiane Eliza Dushku viziton Shqipërinë